“Pjesa më e madhe e njerëzve që nuk kanë një çati mbi kokë, nuk kanë asgjë. Unë kisha futbollin. E dija se isha e aftë në diçka dhe kjo ndjesi e pabesueshme të ndihmon të kalosh gjithçka”. Edhe arratisjen nga shtëpia në moshën 16 vjeç, edhe jetesën me të pastrehë të tjerë, pavarësisht se je pjesë e kombëtares së të rejave të Anglisë.
Kjo është historia e Fara Willimas, që për vite me radhë ka qenë udhëheqësja e padiskutueshme e “Luaneshave” të Phil Neville.
Nuk është grumbulluar për Botërorin, por mbetet një nga futbollistet më të famshme në botë. Ajo ka rrëfyer shumë gjëra për veten në një intervistë të gjatë të dhënë për “The Guardian”, ku ka shpjeguar sesi për shtatë vite ka alternuar rrugën me grumbullimet dhe ndeshjet e luajtura me përfaqësuesen e Madhërisë së Saj.
Fara është larguar nga shtëpia për shkak të disa problemeve familjare, por nuk ka pasur asnjë vend tjetër ku të shkojë. Kështu, ka bërë si ka mundur. Megjithatë, frika e jetesës në rrugë është shumë e madhe. Fatmirësisht, dikush i ka dhënë një këshillë. Të veçantë, por të rëndësishme.
“Nata e parë ka qenë e tmerrshme. Kisha shumë frikë, veçanërisht kur kaloja para të pastrehëve. Më vinte turp. Më pas, një ditë, dikush m’u afrua dhe më tha se mënyra më e mirë për të shmangur shqetësimet nga të tjerët ishte që të bëja si e çmendur”.
“Të bërtisja, në mënyrë që njerëzit të kishin frikë nga unë. Dhe duke bërtitur kam zbuluar vetën”. Gjithsesi, për shtatë vite ajo nuk është kthyer në shtëpi: “Do të kishte qenë një shenjë dobësie, do t’i kisha dhënë të drejtë mamasë sime”.
Ndërkohë, Fara ishte pjesë e të rejave të Anglisë dhe i ka rrëfyer trajneres së kombëtares historinë e jetës së saj. “Hope Powell ka qenë e para që e ka mësuar. Më ka çuar te mamaja e saj, e cila kishte një qendër strehimi. Hope ka qenë si një mama e dytë për mua”.
Për të bërë paqe me atë të vërtetën, është dashur pak më shumë kohë. Në 2009-ën, Fara Willimas ka shënuar në Europian kundër Italisë. Mamaja e saj i ka dërguar një mesazh, por futbollistja nuk e ka lexuar. “Jam penduar”, ka thënë dhjetë vite më pas.
Kur në 2011-ën ka shënuar golin që ka kualifikuar Anglinë në Botëror, është paraqitur një mundësi tjetër. Këtë herë, Fara e ka shfrytëzuar, duke rikuperuar marrëdhënien familjare. Tani, pavarësisht zhgënjimit për grumbullimin e munguar, ajo mbështet shoqet e skuadrës. Dhe u kujton të gjithëve se gjithçka është e mundur, kur je i aftë në diçka.