Pejë, 17 janar – Sot në orët e hershme të mëngjesit (rreth orës 03:50), persona, identiteti i të cilëve për momentin është i panjohur, kanë hedhur një mjet artizanal shpërthyes në derën anësore (ndihmëse) të QKMF-së Pejë, njoftoi Policia rajonale e Pejës.
Sipas të dhënave nga punëtorët e Qendrës, është dëgjuar një krismë (shpërthim) dhe kur kanë dalë në vendin e ngjarjes ata kanë vërejtur zjarrin i cili kishte kapluar hyrjen, të cilin ata e shuan me anë të aparateve për fikjen e zjarrit.
Policia menjëherë ka shkuar në vendin e ngjarjes dhe ka ndërmarrë veprimet e nevojshme operative-hetimore.
Njësitet relevante të Drejtorisë Rajonale të Policisë në Pejë janë duke punuar intensivisht në bashkëpunim të plotë me prokurorin e Shtetit, për të zbuluar të gjitha rrethanat e këtij rasti, si dhe për të identifikuar personat e dyshuar.