Pushteti ri me sistem të vjetër gjyqësor nuk shkon. Nëse nuk ndodhë çmontimi i këtij sistemi, shqiptarët, të cilët edhe ashtu po tregohen se janë faktorë për të zgjedhur President dhe për të përmbysur pushtete, do ta kuptonin këtë si akt të orientuar kundër tyre, sepse një sistem i tillë i pareformuar hë për hë po përdoret vetëm kundër tyre. Nëse nuk ndodhë ndryshe, hija e gruevizmit do të eklipsojë edhe ato pak të arritura ku shqiptarët mendojnë se janë meritorë
Nga Emin AZEMI
Kryefjala e një regjimit të korruptuar është mania për të kurdisur gjithçka që i del përpara. Regjimi i kaluar shquhej edhe për kurdisjen e rasteve të cilat paraprakisht i montonte dhe pastaj i shfaqte si spektakle para opinionit publik. Një rast të tillë e pat koduar me një emërtim përbindëshi “Monstra”. Mjafton zelli për të zhvilluar fantazira të tilla semantike, që ta kuptosh se sa keq kishte shkalluar logjika e shëndoshë dhe në vend të saj këmbëkryq ishte ulur absurdi. Pushtetet që forcën e tyre e mbështesin mbi efektet e absurdit, fundin e kanë në greminat që vet i gropojnë.
Por, asnjë sistem nuk rrënohet vetvetiu, nëse mbi të nuk ushtrohet një trysni më e madhe. Aktualisht, pushtetit i ri ka marrë disa segmente të shtetit në drejtim dhe mirë bënë që sillet me kaq kulturë ndaj sistemit të drejtësisë duke u arsyetuar se gjykatat duhet të mbeten të pavarura në vendimmarrje. Mirëpo çka ti thuash këtij sistemi i cili ka mbetur i pareformuar dhe nëse mund te themi se Gruevski u rrëzua nga pushteti, gruevizmi i tij ka ngelur ende në sistemin e drejtësisë. A duhet ndërhyje që ky sistem të bëhet jofunksional, sepse në të kundërtën nuk kanë kurrfarë kuptimi masat e paralajmëruara për reforma. Çfarë reforma mund të bëhen, nëse ato nuk prekin thelbin – sistemin e drejtësisë.
“Monstra” dhe shumë raste të tjera të montuara dhe të procesuara me shumë defekte, që kryesisht dëmtuan qytetarët shqiptarë, duhet t’i kalojnë të kaluarës, ashtu siç po shkon në histori ngadalë gjithçka që ishte trashëguar nga pushtetit i kaluar. Kurrfarë kuptimi nuk do të kishin ndryshime e reja, nëse shumë fëmijë vajtojnë për prindërit e tyre që padrejtësisht mbahen nëpër burgje.
Gjatë kohës së pushtetit të kaluar ndodhën edhe ngjarjet e 9 dhe 10 majit 2015 në Kumanovë. Askush deri më tani nuk ka dhënë një përgjigje të prerë se kujt iu deshën këto ngjarje, por ajo çka është më me rëndësi edhe sot e gjithë ditën mbeti enigmë fakti se a kanë mundur këto ngjarje të zhvillohen pa ndonjë logjistikë nga segmente të caktuara shtetërore. Mediat e ndryshme, por edhe individë të caktuar, kanë publikuar disa herë të dhëna mbi implikimin e përfaqësuesve të caktuar të këtyre segmenteve, mirëpo sistemi i drejtësisë ata i la jashtë përfshirjes në procese gjyqësore. Me fjalë të tjera, është po ai sistem drejtësie që punonte me porosi për t’i paraqitur rastet e montuara si gjoja vepra të rënda penale (“Monstra”, “Sopoti”, “Alfat” etj. ), ndërkohë që mbetën të paprekur manipulatorë të ndryshëm të pushtetit të kaluar të cilët kishin gisht në inskenimin e ngjarjeve të sipërpërmendura të Kumanovës.
Pushtetit aktual të gjitha këto raste duhet t’i riprocesojë dhe sipas peshës së përgjegjësive të caktojë edhe masa të reja ndaj kryerësve eventual të veprave penale. Në instancë të fundit, madje, ky pushtet duhet të shpallë amnisti ndaj të gjithë këtyre personave, sepse ata jo vetëm që kanë qenë të manipuluar nga segmente të caktuar shtetëror, por ata kanë rrezikuar edhe jetën e tyre dhe të tjerëve duke menduar se gjoja po kryejnë ndonjë mision të shenjtë.
Pushteti ri me sistem të vjetër gjyqësor nuk shkon. Nëse nuk ndodhë çmontimi i këtij sistemi, shqiptarët, të cilët edhe ashtu po tregohen se janë faktorë për të zgjedhur President dhe për të përmbysur pushtete, do ta kuptonin këtë si akt të orientuar kundër tyre, sepse një sistem i tillë i pareformuar hë për hë po përdoret vetëm kundër tyre. Nëse nuk ndodhë ndryshe, hija e gruevizmit do të eklipsojë edhe ato pak të arritura ku shqiptarët mendojnë se janë meritorë. (koha.mk)