Shkup, 25 maj – Hetimi për sulmin e përgjakshëm dhe dhunën në Kuvend si institucion më i lartë në vend duhet të jetë i kompletuar, dhe jo të udhëhiqen hetime parciale të prokurorisë, thotë akademiku Vllado Kambovski dhe shton se hetimi duhet të shkon deri te urdhërdhënësit. “Nëse ka indikacion se pas ngjarjeve qëndron grup i organizuar, rasti duhet të hetohet deri në fund dhe jo pjesë -pjesë. Nëse janë të përfshirë struktura të MPB-së, ARM-së dhe kundërzbulimit ushtarak, njësiti special, të punësuar në DSK, por edhe deputetë, atëherë ka indikacione se kemi të bëjmë me sulm të organizuar. Nëse vërtetohet qëllimi për këtë, duhet hetim më të gjerë të prokurorisë, i cili do të sjellë deri te përgjegjësit dhe urdhërdhënësit. Patjetër që çdo indikacion të inspektohet dhe nëse rezultatet çojnë drejt sulmit të organizuar në Kuvend dhe ndaj një pjese të deputetëve, duhet të formohet ekip nga prokurorë publik, të cilët do të kryejnë hetim kompleks për këto vepra të rënda penale”, ka thënë Kambovski për portalin sdk.mk. Ai thekson se Prokuroria duhet të merr për bazë video incizimet dhe të hap procedurë penale për deputetët që kanë hapur dyert e Kuvend, duke lejuar që huliganët të hyjnë në Kuvend.
I pyetur se çka nëse nuk ka hetim dhe nëse i njëjti mbetet në Prokurorinë e Shkupit, e cila hap hetime për dhunuesit vetëm për veprën “pjesëmarrje në turmë”, Kambovski thekson se prokurorët obligohen sipas ligjit dhe detyrës zyrtare të ndjekin çdo vepër penale. “Lënda është mjaft serioze, nuk është rast i thjeshtë. Është hyrë në institucionin kryesor në Republikën e Maqedonisë. Sulmi ndaj Kuvendit është ngjarje me shumë pjesëmarrës dhe kërkon hetim kompleks”, ka theksuar Kambovski. Ai konsideron se nëse nuk munden apo nëse nuk duan të formohet ekip që do të zbardhë të gjithë sulmin në Kuvend përmes një hetimi të gjerë, njerëzit kryesorë të Prokurorisë duhet të japin dorëheqje dhe në vend të tyre të vijnë prokurorë të tjerë të cilët do ta kryejnë detyrën e tyre ligjore. Kështu, thotë Kambovski, edhe Prokurori publik i RM-së, edhe ai i Prokurorisë së Shkupit, rrezikojnë që në një të ardhme të afërt të përgjigjen penalisht për keqpërdorim të pozitës zyrtare. “Prokurorët janë të obliguar vetëm në bazë të xhirimeve nga kaemrat e sigurisë së Kuvendit menjëherë të hapin procedurë penale për shtatë deputetët”, thotë akademiku Kambovski për pjesëmarrjen dhe përfshirjen e Kërste Mukovskit, Johan Tarçullovskit, Luben Arnaudovit, Sasho Vasileskit, Ilija Dimovskit dhe Zhaklina Peshevskës nga VMRO-DPMNE dhe Lupço Dimovskit nga Partia Socialiste, të cilët sipas kamerave të sigurisë në Parlament, së bashku me të punësuar në MPB dhe sigurimit parlamentar e kanë koordinuar aksionin për hapjen e dyerve të Parlamentit dhe lëshimin e masës që të hyjnë brenda dhe t’i sulmojnë deputetët e shumicës.