Në pajtueshmëri me programin për punë, revizioni ka filluar nga 3 shkurti hetimin dhe duhet të përfundojë deri më 8 maj 2020. Pasi të ketë përfunduar, Enti përgatit Raport, ndaj të cilit në afat prej 30 ditësh mund të parashtrohen edhe ankesa
Destan JONUZI
Shkup, 11 shkurt – Enti Shtetëror i revizionit ka filluar revizionin ndaj Prokurorisë Speciale Publike (PSP), në pjesën e mëditjeve që i kanë pranuar prokurorët dhe bashkëpunëtorët e tyre. Tre muaj do të zgjasë revizioni, dhe më pas ish-Prokurorja Katica Janeva mund të jap vërejtjet e saj, ndërsa raporti final pritet të jetë gati deri në qershor, thonë për gazetën KOHA nga Enti shtetëror. Me kërkesë të Prokurorisë Publike në programin vjetor të Entit Shtetëror të revizionit për vitin 2020 është planifikuar edhe revizioni i Prokurorisë speciale në pjesën e të ardhurave që u janë paguar të punësuarve. Në pajtueshmëri me programin për punë, revizioni ka filluar nga 3 shkurti “hetimin” dhe duhet të përfundojë deri më 8 maj 2020. Pasi të ketë përfunduar, Enti përgatit Raport, ndaj të cilit në afat prej 30 ditësh mund të parashtrohen edhe ankesa.
“Si zakonisht punët kur nisin duhet edhe të përfundojnë por fatkeqësisht këtu përzihen (telat) punët. S’ka asgjë të keqe nëse secili organ e kryen punën e vetë konform ligjit. Po edhe Revizioni shtetëror le ta bën punën e vet mbi të ardhurat e prokurorëve dhe bashkëpunëtoreve të tyre por edhe të gjykatësve dhe nëpunësve tjerë. Revizioni duhet të jep rezultate, por unë jam skeptik se këtu nisen punët në mënyrë pompoze e ne fund s’ka përfundim”, deklaroi për KOHA, profesori i së drejtës penale Mitasim Beqiri.
Në anën tjetër, juristi Qenan Aliu thotë se Enti shtetëror për revizion aktualisht është klinikisht i “vdekur”. “Fjala është për revizion të jashtëzakonshëm, e jo për ndonjë lloj hetimi. Por dihet, atë çka do të konstatoj Revizioni shtetëror, enti ka për obligim ligjor që nëse konstatohen shkelje ligjore, si dhe vepra penale në saje të punës materiale -financiare të Speciales, atëherë do të njoftojë organet kompetente, Prokurorinë, Parlamentin, Anti korrupsionin etj. Epilogu do të jetë zero, pavarësisht se çfarë keqpërdorimesh të konstatoj revizioni, pasi që ligji për PSP-në u miratuar në rrethana të jashtëzakonshme dhe shumë gjëra nuk i ka trajtuar mbase edhe si i tillë kishte mangësi. Por kjo ishte si rezultat i kapjes së shtetit dhe atë botë kasta politike diktonte momentumin në të shkruarit të ligjeve”, shprehet Aliu.
Sipas tij, në këtë drejtim pas miratimit të ligjit, as ministria e Drejtësisë, as Këshilli Gjyqësor Republikan nuk mori hapa konkret për hartimin e akteve nënligjore speciale për PSP-në. “Kryeprokurorja dhe kolegjiumi i saj kanë përcaktuar shuma të kompensimeve të ndryshme edhe atë në shuma të mëdha. Edhe pse ky ekip i PSP-së mori mbi supe rrezik të dimensioneve të ndryshme, privilegjet financiare kushedi se sa të larta të jenë ata duhet paraprakisht të jenë të përcaktuara së paku me akte nënligjore sepse këtë e kërkon sundimi i së drejtës”, nënvizon Aliu. Ai thekson se një organ që formohet në rrethana të jashtëzakonshme, e që sipas ligjit i përgjigjet vetëm Parlamentit pa detaje të tjera të funksionimit dhe aq më tepër me paraburgimin e kryeprokurores së ish PSP-së e pandehur për implikim në vepër penale duke ushtruar detyrën zyrtare, të bie në përfundim se në këtë shtet shumë gjëra mbeten pa ndëshkim, mbase edhe epilogu i kësaj do të jetë zero.
Ndryshe, PSP u themelua si rezultat i marrëveshjes së katër partive politike VMRO-DPMNE, Lidhjes Social Demokrate të Maqedonisë, Bashkimit Demokratik për Integrim dhe Partisë Demokratike Shqiptare me ndërmjetësimin e faktorit ndërkombëtar, të njohur si Marrëveshja e Përzhinos, pas çka me shumicë absolute, deputetë i dhanë vizë miratimit të ligjit për themelimin e Prokurorisë Speciale në shtator të vitit 2015, ndërkohë që ky institucion u formua tre muaj më vonë, përkatësisht në dhjetor të vitit 2015. (koha.mk)