Londër, 15 shtator – Ministri britanik i Shëndetësisë, Met Henkok, sot pranoi se në vend ekzistojnë sfida lidhur me testet për koronavirus, pas rritjes së shpejtë të konsumit.
Duke folur në Dhomën e Ulët të parlamentit, Henkok tha se qeveria punon shumë për ta zgjidhur problemin lidhur me qasjen e testimeve për Kovid-19, por pranoi se kjo mund të zgjasë edhe disa ditë, kumtoi Skaj Njuz.
Ministri theksoi se testimet tani duhet të kryhen sipas sistemit të prioriteteve dhe, gjithashtu, lajmëroi racionalizim të mundshëm të ardhshëm të testeve.
“Tërë Dhoma e Ulët e parlamentit është në dijeni se ekzistojnë sfida operative dhe se punojmë pa u lodhur në zgjidhjen e tyre”, tha ministri britanik i Shëndetësisë. Ai shtoi se ka rritje të dukshme të numrit të njerëzve të cilët duan të testohen, duke i përfshirë edhe ata të cilët nuk i plotësojnë kushtet.
Deklarata e Henkok vjen në kohën kur Shërbimi shëndetësor kombëtar kumtoi se edhe 14 persona kanë vdekur, ashtu që numri i përgjithshëm i rasteve të vdekjes në vend tani arrin 29.676.