Hija që i rëndon

54

Sa më shumë që një parti maqedonase qëndron në pushtet, ajo aq më shumë dështon në realizimin e premtimeve të saja elektorale dhe mekanizëm i vetëm për ngritje të rejtingut tek elektorati maqedonas – i mbetet karta nacionaliste, dhe si pasojë rrjedh diskriminimi i rritur ndaj shqiptarëve në mënyre që të fitohen vota maqedonase. Kjo ka ndodhur me VMRO-në dhe fatkeqësisht po ndodh edhe me LSDM-në

Nga Omer AJDINI

Nuk mbetet debat në të cilin eksponentët e BDI-së nuk e hedhin tezën që opozita shqiptare bashkëpunon me VMRO-në, duke e bërë këtë me tendencë të asocimit të opozitës me të gjitha fajet që mbart historia dhe emri i VMRO-së kundrejt shqiptarëve. Çuditërisht këtë e bëjnë eksponentët e BDI-së si rasti i Agim Nuhiut apo Artan Grubit, të cilët gjatë qeverisjes së BDI-së me VMRO-në janë pikërisht njerëzit që bartnin pozita të larta shtetërore dhe heshtnin ndaj të gjitha padrejtësive të cilat u bëheshin shqiptarëve nga njerëzit e VMRO-së. Pra, bashkautorët apo bashkë-ndërtuesit e famës së keqe të VMRO-së dikur, sot mundohen që atë hije të rëndë të VMRO-së ta heqin nga vetja e tyre dhe ta drejtojnë nga opozita shqiptare, por e vërteta qëndron e palëkundur dhe ajo thotë që nëse VMRO-ja është aq e keqe, atëherë ajo është e tillë pikërisht për shkak të bëmave të saja të cilat i bëri me miratimin nga BDI-ja gjatë kohës së ata qeverisnin së bashku, bëmat për të cilat njerëzit si Agim Nuhiu dhe Artan Grubi i toleruan atëherë kur mund t’i parandalonin. Mirëpo sido që të jetë, dallimi që mundohet të bëhet në mes të partive maqedonase si nga partitë politike ashtu edhe nga analistët kërkon një analizë pak më serioze sesa retorika e thatë e BDI-së dhe atë duhet ta mendojmë më thellësisht.

E vërteta e hidhur është që shoqëria maqedonase në përgjithësi, e partitë maqedonase në veçanti, fatkeqësisht ende nuk kanë arritur të shkëputen nga kthetrat e mentalitetit racist i cili dikton qasjen e tyre ndaj shqiptarëve. Nuk besoj që ka shqiptar që e konteston këtë, megjithatë ka shqiptarë që bëjnë dallimin krahasimor në mes të VMRO-së dhe LSDM-së duke e cilësuar LSDM-në si më të denjë për bashkëpunim qeverisës, gjë e cila për mendimin tim nuk duket të jetë e vërtetë. Megjithatë, le ta analizojmë pak këtë.

Nëse duhet të vërehet ndonjë dallim në mes partive maqedonase, atëherë duhet të shikohet vullneti dhe dëshira që ka një parti maqedonase që pa presionin apo kushtëzimin e partive shqiptare të zgjidh problemet me të cilat përballen (ekskluzivisht) shqiptarët, ndër të cilat janë: drejtësia selektive, përfaqësimi joadekuat institucional, mungesa e zhvillimit nëpër komuna shqiptare, varfëria, pabarazia,kualiteti i arsimit, përdorimi i gjuhës, etj. Fatkeqësisht, ashtu sikurse VMRO-ja, edhe LSDM-ja dështon të vërtetojë vullnetin e saj në secilin nga këto dimensione: LSDM jo vetëm që nuk zgjidhi rastet e montuara, por vazhdoi dhe konfirmoi racizmin strukturor shtetëror ndaj shqiptarëve me secilin nga rastet e montuara; asaj jo vetëm që i mungon vullnet për të rritur përfaqësimin e shqiptarëve nëpër institucione, por LSDM punëson edhe maqedonas në vend të shqiptarëve; jo vetëm që pengohet decentralizimi i mirëfilltë fiskal që komunat të kenë mjaftueshëm mjete për të siguruar zhvillim vetvetiu, por edhe përqindja GDP-së e ndarë për zhvillim të barabartë rajonal manipulohet dhe nuk u jepet komunave shqiptare; jo vetëm që nuk siguron zgjidhje adekuate për problemin e varfërisë dhe pabarazisë, por LSDM-ja ndal edhe subvencionet për fëmijën e tretë dhe vazhdon ta mbaj peng palën shqiptare duke përkrahur kriminelët tek shqiptarët dhe duke fuqizuar Vice Zaevin dhe klikën e tij kriminele. E çfarë ka bërë më shumë se kaq kundër shqiptarëve VMRO-ja (përjashto gjuhën e hapur raciste)?!

Po edhe nëse ka ndodhur ndonjë përmirësim i pozitës së shqiptarëve gjatë kohës së LSDM-së, ne duhet ta kuptojmë që kjo qartazi ka ndodhur më shumë falë pozitës shumë të dobët që ka pasur LSDM-ja gjatë këtyre dy mandateve qeverisje, pozitë e cila ja ka imponuar asaj kompromiset kundrejt shqiptarëve dhe përmirësimi eventual i pozitës së shqiptarëve nuk ka ndodhur nga dëshira dhe vullneti i saj. Këtë e vërteton fakti që asnjë, ama asnjë problem me të cilin përballen ekskluzivisht shqiptarët nuk e ndërmori ta zgjidhte LSDM-ja vetvetiu pa presionin e partive shqiptare; përkundrazi, ajo vazhdimisht bën rezistencë ndaj zgjidhjes së këtyre problemeve siç është rasti me shtetësinë apo në sistemin juridik. Pra në një pozitë të tillë fragjile cilado parti maqedonase do të kishte bërë kompromiset që ka bërë LSDM-ja, bilës ndoshta do të mund të arrihej edhe më shumë sikur të kishte pasur një parti shqiptare në pushtet e cila do të kishte qenë edhe më e vendosur dhe jo e kapur se BDI-ja.

Dikush mund të thotë që LSDM-ja sadopak ka përmirësuar klimën e raporteve ndëretnike në vend si pasojë e gjuhës më të butë ndaj shqiptarëve, dhe kjo nuk është tërësisht e pavërtetë. Megjithatë, pyetja që duhet ta parashtrojmë është se a është vallë e mjaftueshme mungesa e retorikës anti-shqiptare për të siguruar mirëqenie më të mirë të shqiptarëve dhe se a është e qëndrueshme kjo klimë më e butë ndëretnike përderisa nuk përmirësohet gjendja faktike dhe mirëqenia reale e shqiptarët. Pra kërkesa jonë ndaj një partie maqedonase assesi nuk duhet të kufizohet tek ndryshimi i retorikës së saj, sepse unë jam i sigurt që atë kriter mund ta plotësoj secila parti maqedonase, megjithatë ajo flet pak, nëse aspak, për karakterin real të një strukture organizative. Pra, duhet ta kuptojmë që dallimi në mes LSDM-së dhe VMRO-së nuk është se njëra është më pak ose më shumë anti-shqiptar; dallimi në mes tyre është thjeshtë qasja që ata kanë për t’i diskriminuar shqiptarët dhe për ta mbuluar atë diskriminim.

Një e vërtetë tjetër është se sa më shumë që një parti maqedonase qëndron në pushtet, ajo aq më shumë dështon në realizimin e premtimeve të saja elektorale dhe mekanizëm i vetëm për ngritje të rejtingut tek elektorati maqedonas – i mbetet karta nacionaliste, dhe si pasojë rrjedh diskriminimi i rritur ndaj shqiptarëve në mënyre që të fitohen vota maqedonase. Kjo ka ndodhur me VMRO-në dhe fatkeqësisht po ndodh edhe me LSDM-në, prandaj duhet ta kuptojmë që vetëm rotacioni më i shpeshtë i partive maqedonase në pushtet mundëson që ata mos të ashpërsohen dhe mos të tregojnë kapacitetet e tyre të plota raciste. Prandaj partitë shqiptare nuk mund të jenë as pro-VMRO dhe as pro LSDM, por ata ata duhet të jenë të gatshme të qeverisin me secilën prej tyre për të siguruar rotacionin e nevojshëm të tyre që mos të ndodh më e keqja ndaj shqiptarëve.

Pra duke e parë mungesën e dallimit në mes të partive maqedonase, shprehja ‘’ju jeni me VMRO-në’’ që i drejtohet opozitës – flet më shumë për të kaluarën e VMRO-së sesa të ardhmen e saj dhe është konfirmimi më i mirë i mëkatit politik që bartë në supet e saja BDI për lejimin e diskriminimit të shqiptarëve nga VMRO. E nevoja për asocim të tjerëve me VMRO-në është e kuptueshme, ngaqë BDI ka nevojë t’i bëjë të gjithë të këqij sikur vetja, megjithatë e ardhmja qeverisëse e Aleancës për Shqiptarët me cilëndo parti maqedonase në asnjë mënyre nuk do të jetë përsëritje e së kaluarës së atyre partive me BDI-në, e këtë do ta dëshmojë vet e ardhmja e afërt e cila është më shumë sesa paevitueshmëri politike.

(Autori është kolumnist i rregullt i gazetës KOHA)