Kartoni i kuq i marrë në sfidën Milan-Juventus dhe sjellja më pas, me revoltë personale ndaj arbitrit Mazzoleni mund të jetë vetëm maja e ajsbergut për Gonzalo Higuain, që fsheh pakënaqësi.
Një pakënaqësi dhe mërzi e cila buron prej verës së shkuar, kur te Juventusi e flakën, pasi morën Cristiano Ronaldo. Vëllai i Pipitës, që është edhe agjenti i tij, kur ylli portguez mbërriti në Torino, u shpreh se bashkë me Gonzalon do të formonin një dyshe të frikshme, pra çka nënkuptonte se argjentinasi dëshironte të qëndronte dhe askush nuk e kishte parashikuar largimin e tij nga “Zonja”, aty ku po fitonte dhe shënonte.
Më pas, telefonata e Maurizio Sarrit dhe dëshira për ta marrë me vete te Chelsea, në Londër. Higuain mezi priste këtë transferim, por edhe ky do të prishej, pasi drejtuesit e klubit londinez i shihnin shumë8 mln eurot që kërkonte në sezon “Pipita”, duke parë moshën e tij, tashmë 30 vjeç.
Kështu, mbeti vetëm “spiranca” Milan, që i ofroi Juventusit formulën e duhur, duke bindur bardhezinjtë dhe lojtarin, me një rrogë top player. Higuain pranoi kuqezinjtë, edhe pse ishin plani “C”, pra i fundit. Me kalimin e kohës, Pipita nisi të mendonte se ndoshta kishte bërë gabimin e madh.
Luca Serafini, gazetar prej me shumë se 20 vjetësh dhe shumë pranë botës “Milan”, ka lëshuar një bombë: Higuain është mërzitur te Milani dhe pikërisht nervat e shfaqura ndaj Juventusit, ku humbi edhe penallti, janë rezultat i asaj që mban brenda tij. Ish-arbitri Brambati, që ka pasur mundësi të flasë edhe me vëllain e Gonzalos, më ka thënë dy herë, gjatë emisioneve, në privat, se Higuain dëshiron të largohet dhe ndoshta që në janar. Drejtuesit e Milanit e dinë dhe madje formula e huazimit me të drejtë blerje mund t’i lehtësojë këtë situatë”.
Një bombë që ka lënë të gjithë gojëhapur, ndërsa ish-arbitri Brambati tha se historia e vërtetë nuk është si është treguar, por ndryshe, pasi me vëllain e Pipitës, pra Nicolas Higuain, është takuar në Dubai dhe aty ka ardhur edhe rrëfimi i tij.
Ndërkohë, vetë Nicolas, ka dalë me përgënjeshtrim në Tëitter, duke thënë se nuk e njeh aspak ish-arbitrin italian dhe kurrë nuk e ka takuar, ndaj asgjë nuk është e vërtetë.
Por, gazetari i Milanit, Serafini, vijon me tezën e tij, duke këmbëngulur se Higuain pret janarin dhe motivi ka të bëjë me faktin se ai është në fund karriere dhe te kuqezinjtë ka kontratë 2-3 vjet, ndaj duke parë gjendjen dhe se vështirësisht do të kemi kthim në nivelet e mëdha të kuqezinjve, po mendon të largohet sa më shpejt. Mungesa në kombëtare gjithashtu vjen si pasojë e kësaj zgjedhje.