Në vitet e ’70-a, Jugosllavia e atëhershme socialiste, e ka ekzekutuar një kosovar. E gjitha ndodhi për shkak të një zënke mes tij dhe një serbi. Ky rast, edhe sot thuhet të ketë qenë jo i qartë, pasi dyshohet se zënkën e kishte nisur serbi, e jo kosovari që u dënua me vdekje nga tri shkallët e gjykatave të atëhershme. Ismet Salihu, profesor i të drejtës penale, ka treguar për Gazetën Express detajet e këtij rasti, i cili thotë se ishte mjaft i dyshimtë.
Kodi Penal nuk guxon të ketë dënimin me vdekje. Këtë e ndalon edhe Kushtetuta e Kosovës, por Kosova si shtet i ri që pretendon të hyjë në BE, nuk guxon as ta mendojë ta parashohë në Kod Penal dënimin me vdekje.
Ligji Penal i Jugosllavisë, por edhe ligjet penale të gjashtë republikave të atëhershme socialiste, e kishte të paraparë dënimin me vdekje. Kosova dhe Vojvodina atëherë ishin krahina autonome përbrenda Serbisë, ku gjithashtu vlente dënimi me ekzekutim.
Ky dënim që nga viti 1999 është i ndaluar në Kosovë. Me ardhjen e përfaqësuesit special të Kombeve të Bashkuara të Amerikës, Bernard Kushner, rreptësisht u ndalua të shqiptohet.
Dënimi me vdekje është i ndaluar edhe me Kushtetutën e Kosovës. Neni 25 i saj “E drejta për jetën”, shkruan shkurt dhe qartë se “dënimi me vdekje është i ndaluar”.
Gazeta Express ka biseduar me profesorin e të drejtës penale, njohës i mirë i çështjeve të drejtësisë, i cili ka sqaruar gjithçka rreth dënimit me vdekje, që dikur ka ekzistuar në Kosovë, madje edhe ishte ekzekutuar.
Atëherë, thotë Salihu, është gjuajtur Ligji Penal i Jugosllavisë, dhe e ka pasur të paraparë dënimin me vdekje, mirëpo vetëm për veprat më të rënda penale si vrasjet e rënda dhe krimet e rënda.
“Është interesant sepse, në asnjë vend tjetër të Jugosllavisë atëherë nuk është shqiptuar ky dënim. Në Kosovë po, është një rast”, ka treguar Salihu për Gazetën Express.
Ky rast, ai thotë se ka qenë dubioz, rast i mjegulluar dhe i paqartë.
“Ka ndodhur në vitet diku 1975, ’76 ose ’78”.
Një kosovar nga një fshat i vogël i Vushtrrisë, kishte pasur një zënkë me një serb. Ky i fundit u vra nga kosovari.
“Ka qenë një rast që në zënkë e sipër, një shqiptar e ka vra një serb. U zhvillu procedura penale dhe shkalla e parë, e dytë dhe e tretë, e dënojnë me dënim me vdekje. Ky është i vetmi rast që është dënu dikush me vdekje në Kosovë dhe është ekzekutuar, të tjera raste nuk ka pasur”, ka treguar Salihu.
Edhe në atë kohë, zgjidhja që u dha nga gjykatat ndaj këtij rasti, Salihu thotë se ishte mjaftë e dyshimtë, sepse sipas të gjitha gjasave dhe dyshimeve të atëhershme, serbi kishte qenë ai që e kishte sulmuar shqiptarin dhe më pas, Salihu tha për Express se ky i fundit e ka vra për vetëmbrojtje.
“Ai rast ka qenë mjaft i dyshimtë, sepse sipas të gjitha gjasave, ai serbi e ka sulmu shqiptarin i pari, dhe ky në mbrojtje e sipër e ka vra, por ashtu është marr qëndrim prej Gjykatave. Të dënohet me vdekje”, potencoi Salihu.
Dënimi me vdekje edhe pas luftës ka ekzistuar në Kosovë, por në shtator të 1999, atëherë kur erdhi në vend përfaqësuesi i Kombeve të Bashkuara, Bernard Kushner, ekzekutimi i këtij dënimi u ndalua.
“Bernard Kushner e ka suprimu dënimin. Që nga shtatori i vitit 1999, nuk ekziston më dënimi me vdekje”, tregoi Salihu.
Por, a duhet ta ketë Kosova dënimin me vdekje?
Kodi aktual i Republikës së Kosovës, por edhe Kodi i ri Penal që do të hyjë në fuqi në janar të 2019, si dënim maksimal e sheh dënimin e përjetshëm, por vetëm për vepra jashtëzakonisht të rënda.
Dënimi me vdekje, është në kundërshtim me kriteret e Bashkimit Evropian, por, Salihu tregoi për Express se pas luftës së Kosovës, ka qenë i pajtimit që të mbetet në fuqi dënimi me vdekje për më së paku 10 apo 20 vjet. Por, kjo nuk ndodhi.
E pasi Kosova është shtet i ri që po pretendon të hyjë në Evropë, Kodi i ri Penal është ndërtuar sipas parimeve të Bashkimit Evropian, thotë Salihu.
Në maj të 2018, edhe ministri Abelard Tahiri pati thënë se dënimi me vdekje bie ndesh me rregullat e Bashkimit Evropian dhe se Kosovës nuk i nevojitet një dënim i tillë.
Por, ndryshe është e rregulluar kjo çështje në vendin më mik të Kosovës, në Amerikë.
Edhe pse shumica e shteteve atje e kanë hequr dënimin me vdekje, në disa pjesë të ShBA-së, dënimi me vdekje vazhdon të aplikohet.
Shteti që më së shumti kryen dënime kapitale në SHBA është Teksasi. Sipas sondazheve atje, tregojnë se shumica e teksasve e mbështesin dënimin me vdekje.