Ambasadori amerikan në Beograd, Christopher Hill, ka thënë se Asociacioni i komunave me shumicë serbe në Kosovë do të formohet në përputhje me marrëveshjet e Brukselit dhe se dizajnimi i tij do të definohet nga dy palët në dialog.
“Asociacioni ka qenë pjesë e dialogut të Brukselit që nga viti 2013 dhe duhet të formohet ashtu që komuniteti serb, para së gjithash në Mitrovicë të Veriut, të shohin se si do të jetë e ardhmja. Mendoj se tash për tash janë duke parë në modelet që janë në përputhje me standardet evropiane”, ka thënë Hill të enjten për “TV Pink”.
I pyetur për afatet kohore për formimin e Asociacionit, Hilli ka thënë se “nuk mund të flasë për afate kaq të shkurtra” se nëse kjo do të bëhet para zgjedhjeve lokale në katër komunat e veriut. Ai ka shtuar se emisari special amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, “ka përmendur periudha më afatgjata dhe se gjithçka mund të ambalazhohet deri në fund të vitit 2023”.
“Por mendoj se duhet të përpiqemi të lëvizim shpejt, të sigurohemi që interesat e komunitetit serb të respektohen”, ka thënë Hilli. Pajtimin e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në Ohër të Maqedonisë së Veriut më 18 mars për aneksin e zbatimit të marrëveshjes për normalizim raportesh, Hilli e ka kualifikuar si “shumë të suksesshme”.
“Mendoj se kanë bërë progres. Do të doja të shihja më shumë gjëra konkrete, por mendoj se jemi duke lëvizur qartë drejt implementimit të procesit të dialogut. Shumë punë duhen bërë, sidomos në artikulimin se si do të duket Asociacioni, që është çështje kyçe”, ka shtuar ai.
Sipas Hillit, ka bisedime për të organizuar së shpejti një takim të ri Kurti-Vuçiq. Ai ka thënë se kjo do të ishte mundësi “për të sqaruar disa gjëra”. Kosova dhe Serbia kanë arritur marrëveshje për Asociacionin më 2013 dhe më pas më 2015 mbi parimet për themelimin e tij. Po më 2015, Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka gjetur se marrëveshja nuk është në harmoni të plotë me Kushtetutën.