Kosovare Asllani e ka një histori të veçantë, si shumica e sportistëve nga Kosova, familjet e të cilëve kishin migruar në vitet e 90-ta jashtë vendit i cili po përballej me fillimin e luftës. Futbollistja kosovare, edhe pse është lindur e rritur në Suedi, nuk i ka harruar asnjëherë rrënjët e saj. E ka bërë tatuazh shqiponjën dykrenore dhe thotë se Kosovën e ka në zemër. Kosovare Asllani e kompletoi dje transferimin në Real Madrid, shkruan Gazeta Express, përcjellë gazeta Koha.
Por, kush është në të vërtetë futbollistja kosovare!
Mediat spanjolle shkruajnë për historinë e futbollistes së lindur dhe të rritur në Suedi, e cila sot është njëra prej futbollisteve më të mira në botë.
Kosovarja është lindur në Suedi në vitin 1988 nga prindër shqiptarë të Kosovës, të cilët kishin migruar në Skandinavi.
“Kjo është Kosovare Asllani, përforcimi i Real Madridit: tatuazhet, familja dhe një histori e tejkaluar”, shkruan në titullin e artikullit të së përditshmes spanjolle “AS”, kushtuar futbollistes kosovare.
Ekipi CD Tacon, i cili nga sezoni 2020/21 do të quhet Real Madridit, e bëri dje përforcimin e parë për sezonin e ardhshëm, duke e sjell futbollisten e deritashme të Linkopingut.
Sulmuesja nga Kosova ishte njëra prej futbollisteve më të përfolura në Kampionatin e fundit Botëror të femrave, i cili u mbajt në Francë së fundmi. Ajo shkëlqeu me Suedinë, me të cilën përfundoi në pozitën e tretë, duke e fituar medaljen e bronztë. Madje, nga mediat e huaja u konsiderua si lojtarja më e mirë e Botërorit.
Në rrjetet sociale ajo e kishte shfaqur gëzimin e madh dhe krenarinë, pasi e kishte realizuar njërën prej ëndrrave të saj. Gjithashtu, krenare u ndie edhe pas zyrtarizimit të transferimit të saj në Real Madrid.
“Jam krenare ta konfirmoj se jam përforcimi i parë zyrtar për Real Madridin /CD Tacon. Jam mjaft e emocionuar ta shkruaj historinë, të ndihmoj në ndërtimin e ekipit të ri dhe të jem pjesë e këtij rrugëtimi të ekipit që nga fillimi. Do të jetë një ëndërr ta vesh fanellën më të bukur në botë duke filluar nga sezoni i ardhshëm. Hala Madrid”, ka shkruar Asllani.
Ajo në të kaluarën ka luajtur me sukses edhe në ekipet si Manchester City dhe Paris Saint-Germain, ndërsa vitet e fundit i kaloi në Suedi, ku luajti me Linkopingun.
Një emër për të mos i harruar rrënjët e saj
Prindërit e Asllanit janë shqiptarë nga Kosova, të cilët kishin migruar në vitin 1988 në Suedi për t’iu shmangur zonës së tensionit dhe për ta kërkuar një jetë më të mirë, pasi në Kosovë lufta veçse po fillonte.
Në atë kohë, futbollistja ishte në barkun e nënës, ndërsa familja udhëtoi drejt veriut të Evropës, më konkretisht në qytetin Kristianstad, një vend i vogël, por i bukur, i ci ka 41 mijë banorë.
Si kuriozitet, qyteti që e prodhon të njohurën vodka “Absolut”, një prej më të konsumuarave në botë. Në mënyrë që vogëlushja të mos e harronte faktin se prej nga i vjen familja, prindërit vendosën që emrin t’ia linin Kosovare, përpara një jete të gjatë që e priste në tokën suedeze. Dhe, kjo funksionoi, pasi Asllani kurrë nuk i harroi rrënjët e saj.
Këtë e konfirmon edhe tatuazhi i saj me shqiponjë dykrenore në këmbën e saj, si homazh dhe përkujtim për simbolin kombëtar të shqiptarëve.
Natyrisht, ajo e vesh fanellën e Suedisë, si mirënjohje për vendin ku u lind dhe u rrit, pasi në kohën kur kishte nisur të luante, Kosova nuk e kishte ekipin e saj kombëtar.
Sigurisht, ky nuk është tatuazhi i vetëm të cilin e posedon futbollistja e re e Real Madridit në trupin e saj.
Përpos shqiponjës, ajo e mban një tatuazh tjetër me një frazë të bukur në dorën e saj, e cila ia kujton që gjithmonë të jetë pozitive.
“Stay strong (qëndro i/e fortë)”, shkruan në tatuazhin e dorës së saj dhe ajo gjithmonë mundohet të qëndrojë e fortë.
Edhe një fakt tjetër se përse ajo nuk e harron vendin e prindërve është fakti se në Lojërat Olimpike “Rio 2016”, ajo kishte pozuar me flamurin shtetëror të Kosovës.
“Fillova ta shkruaja një postim emocional për Kosovën, për familjen time dhe për Suedinë, por përfundova duke e fshirë atë. Por, të jemi të qartë: ky flamur vjen me mua deri në fund. Unë e dua Suedinë. E dua Kosovën. I mbaj të dyja vendet në zemrën time”, kishte shkruar ajo.
Ajo madje kishte festuar me shqiponjë pasi i kishte shënuar gol Ukrainës në kualifikimet e Botërorit.
Ky veprim ishte kritikuar në Suedi, por ajo nuk kishte siguruar se nuk do ta bënte përsëri, me arsyetimin se ndjenjat nuk mund të kontrollohen në disa raste.
Motiv dhe shembull për vajzat tjera
Kosovarën në Suedi e quajnë “Kosse”, ndërsa është një fenomen në vete. Atë e krahasojnë edhe me Zlatan Ibrahimovicin.
Ajo është shembull dhe e përdor imazhin e saj për t’i motivuar vajzat suedeze që t’i ndjekin ëndrrat e tyre dhe që të luftojnë për to.
“Gjithmonë kam luftuar për të gjitha vajzat që kanë origjinë të huaj në Suedi. Ato janë thellë në zemrën time. Pasi unë i kam realizuar ëndrrat e mia, ato po ashtu munden ta bëjnë këtë, me forcë të madhe”, kishte komentuar dikur Kosovarja.
E pasionuar pas udhëtimeve dhe për hokejin në akull
Në kohën e saj të lirë, pas obligimeve që i ka me futbollin, ajo është e dashuruar edhe me hokejin në akull. Ky sport deri tash i ka dhënë shumë kënaqësi dhe gëzim.
Kur ishte 15 vjeçare, ajo e kishte nisur karrierën në Vimmerby, një vend i vogël afër Kristianstad, ku aktualisht gjendet një fushë e futbollit me emrin e saj.
Gjithashtu, Suedia e ka nderuar edhe më shumë, duke e bërë edhe statujë, një gjë që e ka emocionuar shumë futbollisten kosovare, duke e konsideruar këtë si dhuratën më të mirë në jetë.
Përpos që jeton nga futbolli falë rrogës së saj, Asllani ka po ashtu kontrata dhe përfitime nga marketingu.
Coca-Cola, Visa, Kia Motors e Nike janë disa nga firmat që iu bën promocione në Instagram, ku ka më shumë se 150.000 ndjekës.
Në publikimet e saj ka shumë fotografi nga futbolli, por po ashtu ka të tjera nga udhëtimet e ndryshme që i ka realizuar në tërë planetin.
Në pjesën të madhe të rasteve udhëton me shoqet e saj ose me familjen dhe nuk duket se ka ndonjë lidhje. Sipas mediave suedeze, ajo preferon të qëndrojë “single” dhe t’i përkushtohet tërësisht karrierës futbollistike.