Shkup, 2 qershor – Vendimi për heqjen e testimit ekstern sot është publikuar në Gazetën Zyrtare të Maqedonisë. Lajmi konfirmohet nga Ministria e Arsimit, e cila nëpërmjet një njoftimi për mediat, ka informuar se ndryshimet ligjore për arsim fillor, atij për arsim të mesëm si dhe ndryshimi i ligjit për testimin ekstern, u publikua në Gazetën Zyrtare me numër 67, ndërsa në fuqi ndryshimet ligjore hyjnë nga 1 qershor. “Me këto ndryshime ligjore është shfuqizuar testimi ekstern dhe e njëjta nuk do të mbahet nga ky vit. Gjitha procedurat për që këtë vit janë bërë për fillimin e testimit ekstern do të ndërpriten”, thuhet në njoftimin e MASH-it. Ndryshe, Parlamenti i Maqedonisë në pjesën e pasdites së djeshme nga vazhdimi i katërt i seancës solli ndryshime në Kodin zgjedhor me çka do të mundësohet mbajtja e zgjedhjeve lokale në gjysmën e parë të tetorit dhe vazhdimin e mandatit të kryetarëve të komunave. Gjithashtu, solli edhe ndryshime në ligjet për arsimin tetëvjeçar dhe të mesëm dhe për arsimtarët në shkollat fillore dhe të mesme, të gjitha me procedurë të shkurtuar. Me ndryshimet u mundësua heqja e testimit ekstern i cili zbatohej që nga vitit 2013. Në seancë nuk morën pjesë deputetët e opozitës VMRO-DPMNE.