Rritja e numrit të viktimave të dhunës familjare, sipas sociologëve dhe psikologëve, është për shkak të mos zbatimit të masave mbrojtëse ligjore, por edhe për shkak nivelit të ulët të ndërgjegjes së viktimave për ta denoncuar dhunën
Destan JONUZI
Shkup, 17 shtator – Turpi, frika, problemet financiare, mos besimi ndaj sistemit, frika nga pasoja, por edhe keqkuptimet, janë arsyet pse gratë viktima të dhunës nuk pranojnë ta raportojnë atë. Në vitin 2018 në Qendrat për punë sociale në Maqedoninë e Veriut kanë qenë të regjistruar 1300 raste të dhunës familjare, ndërsa numri më i madh i viktimave kanë qenë gra, shkruan gazeta KOHA.
Një hulumtim i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim Evropian (OSBE), me 1910 gra të anketuara tregon se në të shumtën e rasteve edhe pse viktimat janë nën presion dhe dhunë të vazhdueshme nuk kanë guxim që ta denoncojnë. Sipas hulumtimit më të rrezikuara nga ky fenomen janë gratë e bashkësive më të vogla etnike dhe ato që jetojnë nëpër viset rurale. Një e treta e grave të anketuara, gjegjësisht 37 për qind, vlerësojnë se shoqet e tyre do të pajtoheshin se gruaja duhet ta dëgjojë burrin, madje edhe në ato raste kur ajo nuk pajtohet me të, ndërkaq një përqindje e ngjashme, prej 32 besojnë se është e rëndësishme që burri ti tregojë partneres se kush është “shefi”. Ndërkaq, afër 14 për qind e grave kanë qenë viktimë e dhunës fizike dhe seksuale pasi kanë mbushur 15 vjeç, nga partnerët e tyre apo persona të tjerë. Rreth 44 për qind kanë qenë të dhunuara psiqikisht, ndërkohë që 3 deri në 10 gra kanë qenë viktimë e ngacmimit seksual, ndërsa 1 në 10 gra këtë e kanë përjetuar gjatë 12 muajve të fundit. Afër 7 për qind e grave të anketuara kanë qenë të përcjella nga persona të panjohur gjatë rrugës së tyre për në punë apo diku tjetër.
Së fundmi, edhe pse gratë e dhunuara nuk kanë guximin të denoncojnë, rastet e tyre i denoncojnë fqinjët e tyre për shkak të shqetësimit që krijohet të ato. Në Ministrinë e Brendshme (MPB) vetëm se gjatë dy muajve të fundit janë paraqitur nga qytetarët e shqetësuara 10 raste të dhunës familjare në Shkup. “Ka raste që paraqiten nga fqinjët për shkak të shqetësimit, por edhe për shkak të ndjenjës së humanizmit. Ata të shqetësuar nga të qarat e fëmijëve të cilët lusin babin e tyre që mos e godet të ëmën dhe nga britmat e dhunuesit shqetësohen dhe marrin policinë në telefon për të denoncuar”, informojnë nga MPB-ja.
Sociologu, Ali Pajaziti vlerëson se dukuria e dhunës familjare gjegjësisht e violencës mashkullore ndaj gruas është në rritje si pasojë e trendit global të dobësimit të institucionit të familjes si njësi thelbësore e shoqërisë tradicionale. “Mund të themi se sot jetojmë në fazën e familjes së lëkundur fort, të lidhjeve shumë fleksibile bashkëshort-bashkëshorte, kur dashuria e dikurshme dhe respekti i ndërsjellë “po kërkohen me qiri”. Dhuna pra është pasojë e krizave të shumta me të cilat po përballemi, nga ajo ekonomike-financiare, shoqërore në përgjithësi, psikologjike etj. Lufta për mirëqenie si të tjerët të shtresave më të larta, pamundësi për të arritur standard të lartë, narkomania, dhuna pamore e filmave dhe rrjeteve sociale, psikozat e ndryshme krijojnë atmosferë të tendosur që e dërrmojnë familjen. Si rrjedhim janë divorcet që rriten në mënyrë permanente, trishtimi i fëmijëve etj”, deklaroi për KOHA, Pajaziti. Sipas tij rritja e numrit është për shkak të mos zbatimit të masave mbrojtëse ligjore, edhe për shkak nivelit të ultë të ndërgjegjes së viktimave për ta denoncuar.
Psikologja, Zemrie Bela Vejseli, thotë se dhuna në familje vjen si shkak i marrëdhënieve të dobëta në mes bashkëshortëve, gjendja socio-ekonomike në familje etj. “Përderisa dhuna tejkalon përmasat ajo mund të ndodh para syve të fëmijëve në shtëpi, në vend publik apo kudo, sepse partneri i gruas nuk ka ndjesi se çdo të thotë të dhunosh dikë. Përveç dhunës fizike, edhe më e rëndë është dhuna verbale kur bëhet para fëmijëve dhe kjo ndikon negativisht në zhvillimin emocional dhe mendor të fëmijës”, shprehet psikologja, Zemrie Bela Vejseli.
Psikologu, Lulzim Murtezani, sqaron se dhuna në familje vjen si rezultat i shumë rrethanave: krizës financiare, buxhetit familjar, mentalitetit patriarkal të burrit që arsyeton dhunë, konflikteve kronike burrë-grua, alkoolit, drogës, pa punësisë; çrregullime të personalitetit i dhunshëm, impulsiv etj. “Në shumë raste dhuna drejtohet ndaj më të dobëtit: fëmijës, gruas etj. Kështu veprojnë individët me personalitet jo stabil”, thekson Murtezani. Nga ana tjetër, Ministria e Punës dhe politikës sociale financon dy Qendra strehimore, ka hapur edhe një qendër strehimore për pranim 8 orësh të viktimave të dhunës familjare dhe SOS linjë telefonike. Qyteti i Shkupit, po ashtu financon Qendrën këshilluese për fëmijët viktima dhe autorët e dhunës. Në Maqedoninë e Veriut, funksionale janë katër qendra rajonale, por analizat e sektorit joqeveritar të cilat dalin nga Konventa e Stambollit thonë se numri i strehimoreve të viktimave të dhunës familjare duhet të jetë 1 në 10 mijë banorë. Të dhënat zyrtare flasin se 20 deri në 40 për qind e grave të rajonit të Ballkanit Perëndimor janë viktima të dhunës fizike, mbi 50 për qind të dhunës psikike. Ndërkaq, çdo vit, sipas raportit të Kombeve të Bashkuara nga vitit 2010, rreth 14.000 gra vdesin në rusi nga duart e burrave të tyre ose familjarë tjerë. (koha.mk)