Qindra persona po marrin pjesë në kërkimin e dy policëve të zhdukur në lumin Lepenc, por ajo që bie në sy në mesin e gjithë këtyre njerezve është një grua rreth të dyzetave e cila mbante shtrëngueshëm një shufër të gjatë hekuri duke kontrolluar çdo pëllëmbë të lumit.
Magbule Bela nga Hani i Elezit për të pesten ditë me radhë në mënyrë vullnetare iu është bashkangjitur njesive të kërkim-shpëtimit, në përpjekje për të gjetur ndonjë gjurmë të dy policëve të rënë në lumin Lepenc të shtunën e javës së kaluar. Ajo vazhdimisht i ikën objektivit të fotoaparatit, e ndërsa i afrohemi afër ajo na thotë me zë të heshtur: “ Mos me qit në fotografi se po më vjen marre se menojnë gjinja se për qata kam dalë”.
Pas insistimit tonë për të bërë një bisedë të shkurtë për Indeksonline na përgjigjet:
“K’të po e baj n’mënyrë vullnetare se kjo mundet me i ndodhë çdokujt dhe gjithsecili e ka për obligim me e ndihmu njani-tjetrin mirëpo unë edhe i kam njoftë te dy ata djem se kam lidhje familjare me ta e janë shumë djem t’mirë, është gjynah çka ju ka ndodhë”, thotë Magbulja teksa vazhdimisht ngul shufrën e hekurt duke kontrolluar nëpër lum.
“Bulja është e fortë se u kanë në UÇK e nuk tutet”, thotë një nga banorët e zonës, i cili derisa veteranja e UÇK-së ishte futur thellë në ujërat e ftohta të lumit Lepenc, ai po i bënte fotografi nga bregu. E, ajo me një buzëqeshje të hidhur i thotë: “Na e kemi obligim me i ndihmu vendit në çdo kohë si n’luftë si n’paqe”.
Magbulja thotë se ka ardhur nga Holanda dhe i është bashkangjitur luftës së UÇK-së në zonën operative të Pashtrikut, konkretisht ka qenë pjesëmarrëse në Betejën e Kosharës. Ajo thotë se e ka pasur komandant në atë kohë Rrustem Berishën, tash ministër i FSK-së ministri e cila po udhëheq me operacionet e kërkim-shpëtimit në përpjekje për gjetjen e policëve Armend Trena e Malësor Dashi.
“Unë tash me punu s’punoj kërkun jetoj më një pension 170 euro që e marr nga shteti si veterane e luftës, shteti nuk m’ka gjet naj punë e jam met qeshtu niher po kontriboj në mënyrë vullnetare naj sen çka po kam mundësi. Unë e kam pasë një rast të tillë në familje prandaj jam shumë e ndjeshme… ” thotë me zë të ulët Magbulja, teksa tregon se para disa viteve i është mbytur në ujë vajza e vllaut dy vjeçare.
Edhe pse nuk është pjestare e FSK-së dhe pa kurrfarë pajisjesh të sigurisë, Magbulja rend e para duke çarë rrjedhën e lumit në kërkim të dy policëve ashtu siç dikur ajo me pushkë në dorë në mënyrë vullnetare i ishte bashkangjitur luftës së UÇK-së.
Ndërsa, Magbulja tash në dorë mban një shufër të kthyer hekuri ku me vullnetin e saj po ashtu të hekurt gjurmon gjithçka, me shpresën se do të gjejë qoftë edhe ndonjë shenjë se dy policët mund të jenë diku të gjallë ose të vdekur, shpresë e cila bashkë me errësirën dhe ftohtësinë e natës po bie dhe po humbet në ujërat e turbullta e të rrëmbyeshme të lumit Lepenc…