Sa ka të drejtë Zaevi të inicojë hetime të reja, nëqoftëse nuk i ka mbyllur hetimet e mëhershme, të cilat shumë qartë detektojnë implikime të ish pushtetarëve maqedonas? Sa këto hetimet e reja shkojnë në favor të proceseve pozitive që do të hapnin një faqe të re në barazinë e vërtetë kushtetuese të të gjitha etnive, apo ndoshta me këto hetime, sikur synohet t’i mbyllet goja dikujt para se të ndodhë ndonjë kthesë më radikale (vetëdijësuese) në shoqërinë shqiptare?
Nga Emin AZEMI
Zoran Zaevi kur ishte lider opozitar, kishte paralajmëruar se në “bombat” e tij mund të ketë edhe të dhëna që po të shpaloseshin “do të tronditej opinioni”. Kështu pati deklaruar edhe atëherë kur duhej të dihen shumë detaje rreth aferës “Monstra”, me ç’rast Zaevi kishte dhënë sinjale se disponon me materialet që japin hollësi se rasti është i montuar nga ish-pushtetarë dhe se, sipas tij, personat që po vuajnë burgun janë të pafajshëm, ndërkohë që familjarët e shqiptarëve të dënuar (7 veta) kishin theksuar se Zaevi këtë rast e përdori për qëllimet e tij politike dhe se “më në fund u pa fytyra e vërtetë”.
“Frikohem për shkak të individëve, të cilët nuk mund ta përmbajnë mllefin për çfarëdo qoftë arsye”, iu kishte deklaruar gazetarëve Zaevi, në interesimin e tyre se pse nuk publikohen “të dhënat tronditëse”.
Ish lideri opozitar më 07 maj 2015, pati folur edhe për “dyshimet mbi vrasjen e Mlladenovit”. Mirëpo, gjithçka kishte ngelur në suaza të deklaratave pompoze, ndërkohë që familjarët dhe kolegët e gazetarit të vrarë presin të ndriçohen rrethanat e kësaj vrasjeje misterioze.
Askush sot nuk do të donte të ishte në lëkurën e Zaevit. Aq më pak të jetë në rolin e njeriut që kishte premtuar zbardhjen e disa aferave, ndonëse rasti “Monstra”, bie fjala, asnjëherë nuk ka humbur nga aktualiteti ditor, kurse spekulimet për këtë vrasje kanë qenë nga më të ndryshimet. Përmendja e shpeshtë e ish-kryeparlamentarit Trajko Veljanovski, si një prej politikanëve që ka njohuri për vrasjen në Liqenin e Smilkovës, deri më sot fare nuk është hetuar nga organet e drejtësisë, përfshi edhe PSP-në. Përveç Veljanovskit, si politikan tjetër i cili mendohej se posedonte të dhëna për këtë rast vite me radhe përmendej edhe ish-ministri i Transportit dhe Lidhjeve, Mile Janakievski. Mediat kishin spekuluar se vrasja e pesë të rinjve maqedonas, po ashtu është përfolur se ka pasur lidhje me aksionin policor “Detonator” i realizuar disa javë para 12 prillit të vitit 2012.
Arsyeja pse përmenden gjithë këto afera, nuk ka të bëjë vetëm me peshën e (pa)përgjegjësisë që ka Zoran Zaevi në (mos)zbardhjen e tyre, por edhe me tendencën që këto afera të mjegullohen dhe në vend të tyre të fillojnë hetime të reja kundër akcilit funksionar shqiptar, i cili në të kaluarën ka mundur të jetë i implikuar në ndonjë aferë korruptive.
Sa ka të drejtë Zaevi të inicojë hetime të reja, nëqoftëse nuk i ka mbyllur hetimet e mëhershme, të cilat shumë qartë detektojnë implikime të ish pushtetarëve maqedonas?
Sa këto hetimet e reja shkojnë në favor të proceseve pozitive, që do të hapnin një faqe të re në barazinë e vërtetë kushtetuese të të gjitha etnive, apo ndoshta me këto hetime sikur synohet t’i mbyllet goja dikujt para se të ndodhë ndonjë kthesë më radikale (vetëdijësuese) në shoqërinë shqiptare?
Këto dhe pyetja të tjera marrin peshë sidomos në rrethanat kur Maqedonia ende ndodhet në një fazë të paqartësive dhe ruajtja e paqes së brendshme kushton më shtrenjtë se çfarëdo lloj e vërtete që del jashtë kornizave zyrtare. Por, në anën tjetër ka indicie që çmimi i kësaj paqeje të ketë edhe kompromiset e veta, që jo gjithmonë mund të përkthehen si e mirë publike. (koha.mk)