“Do të jetë një ndeshje e veçantë për Leon, jo për Juventusin”, – ka thënë Andrea Barxalji para sfidës Juve-Milan, që shënon rikthimin e Leonardo Bonuçit në stadiumin e Juves. Hera e parë për të kundër bardhezinjve pas kalimit te Milani. Në ndeshjen e parë ai ishte spektator, për shkak të kartonit të kuq të marrë ndaj Xhenoas për atë goditje me bërryl ndaj Rosit.
Mbrëmja e së shtunës nuk do të jetë e zakontë për të, pasi me fanellën e Juventusit ka luajtur 319 ndeshje në 7 vjet, ka fituar 12 trofe dhe ka luajtur 2 finale të Champions League. Numra për një lojtar “flamur”, që në verë “tradhtoi”.
Kështu mendon pjesa më e madhe e tifozëve juventinë, të cilëve nuk u ka pëlqyer mënyra si mbrojtësi e la Torinon. Ai konsiderohej gati një ultras dhe ishte gati të shkonte te tifozët për të ndjekur shokët e skuadrës, nëse ishte i dëmtuar apo i skualifikikuar. Për këtë do të jetë edhe më keq për ta parë në fushë si kundërshtar, me një fanellë nga më të urryerat të bardhezinjve.
Sigurisht që pritja nuk do të jetë me duartrokitje, por me vërshëllima pikërisht për faktin se Bonuçi konsiderohej njëri nga ata. Por mund të shkojë edhe më keq për mbrojtësin, i cili duhet të marrë me vete tapat e veshëve. Pastaj, nëse shënon, gjesti i famshëm i “lani gojën” do të jetë për ish-mbështetësit e tij dhe këtu situata mund të precipitojë. Një mbrëmje e vështirë për Bonuçin dhe tifozët juventinë, të cilët do të urrejnë ish-idhullin e tyre.