Edhe dikur, në gazeta e revista mund jenë përvjedhur gabime, por jo si tash kur lektorët janë dorëzuar para trendeve moderne të vetëshkatërrimit të gjuhës sonë nga vetë bijtë e shqipes! Prandaj, licencimi i paralajmëruar i lektorëve të gjuhës shqipe në Maqedoni, do të rriste kompetencën e tyre dhe njëkohësisht do të ishte një parakusht për mbrojtjen e gjuhës, sepse kaherë është ndezur alarmi të cilin nuk e dëgjojnë institucionet shtetërore e gjuhësore në shtetet shqiptare
Nga Daut DAUTI
Javën e kaluar shkrova për hirësinë e tij, përkthyesin. Atë personin nën hije të ngjarjeve midis “të mëdhenjve” që vendosin për fatin e njerëzve dhe të shteteve. Solla ca episode që më ishin fiksuar në kujtesë, por gjithsesi u lanë të pa shkruara edhe shumë të tjera episode të ditura e të paditura. Ajo që dha shkas për këtë, episodi i fundit e Ohrit (takimi Zaev-Rama), nga ç’mësova në mënyrë interne, kishte qenë rezultat i ca rrethanave të pavolitshme dhe të pavullnetshme, edhe si rezultat edhe i faktorit njeri(lodhje, shpërqendrim çasti…). Më vjen mirë që nga shkrimi im u gjet i thirrur të sqarojë edhe pjesëmarrësi i asaj episodës tjetër po nga Ohri, takimi Gligorov-Berisha i vitit 1992, me një gabim në përkthim, i cili ua pat ndërruar kuptimin fjalëve të Berishës. Nga këndvështrimi i tij, nuk ka qenë i atyre përmasave siç e kam paraqitur unë, por kjo mbetet çështje perceptimi. Për atë rast të para tri dekadash, “Flaka e vëllazërimit” kishte shkruar me një reagim dhe kësaj radhe e solla për lexuesit vetëm për të treguar për përgjegjësinë që ka një person, të cilit i jepet kjo detyrë, e cila ndonjëherë përshkohet edhe me ndonjë lëshim.
Ajo që mbeti pa thënë për përkthyesit zyrtarë, por dhe për përkthyesit në përgjithësi, në një fushëveprim më të gjerë, të cilëve ligji për përdorimin e gjuhëve i ka ngarkuar me përgjegjësi jo vetëm në komunikimin diplomatik, por dhe në punën e përditshme, janë përkthyesit në administratë gjithnjë e më shumë në numër, sepse ligjet dhe shumë dokumente duhet të kalojnë nëpërmjet duarve të tyre. Dhe këtu do t’i vë pikë kësaj teme, duke përkrahur një ide, nëse ndërkohë nuk është shndërruar në iniciativë, të drejtorit të Agjencisë për Zbatimin e Gjuhëve, Ylber Selës, që kësaj kategorie t’i njihet një status më i lartë, e jo vetëm i një administratori të thjeshtë. Kjo gjë, jo vetëm që do të rriste motivacionin për shumëkënd që të bëhet përkthyes, por dhe do të shtonte motivin për një kreativitet më të madh seç e kanë shumë përkthyes “zori”, të cilët në administratë janë futur sa për të siguruar një rrogë. Por ajo rrogë u del për hunde nga vëllimi i madh i angazhimit të përditshëm, që nuk ka satisfaksion material, falë edhe jokompetencës ose mungesës së përvojës te shumë prej tyre. Shoqëria duhet patjetër ta valorizojë më lartë mundin e një përkthyesi, ta motivojë atë dhe kur të jetë nevoja për ndonjë takim të ri Rama -Zaev, ose Zaev – Kurti…, të jetë i motivuar në çdo pikëpamje, prandaj dhe ideja e drejtorit të Agjencisë për Zbatimin e Gjuhës duhet të merret seriozisht dhe të shndërrohet në një projekt ligjor që përkthyesve t’u ngritët statusi…
Pas këtyre tri pikave, t’i kthehemi temës së këtij shkrimi, kategorisë tjetër që janë në vijën e frontit të përdorimit të gjuhëve, ndoshta në të dytën, pas përkthyesve, por tek të cilët është bie pesha e kreativitetit, e përdorimit të gjuhëve:lektorët. Sepse pasaktësitë që mund t’i bëjnë përkthyesit, duhet t’i korrigjojnë lektorët. Në dallim nga përkthyesit, të cilët nëpër institucione, sidomos në ato të pushtetit lokal, kanë qenë të pranishëm shumë më herët, lektorët tek tash kanë nisur ta fitojnë vendin e tyre të merituar, sepse në çdo institucion të shtetit, do të duhej të kishte lektorë si për maqedonishten, si për shqipen.
Lektorët për shqipen, deri tash, edhe më tutje, për ndonjë kohë, do të kenë ende “status të egër”. Sepse, nëse botoni një vepër në gjuhën maqedonishte, nuk mund të nënshkruhet kushdo si lektor, por vetëm ata që janë “të licencuar”! Nëse botoni vepër në gjuhën shqipe, kurrkujt kurrgjë, mund të nënshkruhet kushdo si lektor, si në rastin e një vepre të një autori, ku çdo të dytës fjalë i mungonte ndonjë “ë”, ose në çdo të tretën i ishte shtuar pa nevojë! Dhe kur e pyeta, mirë, koleg, a e ka “kaluar” përnjëmend lektori, apo vetëm e ke vënë emrin e tij, nuk e kuptova a ma tha të vërtetën. S’dua t’i hyj ndër hak atij që ishte nënshkruar, po ashtu koleg si ky tjetri, nuk e kuptova a ishte vënë emri sa për formalitet kundrejt obligimit ligjor për të pasur një lektor aty, apo lektori i nënshkruar kishte bërë harakiri me tekstin, me mosnjohjen e gjuhës nga ana e tij!
Por një përvojë personale me punën e lekturës e përshfaqi paradoksin e situatës. Kur djali kishte përgatitur temën e magjistraturës, iu kërkua me të drejtë që ta japë në lekturë te ndonjë lektor i autorizuar për gjuhën shqipe. Por, pastaj pamë që kjo kategori nuk ekzistonte fare! Sepse për gjuhën shqipe deri tash, as ka qenë imperativ ligjor për të krijuar, e as ka pas “lektorë të autorizuar” dhe ajo që “zgjidhi” problemin tonë ad-hok, ishte që detyrën e lektorit, formalisht”e mbuloi” përkthyesi i autorizuar! Sepse ai kishte vulë! Përkthyesi, me gjithë aftësitë dhe kreativitetin që mund të ketë, s’mund të marrë rolin e lektorit. Nga ana tjetër, shumë njohës të mirë të gjuhës që mund ta luajnë rolin e lektorit me sukses, nuk e kanë ‘licencën”!
Ajo që është e re, dhe prapë vjen si iniciativë nga Agjencia për Zbatimin e Gjuhës në bashkëpunim me Ministrinë e Kulturës, është pikërisht “licencimi” i lektorëve të gjuhës shqipe, me çka në këtë pikë shqipja do të barazohet me maqedonishten…(Vetëm se kisha apeluar edhe te Agjencia edhe te Ministria,që ai trup i përbashkët që do të ndajë licenca, të mos shndërrohet në ndonjë improvizim të ri, por të përbëhet nga kuadro kompetente që do të dinë të vlerësojnë aftësitë e kandidatëve për lektorë dhe se nuk do t’u jepet atyre që “ë”-në nuk e vënë ku duhet, e venë ku s’duhet, atyre që nuk dijnë kur folja është në kohën e kaluar apo në vetë të parë ose të tretë, që nuk dijnëkur mbiemrat dallohen në njëjës e shumës, si lakohen e shquhen emrat, as atyre që nuk e njohin sintaksën e shqipes dhe që nuk i hetojnë ndikimet e gjuhëve të tjera…
Por, kur jemi te puna e lektorëve, edhe kështu siç është tash, të palicencuar, është se edhe atje ku ata janë të angazhuar, si në media, zëri i tyre nuk dëgjohet dhe ua kanë marrë krahun shkruesit dhe folësit amatorë që krijojnë rregulla të reja, siç është trendi marramendës vetëshkatërrues i mos-lakimit të emrave në rasa, apo mos-shquarjes së tyre. Kjo dukuri, bie fjala, ta neverit edhe këtë Kampionat Evropian në futboll, kur raportuesi televizivë të thotë se kundërshtari avancoi me “autogolin e Humels”, ose “skuadra e Joakim Lëv”, “Rahim Sterling ia dha topin Kejn”… Dhe nëse do t’i pyesje se pse veprojnë kështu, sigurisht do të kishin marrë pretekst se kështu bëhet në Shqipëri (s’kanë faj, te Opinioni i Klanit, kishim një intervistë me Preç Zogajn, titulluar: RRËFIM I RRALLË I PREÇ ZOGAJ”, që është vetëm një pikë në oqeanin e veprimeve të ngjashme në media!!!). Por, çdo gjë që fluturon nga Shqipëria, nuk hahet, o kolegë! (Për këtë së shpejti një analizë më e gjerë te revista “Shenja”) Shihni ato rregulla gjuhësore. Dëgjoni pak lektorët që i keni lënë në margjina, mund të jenë pak më kompetentë se ju sa i përket gjuhës, nëse edhe ata s’janë bërë viktimë e këtyre trendeve…
Në të vërtetë, statusi i lektorit në media është sipas asaj shprehjes që ka lindur paksa me shumë boshllëk kuptimor, “vlen për t’u dëshiruar”, si një tagër i kushteve të tregut. Media, po flas për ato pak të shkruara që dalin, a i lejojnë luksin të kenë lektorë? Nëse po, a i kanë në numër të duhur dhe a janë ata mjaftueshëm kompetentë, ose nëse janë, a janë edhe ata mjaftueshëm këmbëngulës në imponimin e kompetencës së tyre? Një lektor i mirëfilltë, do të duhej t’i dinte në gishta rregullat gjuhësore dhe kur të shihte diku se si “Bajden është takuar me Merkel”, se “Ben Aflek është ribashkuar me Xhenifer Lopez”, ose madje me devijimin e përmasave epike të kalimit ë sëmundjes edhe te emrat shqiptarë, si psh. “Ledri Vula nuk flet me Mozzik”…, t’u thotë gazetarëve ose redaktorëve, dale, kjo nuk është në frymën e gjuhës shqipe, por bastardim…Dikur në “Flakë” kishim 4-5 lektorë, dhe nuk mund të botohej tekst në gazetë pa “shkarravinat” e tyre mbi to. Por si duket tash, edhe është zvogëluar numri por dhe autoriteti i lektorëve, nuk ke ndoshta më të përkushtuar dhe të përpiktë si një Liljana Meshiq, Shemsedin Ibrahimi, Ajtene Ibrahimi apo si një Eshref Aliu, Naxhi Osmani, Halil Zendeli (para se të bëheshin gazetarë a redaktorë), Bedri Sadiku a Ilir Ajdini (para se të bëheshin gazetarë), Vebi Kadriu(para se të bëhej profesor në Akademinë Pedagogjike) e të ndonjë tjetri, që do t’i bënin sytë katër në çdo tekst. Edhe atëherë mund të jenë përvjedhur gabime, por jo si tash, kur lektorët janë dorëzuar para trendeve moderne të vetëshkatërrimit të gjuhës sonë nga bijtë e shqipes!
Prandaj, vetë licencimi i lektorëve të gjuhës shqipe këtu në Maqedoni, padyshim do të jetë faktori që do të rriste kompetencën e tyre dhe do të ishte një nxitje për mbrojtjen e gjuhës. Por, gjuha duhet të mbrohet te burimi, ndaj kaherë është ndezur alarmi për institucionet shtetërore e gjuhësore në Shqipëri e Kosovë, për të ndërmarrë diçka që do t’ia ndalte hovin degradimit dhe të marrin si shembull Maqedoninë, qoftë për mbrojtjen e privilegjuar të deritashme të gjuhës maqedonase, qoftë për ngritjen e autoritetit të gjuhës shqipe, siç tha profesori nga Tirana, Rami Memushaj në TV 21, me ligjin për përdorimin e gjuhëve, qoftë me rolin e Agjencisë për Zbatimin e Gjuhëve, qoftë me atë të Inspektoratit të Gjuhëve…
Por, kompetencën e lektorit nuk mund ta zëvendësojë asgjë, baza ligjore vetëm se duhet të lartësojë edhe më shumë rolin dhe statusin e tij.
(Autori është kolumnist i rregullt i gazetës KOHA)