Ekzistojnë dhjetëra nëpunës shqiptar të cilët punojnë me vite të tëra nëpër institucionet shtetërore, por se statusi i tyre vazhdon të mbetet “bashkëpunëtor i ri”. Por ata duhet të reagojnë publikisht dhe një herë përgjithmonë të çlirohen nga frika e humbjes së vendit të tyre të punës
Omer XHAFERI
Shkup, 28 shtator – Nëpunësit shqiptar nëpër ministri e drejtori të ndryshme, përfshi edhe instancat gjyqësore vite me radhë diskriminohen. Nuk avancohen, aq më pak nuk sistemohen në pajtim me nivelin arsimor, stazhit dhe përvojës. Megjithatë, të njëjtit këto raste nuk i bëjnë publike. I heshtin dhe i fshehin. As rrogat dhe pozita e ulët hierarkike nuk është shkas që shumë administrator shqiptar të mos flasin për problemet që i preokupojnë.
Ekzistojnë dhjetëra nëpunës shqiptar në Ministrinë e Ekonomisë, Entin e Statistikës, organet gjyqësore siç është Këshilli Gjyqësor, Gjykata e Prokuroritë Themelore, e gjithandej nëpër organet tjera shtetërore, ku punojnë me vite të tëra, por se statusi i tyre vazhdon të mbetet “bashkëpunëtor i ri”.
Aktivisti qytetar Lulzim Haziri, për gazetën KOHA, shprehet se çështja e nëpunësve shqiptar në Maqedoninë e Veriut, në vend se të trajtohet si çështje profesionale, ajo merret si çështje ekzistenciale.
“Çdo angazhim, çdo punësim i tyre ka për bazë ekzistencën e tyre në atë vend pune pa mos u fokusuar në kontributin e tyre. Këtu edhe krijohen barrikadat për të mos u rrezikuar në këtë drejtim. Në këtë mënyrë ata bëhen pasiv dhe të varur. Varësinë e tyre kryesisht e shohin nga politika dhe çdo qëndrim i tyre i imponuar edhe nga qëndrimet politike të partive në pushtet. Besoj se të njëjtit janë ngritur në një shkallë që duhet të formojnë një sindikatë e cila do t’i mbronte të drejtat e tyre. Paralelisht do t’iu mundësojë të jenë më aktiv në drejtim të krijimit të kushteve për punë dhe krijimit të hapësirës ku mund të japin një kontribut më të madh”, thotë Haziri.
Për dallim nga kolegët e tyre shqiptar, nëpunësit maqedonas në institucionet shtetërore deri më tash dhjetëra herë publikisht, qoftë përmes mediave apo instancave gjyqësor i kanë denoncuar shkeljet dhe parregullsitë e ndryshme. Ndonëse në kushte anonimiteti javë më parë u publikua procesverbali nga rrëfimi i afaristit kontrovers Orce Kamçev, në rastin “Zhvatja”, të cilin e kishte dhënë para Prokurorisë për krim të organizuar. Shpalosja e këtij prodhoi debat publik. Nga ana tjetër rastet e montuara kundrejt shqiptarëve, si nga policia,prokuroria dhe gjykatat janë të panumërta, megjithatë as një epror shqiptar i policisë, aq më pak prokuror e gjykatës nuk ka dalë publikisht të reagojnë për këtë trajtim selektiv. Aktivisti Haziri vlerëson se raporti i nëpunësve shqiptar me mediat, dhe sektorin civil kryesisht, ka pasur një konotacion negativ.
“Vazhdimisht kur është përmendur nëpunësi shqiptar është pasur parasysh ajo lista e madhe eadministratorëve të shumtë që rinin në shtëpi dhe merrnin pagat e tyre. Sigurisht se ka hapësirë të sintezave të bashkëpunimit, ku do të përfshihen edhe shoqëria civile, mediat dhe strukturat tjera organizative që e rregullojnë çështjen e të punësuarve, përfshi gjyqësorin dhe prokurorinë. Mendoj se të gjithë duhet të angazhohen për një çlirim të plotë nga frika e humbjes së vendit të tyre të punës”, thotë Haziri.
Ndryshe, zbulimi i skandalit me përgjimet masive në vendin tonë nga ana e inxhinierëve të IT në DSK, Gjorgji Llazarevskit dhe Zvonkot Kostovski, mbetet shembulli më i freskët se si duhet të veproj një apo disa nëpunës shtetëror në mbrojtje të interesit publik. (koha.mk)