Në ditën e sotme në vitin 1943 u lind Ken Norton, ish kampion botëror në kategorinë e rëndë në versionin WBC, i cili e mahniti botën e boksit me fitore ndaj Mohammad Ali’ut në vitin 1973. Norton’i në vitin 1973 në San Diego luftoi kundër Mohammad Ali’ut dhe askush nuk i ishte dhënë shanse për fitore. Stili dhe taktika e tij e hutuan Ali’un, i cili boksoi me dhembje të forta pasi që Norton ia kishte thyer nofullën në raundet e para. Norton atëbotë fitoi me vendimet e ndara të gjyqtarëve. Para kësaj, Ali kishte humbur vetëm prej Fraizer’it në vitin 1971. “Ai mendoi se kjo do të jetë luftë e lehtë. Por, Norton ishte boksier i pazakonshëm. Në vend se ta godiste nga lartë, si shumica e boksierëve, ai e lëshonte dorën dhe jepte “direkte” të shkurtra”, ka thënë Kilroy, transmeton gazetametro.net. Ai ka shtuar se Norton’i pas meçit e ka vizituar Ali’un në spital dhe se Ali e ka lavdëruar, duke thënë se është luftëtar i madh dhe se më kurrë nuk do të luftojë kundër tij.
Mirëpo, ata pas kësaj kanë boksuar edhe në dy meçe, në të cilat Ali kishte fituar gjithashtu me vendimet e ndara të gjyqtarëve. Meçin e fundit e kanë pasur në vitin 1976 në Nju Jork në stadiumin e Yankee’ve, natën kur policia kishte pasur grevë dhe kur shumica në publikë ishin të brengosur për sigurinë e vet. Kilroy ka thënë se në mes të Ali’ut dhe Norton’it kurrë nuk ka pasur urrejtje dhe gjatë viteve ishin bërë miq të afërt, dhe se Norton gjithmonë ka besuar se i ka fituar të tri ndeshjet. Norton ka fituar titullin e kampionit botëror në kategori të rëndë në versionin WBC me fitore kundër Jimmy Jang, në vitin 1977. Ai gjatë karrierës ka pasur nofkat “Herkul i Zi” dhe “Thyes i nofullës”. Norton ka vdekur në vitin 2013 nga pasojat e sulmit në tru. Dy vitet e fundit i ka kaluar në shtëpinë e pleqve. Boksieri legjendar në karrierën e vet i ka pasur 50 ndeshje, dhe vetëm 7 humbje dhe një barazim.