Inspektorati Sanitar dhe Shëndetësor nuk është përgjigjur nëse ka ndërmarrë masa kundër drejtuesve të Klinikës së Kirurgjisë Plastike, e hiç më pak ndaj drejtoreshës, e cila ka lejuar që duhani të pihet madje edhe në kompleksin e sallave operatore
Shkup, 21 gusht – Heshtje për më shumë se dhjetë ditë pas publikimit të fotografive skandaloze në gazetën KOHA duke pirë duhan në pothuajse të gjitha ambientet e brendshme të Klinikës Universitare të Kirurgjisë Plastike. Inspektorati Sanitar dhe Shëndetësor nuk është përgjigjur nëse ka ndërmarrë masa kundër drejtuesve të Klinikës së Kirurgjisë Plastike, e hiç më pak ndaj drejtoreshës, e cila ka lejuar që duhani të pihet madje edhe në kompleksin e sallave operatore. Përgjigje shterpë në pyetjet e dërguara nga KOHA dhe të shoqëruara me fotografi ka dhënë vetëm Ministria e Shëndetësisë, e cila siç thotë në njoftim, gjatë kontrollit të Inspektoratit, nuk është gjetur parregullsi.
“Inspektorati Sanitar dhe Shëndetësor kontrollon zbatimin e dispozitave të Ligjit për mbrojtjen e duhanit gjatë inspektimeve të rregullta të institucioneve shëndetësore. Pas informacionit të raportuar për shkelje të pretenduar të Ligjit për mbrojtjen e duhanit në Klinikën Universitare të Kirurgjisë Plastike, Inspektorati ka kryer mbikëqyrje të jashtëzakonshme inspektimi, me çka nuk është konstatuar asnjë mangësi në detyrimet e institucionit që rrjedhin nga ai ligj (vende të theksuara me shenja kundër pirjes së duhanit në të gjitha ambientet e objektit)”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Shëndetësisë, ndërsa shtohet se deri tani, nuk ka raportime për shkelje të Ligjit për mbrojtjen e duhanit në institucionet shëndetësore. “Sidoqoftë, nëse ka raporte të tilla, Ministria e Shëndetësisë menjëherë do të informojë Inspektoratin dhe të veprojë në përputhje me ligjin”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë që drejtohet nga Venko Filipçe. Megjithatë, ndryshe nga siç thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Shëndetësisë, ka ndodhur muaj më parë në Spitalin e Gostivarit, kur Inspektorati dënoi një infermiere pasi të njëjtës iu publikua një fotografi në rrjetet sociale duke pirë duhan në korridorin e spitalit.
Ndryshe, në gazetën KOHA ditë më parë kanë arritur fotografi që tregojnë se që nga drejtoresha e deri te pacientët konsumojnë duhan brenda objektit të Klinikës për Kirurgji Plastike. Dhjetëra fotografi të dokumentuara nga pacientët e kësaj Klinike dëshmojnë se, askush nuk e respekton Ligjin për pirje të duhanit. Duhan pinë nga udhëheqësit e Klinikës deri edhe te pacientët që tymosin madje edhe në dhomat e pacientëve të shtrirë. Pacientë të shumtë në këtë Klinikë tregojnë për gazetën KOHA se motra medicinale, mjekë dhe pacientë tymosin ku të arrijnë, ndërsa Klinika i ngjan një çajtoreje fshati ku pihet lirshëm duhani. Nga korridori, dhomat e kontrollit, dhomat e mjekëve dhe motrave medicinale, dhomat e shtrirjes e deri te Kompleksi i sallave operatore aroma e duhanit.
“Habitesh në Klinikën e Kirurgjisë Plastike. Ka pacientë fëmijë brenda klinikës, në dhomat e shtrirjes. Por, s’kemi çfarë të bëjmë, jemi ankuar te personeli mjekësor, por edhe ata pinë duhan brenda korridoreve, në dhomat e mjekëve, të motrave medicinale, te drejtoresha… dhe jam i sigurt se kështu siç pihet duhani, nuk është çudi se edhe në sallat e operacioneve tymoset”, thonë për KOHA pacientë që kanë fotografuar pirjen e duhanit gjithandej Klinikës për Kirurgji Plastike.