Populli tashmë e ka kuptuar që nuk të ruan dot bagëtinë qeni i tërbuar, pa se si po humbej rrugëve të botës për shkak të rrethanave poshtëruese që kemi në vend të krijuara nga pushtetarët, nuk i pëlqeu ikja, dhe tashmë në 12 prill çon në vendin e duhur Përgjegjësit-Fajtorët-Pushtetarët…
Nga Dr. Arben TARAVARI
Zgjedhjet janë në derë. Duket se kanë filluar edhe qokat elektorale. Tash të gjithë pushtetarët janë si në ethe hemorragjike. Kanë hequr kostumin e indiferencës oligarkike dhe kanë veshur atë të merakut për njerëzit! Të duket se përsëritet e njëjta këngë çdo prag votimi. Burra dhe gra që kanë në duar harta të piketuara me “miq” dhe “armiq”, ofrojnë dhe bëjnë pazare! Po a mund të gënjehet më populli nga kjo farsë me pasoja dramatike për të?!
Ky lloj modeli i pushtetit i gjen ata më të varfër, me fëmijë të degdisur anembanë botës, të revoltuar e të tradhtuar nga ata që i premtuan Evropën por në fakt i rrëmbyen fëmijët! E kush është ai njeri që konsiderohet normal, që do të shkojë të votojë pro kësaj humnere ku ndodhet?! Nuk është më çështje patriotizmi, nuk është më çështje barazie, është çështje Mbijetese! Turp të thuash por qëllimi kryesor e më real i këtyre zgjedhjeve, duhet të jetë: Të Shpëtojmë Jetën!
Deri tani duket se jemi qeverisur nga qenie supernatyrale që nuk gabojnë asnjëherë sepse në do kishin gabuar do kishin kërkuar Falje, por jo, tek nuk ka dalë asnjë pushtetar dhe t’i thotë popullit: më falni gabova! – jo, kjo as është parë dhe as nuk është dëgjuar në aradhet e atyre që drejtojnë shtetin! Mendja të çon në përfundimin që ne kemi pushtetarë të pagabueshëm! Por e njëjta mendje ngre dhe pyetjen: e pse sot Maqedonia është kaq e varfër? Pse njerëzit ikin si asnjëherë në Maqedonia? Pse niveli i shkollave dhe i arsimit është nga më të dobëtit në Evropë?! Deklaratat triumfuese të Qeverisë ngrenë më shumë pyetje dhe nuk japin asnjë përgjigje. Kjo është klima politike e sidomos pushtetare që e gjen shtetin tonë edhe në këto zgjedhje.
Kurajoja për të rikandiduar e ndonjë partie mund të quhet ose: rruga e vetme për të mbijetuar ose delirium klinik që kërkon trajtim mjekësor. Ndonjë parti që duket sikur posedon vulën e artë dhe me fermane si në kohë të Sulltanëve dërgon lajme për prerje kokash, duke u dridhur nga ideja që mos o Zot mund të largohen nga pushteti, ata nuk e koceptojnë dot tashmë pas kaq shumë vitesh jetën e tyre luksin dhe imunitetin e pushtetit. Por ky lloj grupimi shkon në zgjedhje njësoj sikur të shkojë në gjyq me shpresën e dëshpëruar që të mund të manipulojë vendimin e gjyqtarit! Si një dinasti e vërtetë, me mbretër që në mungesë të kurorave posedojnë makina, prona, pasuri të tundshme e të patundshme, ndonjë parti monarke, moniste, autokratike, diktatoriale, kakistokratike e gjithnjë armike e përbetuar e humanizmit dhe zhvillimit në veçanti, ndjen se po i tundet toka nën këmbë! Çfarë ka ndryshuar?! Mos ndoshta ndonjë parti ka ndonjë rimors, mos ndoshta ndonjë parti ndjehet fajtore për sakatimin e shtetit? Mos ndonjë ndonjë parti e ka kuptuar më në fund që nëse shkon më gjatë se 16 vjet në pushtet dhe vendi është i varfër, do të thotë që dështimi është i tyre bashkë me peshën e fajit?! Jo! Asgjë nga këto nuk ka ndodhur, nëse do përdorej gjuha e njërit prej gjenive botërorë, Erih Maria Remarkut, atëherë do të thuhej- Asgjë e re nga fronti i Pushtetarëve…sidomos agallarëve! Të kapur në qarkun që e ndërtuan vet ata rrethohen nga gatishmëria e shumë pak vetave, kryesisht fis dhe farefis. Përpëliten po njësoj të premtojnë e po njësoj të shantazhojnë, pra njësoj, njësoj si sot e mot! Çfarë ka pra një gjë ndryshe këto zgjedhje?! Politikisht ka dy ndryshime të mëdha. Nuk gjenden në krah të pushtetit ekzekutiv, gjenden tek populli dhe opozita.
I zhgënjyer, i mashtruar dhe sidomos i trishtuar nga kjo angushti sociale që ka kapluar vendin Populli, Votuesi, Pushtetdhënësi pra e ka kuptuar që mund të jetë edhe Pushtetmarrës, populli kërkon domosdoshmërisht ndryshimin. Nga ana tjetër lista e 1001 gabimeve me përmasa tepër serioze e pushtetit, ka ndikuar që opozita të ndjej ende më shumë përgjegjësi dhe urgjencë për të ndryshuar gjendjen, e cila është pranë kolapsit e mbuluar me vello gjoja zhvillimore! Sipas të gjitha parashikimeve të profesionistëve, në këto zgjedhje do të ndodhë një ndryshim radikal i cili pritet prej shumë vitesh.
Populli tashmë e ka kuptuar që nuk të ruan dot bagëtinë qeni i tërbuar, pa se si po humbej rrugëve të botës për shkak të rrethanave poshtëruese që kemi në vend të krijuara nga pushtetarët, nuk i pëlqeu ikja, dhe tashmë në 12 prill çon në vendin e duhur Përgjegjësit-Fajtorët-Pushtetarët…
Për mbyllje, kjo situatë aktuale parazgjedhore të kujton vitin e largët 390 para erës sonë, vit në të cilin galët pushtuan Romën. Pas shumë diskutimeve të braktisej Roma apo jo, një drejtues romak i quajtur Marcus Furius Camillus guxoi dhe i tha Senatit: “Hic manebimus optime” – që në shqip përshtatet “Do jemi këtu shkëlqyeshëm”. Ishte kjo frazë e cila bëri popullin të mos braktiste qytetin. Ishte kjo frazë që hyri në histori e përdoret sot e kësaj dite për të gjithë popujt, që pavarësisht se në rrethana të vështira,vendosin të qëndrojnë e të vazhdojnë betejën e tyre! Këto zgjedhje populli ka vendosur të marrë në duar fatin e fëmijëve të vet duke thënë: nuk kemi më pse ikim ne, le të ikin ata! Sepse ne: HIC MANEBIMUS OPTIME!
(Autori është kolumnist i rregullt i gazetës KOHA)