Hillari Clinton mund të rikandidojë për presidente e SHBA përballë Donald Trump. Ish kandidatja për presidente e pranoi gjatë një interviste radiofonike për BBC, pasi siç tha ka marrë kërkesa të shumta për të kandiduar më 2020-ën.
Hillayi Clinton duket se po i rikthehet ëndrrës së parealizuar: të bëhet presidente e SHBA. Ndërsa në Kongres ka nisur një hetim i ri ndaj Donald Trump për çështjen e Ukrainës, ish kandidatja për presidente që humbi në zgjedhjet e kaluara përballë Trump nuk duket totalisht e bindur nëse nuk do rikandidojë kundër Trump në zgjedhjet e 2020-ës.
Gjatë një interviste radiofonike për BBC, Hilary Clinton tha se ka kërkesa të shumta që ajo të kandidojë përsëri në emër të demokratëve përballë Trump.
“Siç them unë, kurrë, kurrë, kurrë mos thuaj kurrë. Jam në trysni të madhe nga shumë njerëz për t’a shqyrtuar këtë ide, por në këtë moment që jam ulur këtu në këtë studio, kjo nuk është absolutisht pjesë e planeve të mia”, u shpreh ish-kandidatja për presidente e SHBA.
72-vjeçarja, ish-Sekretare e Shtetit, të cilën Tramp e mundi me një diferencë të ngushtë në zgjedhjet e 2016-ës, thotë se kushdo që të fitojë në zgjedhjet vitit të ardhshëm, ka një detyrë të rëndësishme, të zhbëjë gabimet e rënda të bëra nga administrata aktuale.
Gara për kandidaturën e demokratëve ka nisur dhe po zhvillohet mes 17 kandidatëve kryesorë, në krye të të cilëve është Joe Biden. Edhe nëse vendos të kandidojë tani, Clinton do ta ketë të vështirë fitoren, pasi disa prej shteteve federale e kanë mbyllur regjistrimin për zgjedhjet paraprake, ku garojnë mes njëri-tjetrit kandidatët e partive të mëdha./abcnews