Shkup, 31 maj – NP “Higjiena komunale” Shkup sot ka realizuar aktivitete edukativo-informative në rrugën Xhon Kenedi, në komunën Çair.
Aktivitetet, siç komunikuan nga pres-shërbimi i NP “Higjiena komunale” – Shkup i realizoi Eko-patrulla dhe departamenti për edukim, cilësi dhe zhvillim si dhe përgjegjësi profesionale, të cilët i informuan qytetarët për veprimin e drejtë me mbetjet komunale, mbetjet e vëllimshme dhe ato ndërtimore.
Në ngjarje mori pjesë drejtori i NP ,,Higjiena komunale” – Shkup, Abdusamed Shabani dhe kryetari i komunës së Çairit, Visar Ganiu.
“E zgjodhëm pikërisht këtë lokacion për realizimin e edukimit të qytetarëve, për shkak se ekipet tona në këtë rajon vazhdimisht përballen me hedhjen e parregullt të mbetjeve. I ftojmë të gjithë palët e interesit në procesin e mirëmbajtjes së higjienës në qytetin e Shkupit – qytetarët por edhe shërbimet e inspektimit të Qytetit dhe komunave, gjithë së bashku të kontribuojmë për mbrojtjen e mjedisit tonë jetësor” tha drejtori Shabani.
Gjatë ditës së sotme, ekipet e NP “Higjiena komunale” – Shkup, realizuan edhe aksion të përgjithshëm për pastrimin e komunës së Çairit, gjatë të cilit u bë fshirje dhe larje manuale dhe mekanike e bulevardeve dhe rrugëve. Në kuadër të aksionit u hoqën afërsisht 50 metër kub mbetje nga deponitë e egra, ndërsa u realizua edhe larje manuale e xhamive më të mëdha të kësaj komune të Shkupit.