Shqipëria dhe Kosova janë dy entitete shtetërore, mirëpo, kjo nuk do të thotë të mos respektosh historinë, kulturën, figurat dhe simbolet e përbashkëta dhe këto gjëra në Kosovë, nuk duhet të ndodhin sikur përjashtojnë njëra-tjetrën
Nga Daut DAUTI
- Aversion apo verbëri?
Prej se dështoi kënga e Elvana Gjatës për të shkuar në Eurosong, te emisioni me emër serb “Provokacija”, Mustafa Nano vazhdon “t’i torturojë” mysafirët që kanë lidhje me gjuhën, kulturën ose artin, me një problem që s’është problem. Për çështjen e gegërishtes! Një nga “mëkatet” e këngës së Elvana Gjatës në Festivalin e Këngës, përveç se është “mediokër”(siç thotë Mustafa Nano), është edhe ngase është shkruar në dialektin e gegërishtes. E vërteta është ashtu, “Me tana”(“me të tëra”), është gegërisht. Me Gjergj Lekajn, njëri nga bashkëbiseduesit më kritikë ndaj festivalit që u quajt “shou I Alketa Vejsiut”(ajo vërtetë e teproi me oratorinë e tepërt dhe revinë personale të fustaneve të saj), është se është e patolerueshme, jo vetëm te rasti i Elvanës, por dhe te shumë këngëtarë të tjerë, që tekstet e këngëve të tyre nuk shkruhen në gjuhën standarde. Kantautori Gjergj Leka, bëri krahasim me San Remonë ku qenka një nga kushtet që këngët të jenë shkruar në gjuhën standarde italiane, sepse është festival nacional. Ky qëndrim dhe mund të mbajë, sepse institucionet e karakterit nacional, duhet të kenë kujdes për gjuhën standarde. Le të vlejë kjo edhe për një festival nacional këngës shqiptare, nuk ka gjë të keq. Por ky kusht, para së gjithash, duhet të vlejë edhe për median dhe gazetat, kurse për institucionet as që duhet të diskutohet…
Por, ama, ka një “por”…Kur flet Mustafa Nano, duke e ngritur gatise në një nivel kauze profesionale, ai më duket sikur shikon me një sy dhe dëgjon me një vesh. Atij aq shumë i bie në sy se gjithandej Shqipërisë dhe gjithë shqiptarisë, po shkruheshkan këngë me gegërishte, dhe jo çfarëdoje, por kosovarishte! Mirëpo, ai nuk shikon, apo nuk dëshiron të shohë, se aq sa këndohen këngë në dialektin gegë, ndoshta dhe më shumë këndohen në dialektin toskë…Çështja është ç’të keqe ka të këndohen këngë në ndonjë dialekt? Këngët popullore nuk do të kishin kuptim po të mos ishin në dialekt, sepse janë më afër burimores. Përse të kufizoheshka përdorimi I dialekteve në letërsi, muzikë, art…? Përse gjithë atë leksik specifik, i cili fundja mund të karakterizojë një mentalitet, një vetëdije mjedisore, krahinore, një veçanti lokale…, të kufizohet? As duhet të na pengojë gegërishtja, e as toskërishtja.
Por, “por-i” që e përmenda më sipër është te ajo shurdhëria kronike e medias në Shqipëri, pra, edhe ai ku emetohet emisioni i Mustafa Nanos, që nuk sheh se gjuha standarde cenohet pikërisht përmes medias, edhe atë në më shumë mënyra përmes trendeve e praktikave të shpikura! Keni dëgjuar në ndonjë emision lajmesh në TV-të nacionale,(që nga TVSH-ja, TOP Chanel-i, ABC-ja, Klan-i, Vision plus-i…e gjer te ato lokale), që të theksohet KUVEND(sipas fjalorit të gjuhës shqipe), në vend se KUVËND(variant tosk), VEND në vend se VËND, DHEMB, në vend se DHËMB bashkë me shumë fjalë tjera toske që përdoren sikur të ishin të standardit(këto a nuk janë dialektizma, z.Mustafa Nano?), … dhe të mos flasim për shkeljen e rëndë të rregullave gramatikore të përdorimit të emrave të huaj(shquarja dhe lakimi i emrave), futja pa nevojë e shumë fjalëve të huaja, si një trend i kohëve moderne, kurse nga dialektet mund të marrin shumë fjalë të bukura, në vend të marrim nga italishtja, anglishtja, frëngjishtja, greqishtja, rusishtja…
Pa ndonjë qëllim të keq, nuk kam problem me angazhimin e dikujt, pra edhe të Mustafa Nanos që të angazhohet për pastërtinë e gjuhës, për kultivimin e gjuhës letrare, por problemi është se ai dhe shumë të tjerë gjërat i shikojnë njëanshëm, te të tjerët shohin dhe mizën dhe në mjedisin e vet as buallin…Edhe më i madh është problemi se ai potencon jo gegërishten, por “gegërishten kosovare”, një formulacion paksa tendencioz midis rreshtash! Sikundër që po këto ditë, si për simetri, akademik Rexhep Qosja akuzoi disponimin anti-Shqipëri që e përkrahin disa qarqe mediale a politike në Kosovë. Nuk mund të ndryshohet ndjenja ose ideali për një unitet kombëtar, por ndonjëherë edhe zërat e vetmuar ose të rrallë, nga të dy anët e kufirit shqiptaro-shqiptar, dinë të turbullojnë ujin me vlerësime përgjithësuese.
- “Kosovocentrizmi” i keqkuptuar
Një fenomen i çuditshëm doemos duhet të merret i ashtuquajturi kosovocentrizëm? Sigurisht në fjalor nuk do ta gjejmë, por për ta kuptuar nuk e kemi të vështirë. Kosovocentrizëm, me një definicion të thjeshtësuar, është lojaliteti ndaj shtetësisë së Kosovës. Këtu nuk ka asgjë të keqe, çdo qytetar duhet ta ketë këtë ndjenjë lojaliteti ndaj shtetit të vet.
Në fushatën parazgjedhore, dhe në debatet mediale, gjithsesi ka pasur përplasje midis atyre që e duan Kosovën dhe simbolet e saj shtetërore dhe atyre që nuk i respektojnë këto simbole sepse nuk janë pjesë e idealit shqiptar. Një keqkuptim i madh për të mos thënë manipulim. Pikërisht kosovocentrikët e LDK-së bënë koalicion me dhe LVV-në, që s’i respektonte ato simbole. Keqkuptimi, gjithsesi, ka të bëjë me lojën për opinionin naiv me sentimentin e patriotizmit (“kosovar”vs “shqiptar”), gjëra këto që vetëm manipulantët mund t’i vënë në kundërshtim! Sepse, të duash shtetin e Kosovës dhe simbolet e saj, nuk do të thotë se nuk e do Shqipërinë dhe bashkimin me të. Në këtë kontekst, një herë pata vënë në dukje se vënia e kufirit ose mbetja në kuadër të kosovocentrizmit, duhet t’i ketë kushtuar jo pak vota LDK-së, sepse shqiptarët e Kosovës gjithsesi nuk e shuajnë ëndrrën e bashkimit. Nga ana tjetër, kjo parti, duke stërtheksuar kosovarizmin, i la hapësirë partnerit të ardhshëm të prezantojë shqiptarizmin si një kauzë të vetme që përjashton kosovarizmin dhe kjo ia ka ngrohë shumëkujt zemrat, pasi çdo lëvizje në Kosovë është bërë dhe sot ende është i gjallë ideali i Shqipërisë. Si rezultat i propagimit të njëanshëm të kosovarizmit, por edhe të prishjes së raporteve të disa udhëheqësve shqiptarë (Rama padit Ramushin, Berisha e Thaçi të armiqësuar…), në të dy anët e kufirit është shtuar përqindja e atyre që nuk e duan bashkimin e Shqipërisë dhe Kosovës!
Mirëpo, sikundër që një nocion mund të ketë kuptim pozitiv, shumëkush përpiqet t’ia mjegullojë kuptimin duke i dhënë dimension tjetër. Ky dimension gjithnjë e më tepër po e forcojnë disa opinionistë apo dhe ndonjë politikan, duke u nisur nga fakti se Kosova është shtet dhe tash gjithçka duhet t’i nënshtrohet atij qëllimi dhe nuk duhet të mendojë për asgjë “tjetër”. Ka këtu edhe arsye objektive, siç pakoja e Ahtisarit, si themel i shtetësisë së kësaj Kosove, e cila përjashton të drejtën e bashkimit. Mirëpo, kjo nuk do të thotë të mos respektosh historinë, kulturën, figurat dhe simbolet e përbashkëta dhe këto gjëra në Kosovë, nuk duhet të ndodhin sikur përjashtojnë njëra tjetrën. Ka pasur ekscese nga ana e antikosovocentrikëve, të cilët kanë hequr flamurin e Kosovës për ta vënë vetëm atë kombëtar. (E kam thënë edhe më parë: a duhet të flaket një flamur i cili ka sjellë shtetësinë?! Apo më shumë preferojnë flamurin kombëtar pa shtetësi?!). Nga ana tjetër ka kosovocentrikë fanatikë të cilët flamurin kombëtar e quajnë flamur të shtetit të huaj! Nocioni “flamur i shtetit të huaj”, të përkujton analogjitë e nacionalistëve maqedonas (por dhe serbë, sigurisht) të cilët kur flasin për të drejtën e përdorimit të flamurit kombëtar shqiptar në Maqedoni, në pezhorativ e quajnë flamur të shtetit të huaj! Vallë, duheshka të shkohet deri në atë derexhe që simbolin me të cilin identifikohen shqiptarët kudo që jetojnë, të trajtohet “i shtetit të huaj” vetëm e vetëm të përforcojë kosovarizmin? Pse kosovocentrizmi duhet të jetë përjashtues i shqiptarizmës?
Si anomali edhe më e rrezikshme është ideja e krijimit të kombit kosovar në mënyrën se si ai trajtohet nga disa qarqe. Sipas teorive moderne të kombit, nuk është kontestues krijimi i një kombi politik kosovar, por në rastin e Kosovës ai nuk mund të ketë prerogative etnike(gjuhësore, kulturologjike…) të dallueshme nga kombi shqiptar i kuptuar në të njëjtën mënyrë. Kosovocentrikët e dëshirojnë gjithnjë e më shumë një Kosovë-shtet që do të ndërtohet pa Shqipërinë si ideal bashkimi, dhe në të ardhmen, një popull kosovar me një gjuhë tjetër nga gjuha shqipe duke marrë për bazë gegërishten, për shkak të padrejtësisë që i është bërë në kohën kur është krijuar gjuha standarde. Nëse realizohet ky qëllim, atëherë nuk ka se si të përfundojë ndryshe, pos në krijimin e një populli të ri, ngjashëm siç janë diferencuar popujt fqinjë sllavë që kanë rrënjë të përbashkëta!
- “MINI-MAKSI” MOSMARRËVESHJET NDËRSHQIPTARE
Të them të drejtën, e pranoj publikisht, kam qenë mjaft i rezervuar ndaj Mini-Shengenit ballkanik të Ramës, Vuçiqit, Zaevit…Nuk më është dukur diçka e veçantë për të mirë, siç e propagojnë përkrahësit, por as aq e keqe siç e kritikojnë të tjerët. Por, për t’i pasur gjërat e qarta, duhet të jesh ulur në të njëjtën tavolinë, ose prapa skene, që nga filli i idesë. Konfuzionin e kanë krijuar edhe qëndrimet jo përjashtuese amerikane e gjermane, ndaj të jesh apriori kundër, është paksa problem për çdo shqiptar që në një Kosovë të papërfunduar, të jesh kundrejt amerikanëve ose gjermanëve. (Që të arsyetohet kundërshtimi, disa analistë u bazuan se në SHBA ka dy politika të jashtme, të ndryshme…)
Nuk mund të anashkalohen këto disonanca, ndaj dhe duhet të pranohet se ka problem dhe për këtë ndër shqiptarët fajtori kryesor është kryeministri shqiptar Edi Rama. E dimë që Kosova ndoshta nuk mund të jetë e barabartë si Shqipëria në suaza ndërkombëtare, por ndër shqiptarët ky entitet shtetëror(Kosova, pra) duhet të jetë i barabartë me Shqipërinë në komunikim të ndërsjellë. Kur Edi Rama lëshohet në aventurën pa u konsultuar me vëllezërit kosovarë, që shpesh i ka në gojë e për zemër (shpresoj jo për PR por sinqerisht), para se të ulej me Vuçiqin e Zaevin, është dashur të ulet me Ramush Haradinajn dhe Hashim Thaçin, që të bashkërendojnë në veprimet e tyre kundrejt kësaj ideje dhe t’i sqarojnë gjërat paraprakisht. Ose madje, t’i vinte kusht Vuçiqit që në takimin e parë se pa përfaqësues të Kosovës nuk ka ndërmend të ulet në një iniciativë rajonale. Është dashur që të ulej me udheqësit kosovarë, sqaroheshin të gjitha dilemat mes vete, e pastaj dhe t’ia shpjegonin publikut shqiptar se çfarë projekti është, sepse nga mungesa e informatave, dikush atë e quajti projekt për rikrijimin e Jugosllavisë me Shqipërinë plus! Kësisoj, Rama i dha liri vetes që të vetëshpallet tutor edhe i Kosovës(Ramushi ia patë bërë me dije shumë kohë më parë se nuk mund të flet në emër të Kosovës përderisa ka kush e përfaqëson), ose edhe më keq, për hir të harmonisë me liderët tjerë ballkanikë, ta lë anësh Kosovën. Pra, a e ka publiku shqiptar të qartë se çka ofron të re “mishinishengeni ballkanik”, a ia ka sqaruar Edi Rama?
Ky konfuzion ndërshqiptar po vazhdon edhe për shkak të animoziteteve personale në relacionin Edi Rama – Ramush Haradinaj, një konflikt banal për asgjë (heqjen e taksës ndaj Serbisë nuk ia ka kërkuar vetëm Rama, por para së gjithash Merkel, Makron, SHBA…). Por, nuk duket se pas gjithë hutisë rreth Mini-Shengnit ballkanik, gjërat mbeten të pa qarta edhe pas ardhjes së kryeministrit të ri kosovar, Albin Kurti. Në takimin e tyre të parë në cilësi kryeministrash, para pak kohe në Tiranë, Rama i mëshonte thumbit, e Kurti patkoit! Njëri fliste për minishengen ballkanik, e tjetri për maksishengen shqiptar. Për të pasur shumë kuptim fjalët e Albin Kurtit, gjithsesi janë raportet e acaruara të përshkuara me kakofoni Tiranë – Prishtinë. Por, shto këtu edhe disa anomali të marrëdhënieve, disa gjer në absurd, siç e përmendi Ramush Haradinaj në një intervistë, ku delegacionet kosovare paguajnë taksë rrugore, një nonsens, që siç tha ai, që nuk i ndodh kur shkon në Maqedoni, që ka bërë që Tirana të jetë më afër Beogradit se me Prishtinën! Pra, përderisa ka gjëra të parregulluara midis dy shteteve shqiptare, kur ka marrëveshje që ndoshta nuk respektohen sa duhet, qoftë në fushën e marrëdhënieve ekonomike, kulturore, politike, atëherë si mund të funksionojë minishengeni ballkanik?
(Autori është kolumnist i rregullt i gazetës KOHA)