Hiperinformacioni mbi virusin në dëm të shëndetit publik

311

Në çështjet shëndetësore siç është virusi, që të gjendet gjuha e përbashkët ndërmjet të sëmurit dhe mjekut, që fjalët e përdorura të bartin një minimum mesazhi, është i nevojshëm informimi me vërtetësi i publikut dhe jo atë çfarë përcakton tregu: ”mbingarkesë informacioni” dhe ”më shumë informata, më pak dije”

Nga Emir HAMZAI

Prirjet e medias javëve të fundit në lidhje me pandeminë Covid19 janë që ndikimi i saj të zgjerohet ‘jashtë’ kufijve dhe jo të mbetet roli në një kuptim të kufizuar, për sa kohë e ka audiencën për synim. Nuk do të ndalem shumë në definimin se çfarë është media, por sipas një fraze të njohur të mendimtarit kanadez të komunikimit, Marshall McLuhan, “media është mesazhi”! Në komunikim gjuhësor, mesazhi përvetësohet nga marrësi dhe dhënësi, ndryshe mesazhi pa këto kushte nuk arrihet. Sot të gjithë kemi një mesazh, apo sipas McLuhan, sot të gjithë jemi medium dhe nuk privohet askush nga mos të qenurit e kundërta e saj. Me fjalë të tjera, çdonjëri mund të thotë diçka nëpërmjet kanaleve të ndryshme të komunikimit. Shqetësimet e ngritura nga sociologët e medias nuk janë pse secili ka mundësinë për të qenë medium, por për “mbingarkesë informacioni” nga mediumi. Akademiku Artan Fuga në librin e tij “Rrota e mundimit” thotë se shoqëria jonë jeton në kohë të medias/informacionit, por jo edhe në një shoqëri të së vërtetës. Për rrjedhojë, sipas Fugës, ne informohemi shumë, por çdo ditë e më pak dijmë, ose jepet më shumë informacion se sa duhet.

Mbingarkesa e informacionit, sipas Naom Chomsky-t shpie në ‘syrgjinosjen’ e realitetit. Si kurrë më parë nuk kemi pasur kaq shumë informacion rreth Coronavirus-it, por kurrë më shumë nuk kemi qenë kaotik dhe të padijshëm. Jo se kemi mungesë të informacionit, por kemi më shume se sa duhet. Mbingarkesa e informacionit është një problem në rritje në ‘jetën’ mediatike, ashtu edhe në jetën në përgjithësi. Sasia e informacionit është kaq e madhe sa një person nuk është në gjendje ta përpunojë apo tejkalon kapacitetin e audiencës dhe për pasojë ai nuk e përdorë në mënyrë efektive atë.

Në Amerikë një pjesë e konsiderueshme e njerëzve vuajnë nga obeziteti (mbipesha), krahas asaj që ka emisione se si të ushqehesh shëndetshëm, ligjërata nga nutricionistë për ushqimet dietale dhe bio e deri te mënyra se si duhet ushqyer. Ka aq shumë emisione dhe qendra këshillimi, por përkundrazi sipas Alvin Toffler, mbingarkesa e informacionit e ka bërë shikuesin, dëgjuesin, lexuesin të painteresuar dhe të pakëndshëm. Një histori tjetër tregohet nga Umberto Eco në librin e tij “Si të udhëtosh me një salmon”. Në një kopsht zoologjik në New York, disa djem të vegjël kanë qenë duke lozur pranë vaskës së arinjve të bardhë, duke e tallur dhe bezisur, për një moment ariu i sulmon dhe i copëton fëmijët. Interpretimi i shoqërisë mund të jetë se kanë qenë fëmijë me një edukim të pamjaftueshëm, por sipas Eco-s, fëmijët që janë llokoçitur rreth arinjve, kanë qenë të informuar gabimisht, se kafshët (ariu i bardhe në këtë rast), janë teper babaxhan, të dashura dhe besnike. Fëmijët vdiqën jo prej mungesës së edukimit apo informacionit, por prej teprisë së tij. Ata ishin viktima pikërisht të ndërgjegjes së dështuar të prindërve dhe mënyrës se si projektohen kafshët në filma vizatimorë dhe reklama.

Në rastin e Covid19 se si media dhe njerëzit me ndikim e trajtojnë virusin, çon në të kundërtën e të informuarit. Njeriu përveç se bëhet i painteresuar dhe nuk çan kokën fare për masat e qeverisë, ai vepron të kundërtën. Bindja për të mos i respektuar masat dhe për ta bërë situatën joserioze, është pikërisht devalvimi i debateve mjekësore në rrjetet sociale, informacione që mjegullojnë më shume se sa qartësojnë. Informacioni mjekësor duhet të jetë me masë dhe jo çdo debat akademik brenda komunitetit mjekësor t’i shërbehet audiencës së zakonshme, gjë që nuk janë detyrimisht të domosdoshme. Ndryshe në disa shtete evropiane mbingarkesa e informacionit, në lidhje me epilogun e sëmundjes, ka çuar në rritjen e shkallës së depresionit, por edhe deri në vetëvrasje. Mbingarkesa e informacionit në këtë kontekst e ka bërë të vështirë kuptimin dhe në mënyrë efektive për të marrë vendime. Siç thash, informacioni i tepërt dhe pa synim e syrgjynos realitetin për pandeminë. Opinioni po ashtu nuk duhet të mbetet as i varfër rreth realitetit, por të ketë ‘tepri relative’ të informacionit. Në fund të fundit qëllimi i komunikimit mjekësor është për të marrë pjesë në betejën për shëndetin. Informacioni mjekësor dhe dijet janë armët kryesore në këtë betejë, por duhet ta kemi parasysh atë çfarë thotë Bensaid. Ajo çfarë e përbën vlerën e aktit mjekësor, nuk janë mjetet apo aftësia e tij, por akti intelektual, i cili bazën e veprimit në opinion e ndërton nga një sasi informacionesh që duhet të jepen e disa të reduktohen. Paramendoni te sëmurët nga Covid19 apo të afërmit e tyre, do t’u binden instruksioneve dhe masave, por jo për një kohë të gjatë, sepse jo se personi nuk e ka kuptuar rrezikun, por mjaft nga nocionet dhe terminologjitë, mund t’i mos ketë marrë vesh. Thirrjet për ndalesa që kërkohen nga mjekët dhe shteti, perceptohen më shumë si autoritare, acaron ndjenjat në vend që t’i qetësojë, pasi ky ndalim nuk mbështetet në njohuri të sigurta dhe nuk është serioz; pse në një shtet nuk zbatohet ndalimi dhe në një tjetër po. Media së bashku me autoritetin e shëndetësisë duhet ta kenë parasysh se jo çdo çështje duhet të ketë funksion shpjegues, por edhe nëse ka shpjegime, këtë herë të kursejnë opinionin, në mos këtë, atëherë të qartësojnë gjërat dhe jo të bëjnë vëllimin e informatës.

Sigurisht ardhja e teknologjisë moderne ka qenë nxitës kryesor i mbingarkesës së informacionit në fronte të shumta: në sasinë e prodhuar, konkurrencës, lehtësia e shpërndarjes dhe gjerësia e audiencës së arritur, duke e realizuar atë që thotë Fromm ”prodhim-konsumim”. Andaj, media nëse dëshiron që të arrihet komunikimi mjekësor, gjegjësisht të parandalohet sëmundja, ajo duhet të dijë ta përdorë mirë informacionin, ku çfarëdo shfrytëzimi – opinionit të mos i bëjë dëm dhe kështu do të rritet morali i medias dhe besimi ndaj saj, rikthimi i mjekësisë humane dhe shoqëria do të mund t’i vlerësonte gjërat më mirë. Në çështjet shëndetësore siç është virusi, që të gjendet gjuha e përbashkët ndërmjet të sëmurit dhe mjekut, që fjalët e përdorura të bartin një minimum mesazhi, është i nevojshëm informimi me vërtetësi i publikut dhe jo atë çfarë përcakton tregu: ”mbingarkesë informacioni” dhe ”më shumë informata, më pak dije”. (koha.mk)

(Autori është gazetar i medias online)

Comments are closed.