Të dhënat zyrtare (prej vitit 2016) tregojnë shkallë të vdekshmërisë perinatale prej 16/1000 foshnjë të lindura gjallë, që është mbi mesataren e vendeve-anëtare të BE-së prej 6/1000 të lindur gjallë, situatë që i ka shqetësuar punëtorët në shëndetësi dhe opinionin dhe shkaktoi përpjekje të shpejtuara për përmirësimin e gjendjes
Delvina KËRLUKU
Shkup, 1 mars – Grupi i sapoformuar punues kombëtar për analizë dhe revizion të vdekshmërisë perinatale filloi përgatitje për zbatimin e kontrolleve të rregullta sistematike të të gjitha rasteve perinatale të vdekjes në të ardhmen. Kjo është masa më e re që e ka vendosur Ministria e Shëndetësisë për përmirësimin e mbrojtjes shëndetësore të nënave dhe fëmijëve përmes grumbullimit sistematik dhe analizave të të dhënave, që të krijojë intervenime në bazë të dëshmive, informojnë nga UNICEF-i.
“Në këtë moment, të dhënat për vdekshmërinë nuk përfshijnë kontroll të përgjithshëm të të gjitha shkaqeve të mundshme për vdekjen. Me këtë masë do të sigurohet që në mënyrë sistematike të grumbullojmë dhe të analizojmë të dhëna për shkaqet themelore, si dhe të zbatojmë intervenime për përmirësimin e sistemit shëndetësor dhe cilësisë së mbrojtjes shëndetësore në bazë të dëshmive”, tha ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe. Grupi punues do të shfrytëzojë metodologji standarde dhe pako për stërvitje të përpunuara nga Organizata Botërore e Shëndetësisë (OSHB) dhe Fondi për fëmijë pranë Kombeve të Bashkuara (UNICEF) për zbatimin e revizionit sistematik të rasteve të vdekjes. Pakoja iu prezantua ekipit, dje gjatë punëtorisë së përkrahur nga UNICEF-i.
Grupi punues është përbërë nga profesionistë me kualifikime të larta, duke përfshirë edhe gjinekologë nga mbrojtja primare shëndetësore dhe sektorët për lindje, neonatologë, pediatra, epidemiologë dhe persona që merren me statistikë, me qëllim që gjatë revizionit të shqyrtohen të gjitha aspektet e shkaqeve të mundshme për vdekje – duke përfshirë edhe ato lidhur me sistemin shëndetësor, shëndetin e nënës dhe aspektet sociale të sjelljes shëndetësore.
Vdekshmëria perinatale – vdekja fetale ( i lindur i vdekur) pas 154 ditëve nga shtatzënia dhe vdekja neonatale në 28 ditët e para të jetës – shfrytëzohet për matjen e cilësisë së mbrojtjes shëndetësore. Në Maqedoninë e Veriut, të dhënat e fundit të qasshme (prej vitit 2016) tregojnë shkallë të vdekshmërisë perinatale prej 16/1000 foshnjë të lindura gjallë, që është mbi mesataren e vendeve-anëtare të BE-së prej 6/1000 të lindur gjallë, situatë që i ka shqetësuar punëtorët në shëndetësi dhe opinionin dhe shkaktoi përpjekje të shpejtuara për përmirësimin e gjendjes, thuhet në kumtesën e UNICEF-it. (koha.mk)