Ankara, 19 nëntor – Hetuesit turq disponojnë me 11 minuta audio-incizim nga Konsullata e Arabisë Saudite në Stamboll e cila është e ndërlidhur me vrasjen e gazetarit Xhamal Kashogi, ka deklaruar sot gazetari i televizionit Haber Turk, Çetiner Çetin.
Në incizimin dëgjohen zërat e shtatë sauditëve, si dhe prova për rrahjen e gazetarit saudit Xhamal Kashogi.
Çetin ka deklaruar se ka marrë konfirmim nga burime të tija në SHBA, sipas të cilës, drejtorja e CIA-s Xhina Hasep i ka dëgjuar ato incizime.
Incizimi i parë shtatë minutash, është bërë në katin e parë të konsullatit në recepcionin e sektorit për viza. Pas arritjes së Kashogit më 2 tetor, ai është pritur nga katër saudit që kanë arritur ditën identike nga Rijadi (katër prej tyre kanë qenë pjesë e ekipit vrasës të cilët kanë arritur nga Arabia Saudite). Njëri nga sauditët ka kapur për dore gazetarin, i cili ka reaguar ashpër, ndërsa më pas dëgjohet se si Kashogi me ton të lartë bisedon me njerëzit.
Incizimi i dytë prej katër minutave është bërë në zyrën në afërsi të sektorit pranues. Në incizimin, dëgjohen zërat e shtatë personave (përveç gazetarit), si dhe ofendime dhe zhurma e rrahjes. Hetuesit kanë identifikuar gjashtë nga personat, zërat e të cilëve janë incizuar. Identiteti i personit të shtatë deri tani është i panjohur.
Në hapësirën ku është rrahur Kashogi, krahas katër sauditëve të cilët kanë takuar gazetarin, ka qenë edhe një nga truprojat e princit Mohamed bin Salman. Mësohet se truproja Maher Abdel Aziz Mutreb ka qenë “koordinator i grupit të vrasësve”. Sipas hetuesve ai ka thënë: Tradhtar, do të përgjigjesh”.
Thuhet se në dhomë ka qenë edhe konsulli i përgjithshëm i Arabisë Saudite, Mohamad al- Otajbi.
Veç kësaj, para se Kashogi të arrijë në Konsullatë, janë fikur të gjitha 19 kamerat në brendinë e objektit.