Dibër, 27 shkurt – Dibrania, dr. Arta Vojnika nga Dibra, specialiste gjinekologe, e cila edhe këtu në Maqedoni vlerësohej si profesioniste e suksesshme në profesionin e saj, u bë drejtore e mjekësisë në Qendrën Specialiste në Korfakan, Emiratet e Bashkuara Arabe. Ky është edhe një konfirmim për dibranët e zellshëm, të cilët kudo që janë të shpërndarë nëpër botë e vërtetojnë aftësinë dhe sakrificën e tyre, transmeton Koha.
Qendra gjendet në Korfakan, qytet me më shumë se 40.000 banorë, i shtrirë në një pjesë të bregut lindor të Emirateve, në Oqeanin Indian. Por, Qendra përfshin një zonë më të gjerë me rreth 100.000 banorë.
“Klinika Gjinekologjike filloi punën në dhjetor të vitit 2014, me ardhjen time, në kuadër të Qendrës ekzistuese Specialiste. Tani kemi më shumë se katër mijë pacientë të rregullt gjinekologjik, por numri i atyre që u kemi ofruar ndonjë shërbim të caktuar është shumë më i madh. Në këtë institucion në vazhdimësi sillen inovacione, duke i ndjekur trendët bashkëkohor të mjekësisë”, shprehet doktor Vojnika.
Ajo ka ndjekur shumë simpoziume dhe trajnime. Mes tjerash ka mbaruar edhe trajnimin te doktori i mirënjohur Aleksandar Bader, kryetar i Shoqatës Evropiane të Gjinekologëve Estetik, duke marrë certifikatë për realizimin e procedurave invazive dhe joinvazive estetike gjinekologjike.
Menaxheri i Qendrës, dr. Jusuf Alkalajleh, me shumë fjalë miradije për të.
“Gratë e këtushme kanë lindur me fat meqë pikërisht doktor Vojnika erdhi në klinikën tonë për t’u përkujdesur për shëndetin e tyre. Jam shumë i kënaqur nga sjellja, përkujdesja, profesionalizmi i saj. Është e zellshme, ambicioze, para së gjithash njeri me vizion, fytyrën e së cilës gjithmonë e zbukuron buzëqeshja. Nivelin e lartë të respektit dhe besimit që e ka fituar dr. Vojnika në mesin e pacientëve e konfirmon rritja e vazhdueshme e numrit të atyre që pikërisht asaj ia besojnë kujdesin për shëndetin e tyre”, shpehet Alkalajleh, i cili e njeh mirë gjuhën maqedonase.
Kjo Qendër nën drejtimin e tij funksionon prej vitit 2003, ndërsa në kuadër të saj funksionojnë mes tjerash edhe Klinika Stomatologjike dhe Klinika e Praktikës së Përgjithshme. Një pjesë të jetës së tij ai e ka kaluar në Shkup, ku ka mbaruar Fakultetin e Mjekësisë, ndërsa ka punuar edhe në pjesët tjera të ish-Jugosllavisë. Këtu ka formuar edhe familje me Maricën, me të cilën ka dy djem, njëri jeton në Shkup, e tjetri në EBA. Shpesh qëndron në Shkup, kështu që gjatë një vizite, qëllimi i së cilës ka qenë të sigurojë gjinekolog për klinikën, ka dëgjuar për emrin e dr. Arta Vojnikës.
“Takova dhe bisedova me më shumë njerëz dhe atëherë kur më kisha humbur shpresën se do të gjej njeriun e vërtetë për këtë, disa miq të mi ma propozuan doktor Artën, si eksperte e dëshmuar. Vendosa ta takoj dhe të bisedojmë. Që nga çasti i parë, pas bisedës së shkurtër, isha i bindur se ajo është njeriu që e kërkojmë dhe besoni që nuk jam penduar për përzgjedhjen, shprehet Alkalajleh”, doktor specialist ortodont.
Prej këtu, bën të ditur, rezultoi edhe vendimi im për ta avancuar dr. Arta Vojnikën në drejtore të mjekësisë të institucionit tonë. Ajo e ka merituar këtë me punën dhe kontributin e saj të deritanishëm, jo vetëm në trajtimin e pacientëve, por edhe në organizimin e përgjithshëm të punës së Qendrës.
Arta është e lindur në Dibër, shkollën e mesme të mjekësisë e ka mbaruar në Shkup, ku edhe u diplomua në Fakultetin e Mjekësisë, e më pas edhe ka specializuar. Për dhjetë vite ka qenë pjesë e ekipit të IPSH Klinika Universitare për Gjinekologji dhe Akusheri në Shkup.
“Si edhe shumë kolegë të mi vendosa të largohem, ndonëse sinqerisht me keqardhje të madhe. Kur u nisa nga aeroporti i Shkupit në vitin 2014, as që kam ëndërruar se do të has në një mjedis vërtetë të shkëlqyeshëm, njerëz të sjellshëm, të cilët dinë të vlerësojnë mundin e dhënë të mjekut. Gjithsesi, atje mundësitë për përsosje dhe avancim në karrierë janë më të mëdha, meqë vlerësohet njeriu dhe profesionalizmi i tij, e jo kush kë e ka mik, familjar ose të dëgjueshëm partiak”, shton Vojnika.
Doktoresha nuk fsheh se tashmë ndjehet si në mesin e njerëzve të saj, e pranuar shumë mirë në mjedisin ku jeton dhe punon.
Në pyetjen se çfarë e bën të lumtur në kohën e lirë, të cilën e ka gjithnjë e më pak, shprehet se dëshiron të udhëtojë, pushim të mirë në plazhet e bukura, fundjavë të shkurtër deri në Dubai… Është admiruese e sporteve ekstreme.
Lajmi për suksesin e doktoreshës nuk i befason dibranët, duke u nisur nga rastet e shumta që i ka trajtuar në Shkup, por edhe faktin se rrjedhë nga një familje e njohur, virtyti kryesor i së cilës është humaniteti.
“Jetën time dhe jetën e birit tim ia kemi borxh doktoreshës Arta. Isha buzë vdekjes kur në Klinikën në Shkup më transferuan nga një klinikë tjetër. Fatmirësisht për mua, Zoti ka dashur që atë natë ajo të jetë kujdestare. Vetëm ajo e di se në çfarë gjendje kam qenë. Por, na shpëtoi të dyve. Prandaj, djali im mban emrin Arjet”, përkujtohet me emocione të hapura dibrania Floriana Cami-Delishi.
Dr. Arta është vajza e të ndjerit primarius doktor Jusuf Vojnika, njëri prej themeluesve të kirurgjisë bashkëkohore në Maqedoni. Sipas dibranëve, ka shpëtuar mijëra jetë, ndërsa nën kryesimin e tij janë ndërtuar objektet e Qendrës Mjekësore – Dibër, Spitali i tanishëm i Përgjithshëm, institucion që ka në dispozicion kushte të tilla të punës që rrallëkush i ka në Maqedoni. Doktor Arta e pranon se krenohet me prejardhjen e saj.
“Dashurinë ndaj mjekësisë, gjenin për humanitet dhe shpëtim të jetëve të njeriut, pa marrë parasysh përkatësinë etnike, fetare ose ndonjë përkatësi tjetër, e kam trashëguar nga prindërit e mi. Babai im Jusufi dhe nëna ime Maria me shembullin personal vendosën themele të forta mbi të cilat unë, motra ime Laura dhe vëllai im Abduli vetëm ngrihemi dhe kontribuojmë secili në mjedisin e tij ku jeton”, thotë Vojnika.
Doktor Arta Vojnika së paku dy herë në vit vjen për t’u takuar me familjarët e afërt të saj, miqtë dhe kolegët, por shton se nuk pendohet për hapin që e ka ndërmarrë. Nuk ka plane për t’u kthyer në Maqedoni tani për tani, por shprehet: “Asnjëherë nuk dihet se ku të dërgon jeta. (Vera Todorovskа/MIA)