Hill: Ballkani ka vemendjen e administratës Trump, kujdes shkëmbimin e territoreve

Kristofer Hill ish diplomat i lartë amerikan dhe një nga njohësit më të mirë të Ballkanit në Departamentin Amerikan të Shtetit, i ka dhënë një intervistë për RTSH-n lidhur me zhvillimet e fundit në marrëdhëniet Shqipëri BE, por edhe zhvilimeve në rajon. Zoti Hill thotë se nuk duhet demoralizim pas jo-së të pak ditëve më parë në Këshillin Europian, transmeton KOHA.

Po natyrisht që ishte e pakëndëshme ajo jo, askush nuk e pëlqeu dhe padyshim që ka një frustrim nga ana juaj, por mendoj se ajo që duhet të bëjë Shqipëria në këtë moment është të mbledhë veten dhe të vijojë të ecë përpara. Sepse nuk i dihet. Mund të ketë një iniciativë nga ana e politikës suaj dhe gjithçka mund të lëvizë shpejt në drejtim të Bashkimit Europian.

Sipas zotit Hill kjo jo është një pasqyrë e situatës së brendshme të Unionit, sidomos prej Brexit.

Jam shumë dakord me ju, Ballkani është gjithmonë i ekspozuar ndaj tyre, por ne si amerikanë ndaj jemi të pakënaqur me këtë vendim, Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk janë anëtare të BE kështu që nuk mund të diktojmë ne atyre se kë të antarësojnë në Union. Megjithatë ne e dallojmë se një numër i konsiderueshëm vendesh antare ishin për çeljen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.

Por shikoni, ka patur shumë gjëra të çuditshme së fundi në Bashkimin Europian, Brexit-i një dramë pa fund, pastaj sërish Brexit dhe përsëri një dramë më vete. Kështu që nuk jam i surprizuar nga këto ndodhi, ndaj them që nuk është me çështja se çfarë ndodhi, por si ta menaxhosh atë që ndodhi dhe ndaj kam shpresë se Shqipëria do të vijojë të punojë në këtë çështje.

Ish ambasadori amerikan në Maqedoni, Bosnje dhe i dërguar special për Kosovën e di mire se Ballkani është i lakmuar nga të gjithë dhe gjithmonë.

Shikoni gjithmonë Ballkani ka qenë i një rëndësie të veçantë strategjike, që në kohën e Romës së lashtë, luftën e ftohtë dhe tani, prandaj them se është pjesë e rëndësishme e Europës, ndaj nuk mund të flasim për një Europë si të tërë të lirë deri sa Ballkani nuk është pjesë pra detyra nuk është kryer ende. Por unë jam i bindur në një sens historik se kjo do të bëhet, ndërsa ajo që unë nuk dua të dëgjoj janë disa qaravitje franceze që nuk i ndihmojnë aspak situatës, por dua të dëgjoj njerëzit që e kapin situatën dhe thonë le të ecim përpara.

20 vjet pas Rambujesë zoti Hill është mjaft i kënaqur me përparimin e bërë në Kosovë prej shtetit të ri.

Dëgjoni, Rambujeja ishte shumë e vështirë, vërtetë shumë e vështirë. Nga një anë kosovarët që pranuan ofertën për autonomi, serbët që nuk e firmosën, patëm luftë, hodhëm bomba, patëm refugjatë të shumtë. Situatë shumë e vështirë. Por tani jam i kënaqur me progresin e bërë. Mbi 100 vende e njohin Kosovën, por është e qartë se ka ende punë për tu bërë dhe patjetër që një element kyç do të jetë një marrëveshje e çfardoshme e arritur me Serbinë. E di që kjo nuk do të jetë e lehtë, e di edhe që për një pjesë njerëzish është vetëm një shkëmbimi vogël territoresh, por unë e di që në Ballkan nuk ka një gjë të vogël, asgjë nuk është e vogël sidomos një shkëmbim teritoresh në Ballkan mund të kthehet në një problem të madh, por shpresoj shumë te një mirëkuptim se kjo do të jetë në të mirën e Kosovës dhe natyrisht edhe të Serbisë.

Por ai nuk e di nëse një marrëveshje finale me Serbinë do të lehtësohet nga dyshja Grenell Palmer.

Nuk e di, vërtetë nuk e di sepse ne nuk kishim një të dërguar special për Kosovën dhe krejt papritur kemi dy të tillë dhe realisht nuk mund ta di se si do të shkojë dhe do të funksionojë kjo gjë, madje ajo që nuk kuptoj më shumë është se pse po punon ambasadori i SHBA në Gjermani për këtë çështje, mos ndoshta i kreu ai të gjitha detyrat e tij diplomatike në këtë vend dhe ka kohë për të kaluar këtu? Nuk e di vërtetë nuk e di. Ajo që unë di është se duhet të jemi optimistë për këtë gjë, sepse këto janë shenja të qarta se administrata Trump kujdeset për Ballkanin dhe nëse kjo është e vërtetë është një gjë e mirë.

Zoti Kristofer Hill merr në mbrojtje në një farë mënyre edhe kandidatin për kryeministër në Kosovë zotin Albin Kurtin kur thotë se marrëveshja nuk mund të jetë një çështje mes dy politikanëve, por nuk harron të paralajmërojë për shkëmbimin e territoreve.

Kjo do të jetë dhe më e vështirë, ndaj do i kthehem dhe njëherë çështjes së këmbimit të territoreve. Akti Final i Helsinkit në 1975 i parashikon këto këmbime territoresh, nuk janë të jashtëligjshme, ekzistojnë, por nuk sjellin zgjidhje të lehta. Ndaj duhet të mendoheni mirë se nuk janë gjëra që mund të bëhen mes dy burrash, dy politikanë pasi kanë ngrënë një darkë dhe kanë një hartë përpara dhe po vizatojnë një të rë, janë gjëra serioze që nuk bëhen dot po nuk patën një mbështetje të fortë. Ndaj këshilla ime është që të jenë të kujdesshëm me këmbimin e territoreve, sepse këmbim i territoreve bën histori dhe mos harroni se historia në këto anë të botës mund të jetë mjaft e ashpër.