Sepse, i bie që nëse ke qenë në luftë, duhet patjetër të vdesësh, nëse ke qenë në burg, duhet patjetër të të kenë vrarë ose helmuar…Nëse ke mbetur gjallë, është një punë e dyshimtë për të cilët kujt t’i teket mund të flasë e të të akuzojë!
Nga Daut DAUTI
- Ka një padrejtësi jete, që ndoshta asnjëherë nuk e kemi menduar. Një padrejtësi e veçantë që s’ka të bëjë me pabarazi etnike, sociale, gjinore…S’dimë dhe si ta quajmë, ndoshta: pabarazi midis të gjallëve dhe të vdekurve!
“Specifikja” e kësaj pabarazie është se të vdekurit u bëjnë padrejtësi të gjallëve!
A ju ka shkuar mendja ndonjëherë të bëni një statistikë provizore, si një përshtypje apo bindje të pabazuar në faktografi: Sa heronj që i dimë kanë qenë të vdekur, e sa nga të gjallët janë heronj? Luftërat, revolucionet, lëvizjet e ndryshme krijojnë heronj, ama të parët “në listë” për t’i shpallë, janë ata që kanë rënë në fushëbetejë, anise ka pasur ndonjë edhe më vizionar a më trim se ta, por ka mbetur gjallë. Ndoshta këtë disporoporcion midis heronjve të vdekur dhe të gjallë, e ka prishur komunizmi që i shpallte heronj për së gjalli gjithë udhëheqësit komunistë, mbase sipas meritokracisë, por numri i tyre, megjithatë, nuk mund të ishte sa i atyre që kishin vdekur.
Për paradoks, ndoshta është bërë hero një luftëtar i një aradhe, që gjithsesi ka flijuar më të shtrenjtën gjë që ka njeriu, jetën, por jo komandanti i tij, me më shumë merita në fushëbetejë, por, duke qenë me më tepër fat, do të ketë mbetur gjallë. Dhe komandanti mund t’i mbushë pastaj 80-90 vjet, dhe askush nuk e shpall hero. Padrejtësi. Heronjve të vrarë u jepen të gjitha privilegjet: u vihen emra shkollash, institucionesh, rrugësh, bulevardesh…, e të mbeturit gjallë, duhet të presin “radhë” kur të vdesin që t’u jepen ndonjë nga këto privilegje që i gëzojnë më shumë heronjtë e vdekur.
- Një betejë midis heronjve (gjithsesi, edhe dëshmorëve të pashpallur heronj) të vdekur dhe të gjallëve, po merr përmasa karrikaturale në debatet publike në Kosovë. Këshilltari i kryeministrit Albin Kurti, pra shumë i përfoluri Husamedin Feraj, shkaktoi një erupcion mediatik pasi në Facebook kishte shkruar si vijon:
“Edhe këtë javë:
-Opozita vazhdoi mbrojtjen e Serbisë si engjëlli i paqes në Ballkan kundër prishjes së imazhit të saj nga djalli Albin që po e paraqet si rrezik për paqen!
– Ramushi vazhdoi të ankohet pse Serbia nuk e ka vrarë Albin Kurtin, pa dhënë përgjigje pse nuk e ka varë Ramushin gjatë luftës, por vëllezërit e tij, dhe pse mbas lufte Vuçiqi e dërgoi natën me urgjencë Listën Serbe që të bëjë Ramushin kryeministër!
– Një javë më parë, Vuçiqi u ankua pse e ka liruar Kurtin nga Burgu!
– SBASHK-u vazhdon të na afrojë me SHBA-në duke e afruar emrin “sindikatë” me kuptimin që ka në Amerikë!
Tani për tani, lëvizja “sindikaliste” në Kosovë po kërkon dhe po merr mbështetje nga e ashtuquajtura “e djathtë”e Kosovës”.
Duhet thënë se Albin Kurti nuk po ka fort fat me këshilltarët e tij. Sepse, disa bashkëpunëtorë që i ka zgjedhur rreth vete që të flasin çka mendon ai, më shumë i shkaktojnë dëm se dobi. Ndokush pse është majtist(madje komunist i përbetuar), ndonjë islamist që duket tepër ekstrem, “kontrasha” të çdo provinience, ashtu siç ishte vetë Albini opozitar. Albin Kurti gjithë karrierën politike e ka ndërtuar në platformën anti-Hashimiste, por kur në mandatin e tij të parë, një këshilltar i tij kujtoi se vërtet është “kull” të flasësh kundër UÇK-së dhe foli për “krimet” që gjoja i paska bërë UÇK-ja, gjithë Kosova u çua në këmbë kundër tij dhe vetë Albini qe detyruar të largojë. Dhe tash Hysamedin Ferraj, në postimin e tij në Facebook ka thënë disa gjëra që mëtojnë ta “forcojnë” pozicionin e Albin Kurtit, në dritën e trazirave sociale, por në të vërtetë, janë tejet problematike. Bie fjala, aluzioni i betejës sindikaliste të arsimtarëve të Kosovës me kuptimin që u ngjajnë sindikatave në Amerikë(aluzion për implikime mafioze!), është tepër denigrues për punëtorët e arsimit, por nga ana tjetër, edhe shpreh një lloj antiamerikanizmi, të cilin po mundohet ta korrigjojë Albini atë që ia veshin se është pikërisht i tillë! Ndaj, një këshilltari të kryeministrit, s’i takon të bëjë aluzione të këtilla, pavarësisht profilit të tij të dëshmuar të një neootomanisti, që ndoshta për imixh i duhet afër Albinit, për shkak të masës amorfe të besimtarëve jokritikë ndaj gjithçkaje që vjen nga lindja. Mirëpo, një profil i tillë assesi nuk mund “të kalojë” te elita intelektuale kosovare.
Në aspektin politik, “fletërrufeja” e këshilltarit të Albinit më së shumti la shijen e hidhur me pjesën që i adresohet RamushHaradinajt, duke e ditur kontributin e tij në luftë. Reagimet e shumta kanë qenë të rrufeshme: Berat Buzhala, ka kërkuar që Hysamedin Ferajt t’i ndalohet hyrja në Kosovë(ai është nga Shqipëria), sepse “kurrë ofendim më të madh kurrkush nuk ka bo ndaj familjes Haradinaj dhe ndaj luftës. Kësaj qenie duhet me ia ndalu Kosovën…”. Gazetari Milaim Zeka e quan Hysamedin Ferrajn “tubacion të ujërave të zeza të LV-së” duke argumentuar: “Ramushi ka qenë i plagosur në lufte, të paktën dy herë. Një plumb ia ka shpu anë përtej nofullën e gojës. Pra, goja e Ramushit ka hangër plumba, goja Hysamedinit han m*t!”. Edhe ish gazetari Muharem Nitaj, tash si aktivisti Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), i ka dhënë një dimension tjetër faktit që këshilltari i përmendur është nga Shqipëria: “Nuk është hera e parë që këta komisarët politikë nga Tirana, që i ka marrë nën sqetull Albin Kurti, e fëlliqin gojën dhe nuk lënë njeri pa sharë. Ata janë bërë helmi i diskursit publik dhe prandaj reagimet nga Kosova për gjuhën e tyre, janë kaq të ashpra. Po nuk është faji i tyre. I kemi dhuratë nga ‘i madhërishmi’ Albin Kurti, sepse po të mos ishte ai, këta nuk do të mbeteshin tjerë, pos fosile të së kaluarës e vemje të së sotmes. Prandaj lidhi o kryeministër!”, ka shkruar Nitaj në Facebook.
Ajo që Hysamedin Ferraj ka thënë për Ramushin, në pjesën “pse Serbia nuk e ka vrarë Ramushin gjatë luftës, por vëllezërit e tij…”, është vërtetë një fjali spekulative dhe manipuluese në diskursin e komunikimit publik dhe si e tillë, është për t’u gjykuar. Por, analistë, politikanë dhe të tjerë, marrin vetëm një pjesë, e jo tërësinë, sepse fjalia është kushtore, ku pjesë e parë është: “Ramushi vazhdoi të ankohet pse Serbia nuk e ka vrarë Albin Kurtin”(1) dhe pastaj vjen ajo tjetra, e cituara me shumë emocione:“pa dhënë përgjigje pse nuk e ka vrarë Ramushin gjatë luftës, por vëllezërit e tij(2), dhe pse mbas lufte Vuçiqi e dërgoi natën me urgjencë Listën Serbe që të bëjë Ramushin kryeministër!” Pra, këshilltari i kryeministrit ndërlidhet me një deklaratë që shpesh e kemi dëgjuar nga Ramush Haradinaj, si dyshim i rëndë për Albinin Kurtin, dhe pastaj vjen përgjigja e këshilltarit të kryeministrit në stilin nëse ti vazhdimisht e pyet Albinin pse s’të ka vrarë Serbia, po të pyesim ne ty si ke mbetur gjallë e vëllezërit t’i kanë vrarë!
Dihet se oratoria politike duron gjithçka, edhe dyshime ose sajesa të këtilla, dhe pastaj bëhet gjithçka tërkuzë. Sikur të mos ishte asgjë, rrallëkush e padit dikë për shpifje ose fyerje, ndaj dhe flasin çka t’u kujtohet, vetëm që ta nxijnë oponentin. Dhe në rastin e përmendur, nëse ka diçka për çka duhet të reagohet, duhet të reagohet për të dy “autorët”, sepse, janë në të njëjtin rrafsh, edhe dyshimi i pabazuar i Haradinajt që ia adreson Albin Kurtit, edhe ai i HysamedinFerrajt, që ia adreson Ramushit. Pra, që të dytë bëjnë të njëjtin mëkat. Bile, mëkati i të parit që hedh dyshime, është më i madh se i atij që ia kthen me të njëjtin stil. Ndaj dhe reagimet që ishin aq të ashpra, e harruan kontekstin e fjalisë kushtore dhe e morën vetëm pjesën e dytë.
- Për ta përmbyllur këtë shkrim, e pashë të udhës që të citoj një autor tjetër,Sali Bytyqin, i cili, me gjasë i nxitur nga debatet në temën e mësipërme, në Facebook shkroi:
“Përse mbeta gjallë unë?!
Unë kam qenë në një pavion me Ukshin Hotin, të cilin serbët e zhdukën, ndërsa unë jam gjallë; Unë kam qenë në burg me ata dhjetëra të plagosur, e që nuk jam plagosur askund, as jam gërvishtur; Unë kam qenë me ata më shumë se njëqind të burgosur që u vranë në Dubravë, po nuk jam vra; Ngjitur me mua, në njërin krah një u vra, në krahun tjetër tjetri u plagos, e mbi mua ndoshta më shumë u vranë, po unë mbeta gjallë! Tani bëj edhe unë pyetjen, o përse mbeti gjallë Albini që nuk ishte aty fare, po përse mbeta gjallë unë?! Dhe a duhet të ndihem në faj që mbeta gjallë?!”
Pra, i bie që nëse ke qenë në luftë ose në burg, duhet patjetër të të kenë vrarë ose helmuar, që të të lartësojnë e qajnë si hero, se përndryshe, gjithkush mund të të akuzojë pse ke mbetur gjallë!
(Autori është kolumnist i gazetës KOHA)