Shkup, 27 janar – Publikimi i fotografive të fëmijëve minorenë mund të shkaktojë emocione negative dhe reagime tek viktimat e këtij lloji të dhunës: tërheqjen dhe mbylljen në vete, vetëakuzimin, kthimin me masën e njëjtë, por edhe sjellje të rrezikshme për jetën e njeriut. Prandaj është e domosdoshme vajzave – viktima të këtij lloji të keqpërdorimit t’u sigurohet mbështetje psikologjike prej personave profesionistë transmeton gazeta KOHA.
Këtë e sqaron, Dragi Zmijanac nga Ambasada e Parë e fëmijëve “Megjashi” për grupin e publikuar para ca kohësh “Dhoma publike” në Telegram në të cilin janë shpërndarë fotografi eksplicite, ndërsa në mesin e tyre edhe të personave minorenë.
Hetimi për grupin e mbyllur “Dhoma publike” në të cilin janë publikuar fotografi me përmbajtje eksplicite, prej të cilave disa janë ndërmarrë prej profileve të hapura, ndërsa të tjera prej bisedave private vazhdon, ndërsa Ministria e Punëve të Brendshme tashmë ka kërkuar nga Telegrami të mbyllet grupi, në të cilin midis anëtarëve janë shkëmbyer fotografi me vajza minorene të moshës prej 12 dhe 13 vjeç.
Policia e zbuloi administratorin dhe i ka numrat e telefonave të anëtarëve të grupit të mbyllur, por nuk jep informacione rreth identitetit të tij. Mediat publikuan se bëhet fjalë për një minoren, por më vonë doli informacioni se bëhet fjalë për një burrë 40-vjeçar nën pseudonimin “medo”, megjithatë konfirmim prej MPB-së për këtë tani për tani zyrtarisht nuk ka. Bëhet fjalë për rreth 7.400 numra të telefonit anëtarë të “Dhomës publike”, të cilët filluan të zvogëlohen, pasi MPB filloi hetim.
Zmijanac për MIA-n thotë se ky rast është një lloj dhune dhe janë shkelur më shumë të drejta të fëmijëve, siç është e drejta e privatësisë, në pajtim me Nenin 16 të Konventës së të drejtave të fëmijëve, e cila thotë se “Asnjë fëmijë nuk guxon të ekspozohet në përzierjen e paligjshme apo vullnetare në jetën e tij private apo familjare, shtëpinë apo korrespondencat personale e as në sulme ligjore të nderit dhe prestigjit të tij”, por ka shkelje të së drejtës së mbrojtjes nga keqpërdorimi dhe torturimi (neni 34 dhe neni 36 i PPF).
Sipas Zmijanac ekziston kornizë ligjore e cila i mbron fëmijët prej publikimit të palejuar të fotografive, por nuk është e mjaftueshme, por nevojitet angazhim nga të gjithë që e zbatojnë ligjin.
Thotë se mësimdhënësit dhe prindërit duhet t’u kushtojnë më shumë kujdes fëmijëve dhe të bisedojnë me ta për problemet me të cilat ballafaqohen ata. Të gjejnë kohë për fëmijët/nxënësit e tyre, ndërsa shërbimet profesionale në shkolla t’i përkushtohen më shumë punës me nxënësit.
“Është e domosdoshme të zhvillohen programe në shkolla me të cilat tek fëmijët do të ngrihet vetëdija për nevojën e mbrojtjes së të dhënave personale dhe privatësisë, përdorimin/keqpërdorimin e teknologjive, të jenë më të udhëzuar në pyetjet lidhur me identitetin seksual”, theksoi Zmijanac.
Mediat, shton Zmijanac, e kanë një pjesë të përgjegjësisë, ndikojnë në mendimin social, obligimi i tyre moral është të merren me tema të cilat çojnë drejt parandalimit, programeve edukative të cilat do të jenë në mbështetjen e angazhimeve të mësimdhënësve dhe prindërve.
“Asnjëherë deri më tani nuk kemi pasur rast si ky. Zakonisht denoncohen raste individuale, me ç’rast i kemi drejtuar në Sektorin për krim kibernetik, por fillimisht bisedojmë me denoncuesin, pyesim për nevojën në të cilën ndodhet fëmija dhe rekomandojmë që të drejtohen për mbështetje psikologjike”, shton ai.
Zëdhënësi i MPB, Toni Angellovski deklaroi se pas denoncimit janë ndërmarrë masa dhe aktivitete për zbardhjen e rastit.
“Sektori për krim kompjuterik dhe forenzikë menjëherë kontaktoi me rrjetin “Telegram”, me qëllim të marrjes së të dhënave të nevojshme rreth funksionimit të këtij grupi dhe njëherësh e njoftuam për përmbajtjet që janë publikuar”, shtoi ai.
Reagime për grupin pati dje në rrjetet sociale. Sipas informacioneve të shpërndara në rrjetet sociale një pjesë e fotografive të publikuara në këtë grup të mbyllur janë ndërmarrë prej profileve të hapura, ndërsa një pjesë janë ridërguar përmes profileve private dhe kanë pasur përmbajtje pornografike.
Në pajtim me Kodin Penal për prodhimin dhe shpërndarjen e pornografisë së fëmijëve dënimet janë prej pesë deri në tetë vjet. Ai që prodhon pornografi të fëmijëve me qëllim të shpërndarjes së saj ose që e transmeton apo e ofron apo në ndonjë mënyrë tjetër e bën në dispozicion pornografinë e fëmijëve, do të dënohet me burg prej së paku pesë viteve, qëndron në ligj, ndërsa për atë që furnizon pornografi të fëmijëve për veten apo për ndonjë tjetër posedon pornografi të fëmijëve do të dënohet me burg prej pesë deri në tetë vjet. Nëse këto vepra janë kryer përmes sistemeve kompjuterike apo ndonjë tjetër mjet për komunikim masiv, autori do të dënohet me burg prej së paku tetë vjet.(koha.mk)