Nga tragjedia e zjarreve që janë kthyer të djegin Kaliforninë, ku në veçanti është shpallur gjendja e emergjencës në Los Anxheles, mbërrin një histori e bukur. Ajo e një të riu, i cili ndalon në ‘Highway 1’, pranë La Conchita-s, për të shpëtuar një lepur, i cili kalon përmes rrugës dhe që ishte bllokuar në një vatër zjarri në anë të rrugës. Një akt kurajoz përpara situatës së rënduar dhe pastaj akti heroik i filmuar nga një gazetar. Videoja e ka kthyer kështu personin që e shpëtoi në një hero për kurajën e treguar. Ndërkohë janë me qindra shtëpitë e shkatërruara dhe njerëzit që kanë braktisur banesat e tyre nga flakët e përmasave të mëdha. “Los Angeles Times” shkruan që autoritetet janë në gjendje alarmi maksimal, sepse priten erëra të forta që mund të ushqejnë në mënyrë katastrofike zjarret. “Jemi në fillimin e një eventi që mund të shoqërohet me erëra të forta. Nuk do të jemi në gjendje të luftojmë kundër zjarrit me këtë situatë”, thanë autoritetet.