Ka mbaruar në mjekësi, por letërsia i mbetet gjithnjë për zemër, pasi deri më tani ka botuar dy libra. Hiljana Biba në një bisedë për InfraRed të gazetës KOHA tregon pasionin e saj të madh për të shkruar, si ka nisur kjo rrugë dhe si vazhdon të kultivojë atë. E ka nisur që në moshë të re si hobi dhe vazhdon më tej…
Bisedoi: Blerand REXHEPI
KOHA: Kur e pushtoi shpirtin tuaj pasioni për poezinë?
Kam filluar të shkruaj rreth moshës dymbëdhjetë vjeçare, por botimin e parë “Më quajnë Xhulia” zyrtarisht para dy vitesh e publikova në një platformë online të quajtur Booksie, pra tetëmbëdhjetë vjeç.
KOHA: Konsideroni se bashkë me ju lindi edhe mbretëresha e artit letrar, do të imagjinoni veten sot pa poezinë?
Për të qenë e sinqertë, shkrimi zë volum te unë, por vetëm te periudha të caktuara, si për shembull gjatë pushimeve verore. Për shkak të angazhimeve në studimet një plan i përditshëm për të hartuar jo gjithnjë më mundësohet. Por sigurisht sa herë që gjejë mundësinë nuk hezitoj të shkruaj, qoftë edhe diçka të cilën nuk e kam në plan ta publikoj.
KOHA: Lëvrimet tuaja krijuese nuk janë të një dimensioni, trajtoni poezinë dhe prozën, na tërhiqni një diagonale, ku e gjen komoditetin krijues?
Më pëlqen shumë proza, do të thosha se poezia dhe për ta lexuar nuk më tërheq shumë. Nuk e di nga vjen kjo. Ndoshta ngaqë në letërsi në fillore të mësuarit përmendësh vjersha të autorëve të ndryshëm më është dukur gjithnjë një iniciativë jo frytdhënëse.
KOHA: Cila është enigma e artit tuaj, që t’i tërheqë lexuesit për ta përjetuar si një nga lulet më të bukura në kopshtin artistik?
Mendoj se deri tani ka qenë mënyra që unë kam gjetur për të servirur punën time te ta dhe gjithnjë ka qenë e paqëllimshme. Si përmenda më parë botimi im i parë u bë online në një platformë ku mori ekskluzivitetin si vepra e parë shqiptare e shkruar aty. Ndërsa botimi im i dytë vetëm pak më herët “Tri ditë dhe dy net” është një libër autobiografik që trajton tema sociale dhe psikologjike boll të prekshme në moshën time e jo vetëm.
KOHA: Veç pasionit për artin, jeni edhe gazetare. Sa e plotësojnë te ju njëra – tjetrën?
Veç për të shkruar më pëlqen të pikturoj shumë, kohë më parë kam realizuar dhe disa filma me metrazh të mesëm dhe të shkurtër, por për këtë të fundit u bë pak kohë që nuk prodhoj diçka të re. E plotësojnë njëra-tjetrën shumë mirë do thosha. Piktura vizualisht bashkë me filmat, ndërsa shkrimi oratorisht.
KOHA: Kontributi juaj është në disa rrafshe, në atë krijues dhe mediatik. E shihni veten edhe në diplomaci, meqë studioni në këtë fushë?
Studimet e mia janë për mjekësi dhe mendoj se kjo është fusha ku unë do të profesionalizohem, gjithnjë duke u përpjekur të ruaj dhe dimension tim artistik. Për shembull libri i fundit u ndërthur shumë bukur me ngjarje nga universiteti apo praktikat e mia akademike.
KOHA: Çka e bënë Hiljanën komode dhe çka e bënë të irritohet kur shkruan, por edhe kur lexon nga të tjerët?
Komode më bën privatësia dhe më irriton zhurma ose kur dikush më vëzhgon. Këtë të fundit e kam problem jo vetëm kur shkruaj, por zakonisht kur realizoj çdo lloj aktiviteti tjetër.
KOHA: Librat tuaj a kanë ndonjë proces, na duhet akoma kohë të pyesim nëpër librari?
Libri “Më quajnë Xhulia” lexohet në booksie pa pagese, mjafton të kërkosh në Google. Ndërsa “Tri ditë dhe dy net” gjendet në një pjesë të mirë të librarive në Tiranë.
KOHA: Opinioni juaj: kemi mjaft botues, ankohemi për lexues. A u ofrojmë kënaqësinë e duhur lexuesve?
Ka vend për përmirësime, por edhe shumë keq nuk jemi. Të paktën deri tani unë jam e kënaqur. Do thosha se dhe botimi nuk është një proces shumë i lehtë, njëlloj si ai i të ndërmarurit nga publiku iniciativën për ta lexuar. Gjithsesi mendoj se e rëndësishme është që fillimisht të shkruash pastërsisht dhe me origjinalitet, zhanret mbeten preferencial.
KOHA: Sa gjen kohë Hiljana t’i përkushtohet rrethit të saj familjar dhe shoqëror, përveç angazhimeve që ka?
Për shoqërinë ndoshta jo shumë. Nuk shquhem për ndonjë rreth të madh shoqërorë, do thoja se është fare i vogël. Ndërsa për familjen gjithnjë mbetet prioritet.
KOHA: Ku i shihni ju efektet dhe defektet në media?
Deri më tani media ka qenë krahu im i djathtë në çdo promovim dhe projekt. Më ka vlerësuar dhe unë e kam falënderuar. Më tej, perfeksioni nuk ekziston në asnjë fushë.
KOHA: Sa njihesh dhe sa keni lexuar nga krijimtaria shqipe jashtë shtetit amë?
Paradoksialisht një njohje jashtë vendit ma ka dhënë “Më quajnë Xhulia” duke qene se është publikuar në një platformë të huaj, edhe pse lexuesit e huaj nuk kanë kuptuar asnjë fjalë sepse ai është i shkruar shqip. Megjithatë, duke qenë se ka marrë dy çmime ari për lexueshmëri të lartë, kjo renditje më ka krijuar njohje me autorë dhe lexues të huaj.
KOHA: Si një personalitet me perspektivë, cila do të ishte porosia e juaj për të gjithë lexuesit tuaj dhe tanë?
Të provojnë çdo ditë mundësi të reja për të realizuar ëndrrat e tyre, mos të dorëzohen nga vështirësitë që rrugës i dalin dhe të jetojnë me pozitivitet.