Hil Mosi zhvilloi një aktivitet të shquar në fushën e organizimit të lëvizjes sonë kombëtare para pavarësisë dhe u shqua gjithashtu deri në vendosjen e regjimit reaksionar monarkik.
Në veprën e tij, ai pasqyroi hovin revolucionar të fazës së fundit të Rilindjes sonë Kombëtare, ndërsa gjatë regjimit zogist ai bëri një punë të mirë për laicizmin e shkollës.
Krijimtaria e gjerë krijuese, që shtrihet nga viti 1900 deri më 1930, është pasqyruara në këto pesë libra të tij: “Këngët shqipe” (1909), që është një antologji me pjesë të zgjedhura origjinale e të shqipëruara. Libri “Zan’i Atdheut” (1913), përmbledh poezi me frymë atdhetare, të hartuara në stil popullor.
Në librin “Lotët e dashtnisë” (1916), autori vlerësonte lart letërsinë, e cila, siç thotë vetë: “i hap rrugën njerëzisë në fushë të përparimit”. Vëllimi “Libër kangësh” (1925), çel rrugën e depërtimit të muzikës klasike ndërkombëtare në shkollat popullore të viteve 20’-30’ në vendin tonë. Kurse libri i pestë i Mosit, me titull “Lule prendvere” (1927), përmban lirika, balada, krijime origjinale, shqipërime, përshtatje e perifrazime. Ai ka lënë në dorëshkrim edhe një përmbledhje poezish lirike me titull “Lule vjeshte”, që do të përbënte vëllimin e gjashtë poetik të tij.
Interes të veçantë paraqesin edhe ditari i tij dhe dorëshkrimet e tjera, që ndodhen në Arkivin Qendror të Shtetit. Ai ka marrë pjesë me armë në kryengritjen e malësorëve të Veriut kundër zgjedhës osmane më 1911.