Partitë politike edhe pse në tavolinën e bisedimeve janë duke i shoshitur ndryshimet në Kodin Zgjedhor, opinioni shumë pak është i njoftuar me rrjedhën e këtyre bisedimeve. Ani pse të gjitha partitë politike bien dakord që ti inkorporojnë në kodin zgjedhor të gjitha rekomandimet e OSBE-ODHIR-it, ato kanë dallime të mëdha për modelit zgjedhor
Destan JONUZI
Shkup, 21 nëntor – Opinioni publik shumë pak është i njoftuar për rrjedhën e bisedimeve të partive politike dhe institucioneve kompetente për ndryshimin e Kodit Zgjedhor. Ende nuk dihet se cilat dispozita të ligjit janë objekt i bisedimeve dhe janë në prag të ndryshimit. Gazeta KOHA mëson se nga java e ardhshme partitë politike do të adresojnë në Ministrinë e Drejtësisë propozimet e tyre rreth propozim ndryshimeve në Kodin Zgjedhor.
“Së shpejti grupi i punës do të ulet dhe do të shqyrtojë propozimet për ndryshimet në Kodin Zgjedhor. Debati rreth përfshirjes së rekomandimeve të OSBE/ODHIR-it në Kodin Zgjedhor është konstruktiv”, njoftojnë nga Ministria e Drejtësisë. Nga atje, theksojnë se rekomandimet e OSBE/ODIHR të cilat kanë të bëjnë me ndryshime më të vogla teknike të Kodit Zgjedhor në aspekt të realizimit të zgjedhjeve duket se nuk përbëjnë problem të pranohen nga të gjitha partitë. Pjesët ku partitë politike kanë qëndrime të ndryshme janë propozimet e partive më të vogla parlamentare, për një njësi zgjedhore dhe për lista të hapura të kandidatëve për deputetë. Sipas LSDM-së, propozimi konkret, gjithsesi, do të hyjë në procedurë parlamentare. Sa u takon listave të hapura të kandidatëve për deputetë, partia më e madhe në pushtet thotë se është më mirë fillimisht të testohen në zgjedhjet lokale, në garën për këshilltarë. “Presim të kemi mirëkuptim nga bashkëbiseduesit tanë me të cilët negociojmë për këtë proces kurse në fund të fundit, besoj se në Parlamenti është e mundur që të mblidhet numri i nevojshëm i deputetëve të cilët do ta mbështesnin këtë propozim”, ka deklaruar Hari Llokvenec, nga LSDM-ja.
Nga ana tjetër VMRO-DPMNE-ja, opozitare vlerëson se nëse shkohet drejt ndryshimit të modelit zgjedhor, ata do të përcaktohen për atë të shumicës me 120 njësi. Se cili ka qenë qëndrimi i tyre në takimin negociues me ndërmjetësimin e Ministrisë së Drejtësisë, ende nuk është bërë e ditur.
“Është e vërtetë që ka pasur takim fillestar por kemi rënë dakord që të mos jepet asnjë informacion nga ajo që atje është diskutuar. Habitem se si kanë arritur këto informacione tek ju por unë do t’i përmbahen principit që kur jepet fjala, qoftë edhe ndaj LSDM-së dhe Zoran Zaevit, të paktën ne ta respektojmë. Nuk do të futem në detaje se si zhvillohen negociatat por mund t’ua konfirmoi se kishte takim iniciues”, ka deklaruar Hristijan Mickoski, lider i VMRO-DPMNE-së.
Ndryshe nga Mickoski, kryeministri dhe lideri i LSDM-së, Zoran Zaev këmbëngul që të ndryshohet modeli zgjedhor në një njësi zgjedhore.
“Premtimi zgjedhor i LSDM-së është model zgjedhor me një njësi zgjedhore, tani në radhë është Parlamenti. Nëse Parlamenti bën ndryshime dhe plotësime të Kodit Zgjedho, i kemi premtuar opinionit se jemi për një njësi zgjedhore, dhe si LSDM do të votojmë. Dua ta bëjmë këtë të gjithë, mirë është që definohet me konsensus, do të thotë edhe VMRO-DPMNE edhe BDI edhe partitë e tjera të qëndrojnë pas kësaj që do ta dakordojmë”, ka deklaruar Zaev, duke u përgjigjur në pyetjen e gazetarëve në konferencën për shtyp në Qeveri, në të cilën u promovua platforma “Financa të hapura”. Ai beson se partitë e vogla të cilat i udhëheqin bisedimet do të bëjnë gjithçka që munden t’i ulin në tryezë të gjitha partitë dhe ata ta thonë qëndrimin e tyre, siç thotë, të paktën në takime pune.
“Do të isha i kënaqur nëse mundemi të fillojmë menjëherë me model të ri zgjedhor. Kjo për mua është demokraci. Një njësi zgjedhore do të thotë më shumë humbet LSDM, madje humbet VMRO-DPMNE, madje BDI, të paktën sipas kësaj si jemi renditur sipas rezultateve të fundit zgjedhore, por fiton demokracia dhe partitë më të vogla dhe hiqet mundësia për çfarëdo qoftë regjim autoritar që në të ardhmen të ndodhë. Por, në fund do të isha i kënaqur nëse dakordojmë dhe sendërtojmë në Kodin Zgjedhor madje edhe implementimin e diçkaje edhe në zgjedhjet e ardhshme, por me rëndësi është të bëjnë një hap përpara. Më së mirë është të fillojë që tani”, thekson Zaev.
BDI e Ali Ahmeti propozon që të mbetet modeli aktual, proporcional me gjashtë njësi zgjedhore. Partneri tjetër i koalicionit qeveritar, Alternativa, mbështet nismën me një njësi dhe lista të hapura. Aleanca për Shqiptarët (ASH) e Ziadin Selës është kundër një njësie zgjedhore, ndërsa Lëvizja BESA synon ndarjen në tre njësi zgjedhore.
Ndërkaq, Selim Ibraimi, nga Instituti ISSD-Maqedonia vlerëson se hesapet e partive politike janë të ndryshme, kur në modelet zgjedhore hynë politika dhe si bazë merret identiteti etnik, njësitë zgjedhore nuk duken të drejta të ndara. “Besoj se duhet të kemi lista të hapura dhe aq njësi që definojnë realitetin e shpërndarjes së popullatës dhe jo diskriminimin mbi baza etnike dhe kuotës. Besoj se konkurrenca e ideve për njësitë zgjedhore do të rritet. Deri më tani ky model tregoi se nuk është funksional. Po edhe modeli i LSDM -synon ngritjen e votuesve maqedonas ndaj atyre shqiptar. Një kompromis duhet gjetur me modele zgjedhore nga jashtë si për shembull: Belgjika dhe shtetet tjera multietnike”, deklaroi për KOHA, Ibraimi.
Ndryshe KSHZ-ja është deklaruar e gatshme që administrativisht të zbatojë cilindo ndryshim i cili do të miratohet në Parlament.