Popujt e Ballkanit do të mund ta mësojnë historinë për njëri tjetrin pa pasur nevojë të huazojnë dylbitë e snajperistëve. Lufta kundër pushtuesve të përbashkët dhe kauzat për liri, janë të mjaftueshme për të ngritur një mendësi të re që do të ishte inkarnim i idealeve të përbashkëta evropiane
Nga Emin AZEMI
Popujt e Ballkanit vazhdojnë ta shohin historinë me syzat e së kaluarës. Nxënësit e shkollave ende mësojnë në libra ku fqinjët paraqiten me ngjyrat më të errëta. Përpjekjet e fundit në mes të Sofjes e Athinës për të harmonizuar disa kritere që do të eliminonin stereotipat paragjykuese në mes të dy popujve, do të duhej të shërbejnë si pikënisje për shtetet tjera që projektimi i së ardhmes mos të ngarkohet me shabllonet e së kaluarës. Kjo do të duhej të jetë prioritet sidomos tani në fazën kur shtetet e Ballkanit Perëndimor ndodhen në fazën e skriningut dhe hapjen kapitujve për harmonizimin e legjislativave vendore me atë të BE-së.
Si do të mund të ndodhen nesër në një Union Europian shtetet të cilat ende nuk i kanë ndryshua tekstet mësimore të historisë, në të cilat tytat kundër njëri tjetrit ende qëndrojnë në istikamet e shekullit të 19. Nxënësit serbë ende vazhdojnë t’i lexojnë shqiptarët si terroristë dhe si njerëz me bishta dhe kjo po kalon pa u vërejtur nga burokratët e Brukselit. Një dukuri e tillë është vërejtur edhe në librat e historisë, gjeografisë në gjuhën maqedonase, në të cilat shqiptarët ende trajtohen si ardhacakë.
Futja nën një ombrellë europiane e popujve ballkanikë me tyta hegjemoniste e primitive të lëna nëpër libra historie, do të jetë gati e pamundur, nëse për këtë nuk reagojnë qysh tani zyrtarët që merren me monitorimin e procesit eurointegrues.
Është më se i nevojshëm dhe i domosdoshëm ngritja e një komisioni ekspertësh të historisë dhe disiplinave të përafërta që merren me studimin e popujve të Ballkanit Perëndimor, të cilët do të punonin nën ombrellën e BE-së dhe do të hiqnin nga librat shkollorë të gjitha materiet që ushqejnë urrejtjen, paragjykimin dhe ksenofobinë në mes të popujve.
Përpos si projekt politik i popujve europianë, BE do të duhej kuptuar edhe si një ‘akademi’ civilizimesh ku dallimet do të perceptoheshin si pasuri e jo si hendikep, kurse trishtimet e së kaluarës të shndërrohen në vizion të përbashkët për një ardhmëri tjetër, që do të ishte më e dobishme për gjeneratat në vijim.
Historia e Ballkanit është plot me gjak dhe urrejtje. Ajo do të vazhdoj të mbetet e tillë nëse nuk ndryshon këndvështrimi për TJETRIN. Por kjo nuk bëhet vetvetiu dhe asnjë shtet nuk do të nisë nga vetvetja të heqë atë që është e dëmshme për TJETRIN.
Redaktimi i së kaluarës nuk është patjetër të bëhet duke rrënuar lavdinë që posedon një popull. Ky zatën do të ishte edhe problemi thelbësor për të gjithë hartuesit e librave të rijë të historisë. Mirëpo edhe kjo mund të tejkalohet nëse lavdia shkarkohet nga miti i ‘popujve hyjnorë’ që duhet dominuar mbi të tjerët. E përbashkëta si vlerë universale nuk është vështirë të gjendet nëse historia lirohet prej kallëpeve të politikës së ditës.
Popujt e Ballkanit do të mund ta mësojnë historinë për njëri tjetrin pa pasur nevojë të huazojnë dylbitë e snajperistëve. Lufta kundër pushtuesve të përbashkët dhe kauzat për liri, janë të mjaftueshme për të ngritur një mendësi të re që do të ishte inkarnim i idealeve të përbashkëta evropiane. (koha.mk)