Fjalori i Gjuhës së Sotme Shqipe për nocionin lugat jep këtë shpjegim “Figurë e besimeve të kota, që përfytyrohej si njeri, i cili në gjallje të tij ishte shumë i keq dhe pas vdekjes ngrihej natën nga varri, endej rrugëve e nëpër shtëpi dhe trembte njerëzit…thoshin se u bë (doli) lugat.”…, kurse për emrin vampir thuhet: “mit. i vdekur që, sipas besimeve të kota, gjoja del natën nga varri për të thithur gjakun e njerëzve të gjallë ”…, ndërkaq për tebdil ky fjalor thotë: “Krejt ndryshe në veshje, në fytyrë, me pamje tjetër a me rroba të tjera për të mos u njohur”
Nga Fadil LUSHI
Miku im i nderuar dhe i paanshëm! Në këtë shkrim timin “nuk do t’i referohem shpjegimit të Fjalorit tonë” sa u përket shprehjeve të lartpërmendura, jo se janë “figura të besimeve të kota”, jo se nuk janë të sakta, përkundrazi “do t’u referohem provave a fakteve që vërtetojnë prezencën” e lugetërve, vampirëve nacionalistë dhe tebdilëve “të moderuar”…, ndërkaq lidhshmërinë e tyre me moralin e dyfishtë të këtij opinioni do ta parashtroj në paragrafët në vijim.
Në shtetet skandinave thonë se mishshitësit nuk e hanë suxhukun, ndërkaq politikanët fjalimet e tyre, të dala si lajm nëpër gazeta, fare nuk i lexojnë! Që të dy palët e dinë shumë mirë se si janë përgatitur ato, me “ç’zarzavate” janë gatuar, ku janë përgatitur dhe për kë janë dedikuar! Sot, të heshtësh a të mos heshtësh, kjo (s)është çështja, të shkruash a të mos shkruash me e pa tamam, askujt nuk i plas fare, ta bësh a të mos e bësh punën me “axhele” dhe me ndërgjegje të pastër, dije se njerëzit që i ke përreth kanë me të konsideruar si të marrë, të flasësh me zë të lartë e të çjerrë për katrahurën që (nuk) na ka kapur për fyti dhe për…, është njësoj sikur të mbulosh diellin me shoshë, sot të luash rolin e njeriut të sinqertë, lëre që është tragjikomike, por edhe marrëzi…, sot të ngresh krye kundër pushtetit të “mbretit” ose kundër një autoriteti të pamerituar, është njësoj si ajo puna e shpendit ekzotik – strucit, i cili, për t’i shpëtuar rrezikut që i kanoset, fut kokën në rërë, sot të bësh moralin a sjelljen e ndershme kjo nuk çon peshë, sepse asnjeri nuk të dëgjon dhe nuk të bën hesap…, paçka se ne ndërtojmë shkrimin a vështrimin me “surrat të dyfishtë”, kur kjo askujt nuk i hyn në punë, sidomos sot kur gjithsecilit i ka ardhur në majë të hundës…, paçka se ka njerëz të cilët për kokërr të qejfit, po edhe për shtatë palë qejfe të tjera, do të sajojnë ndjenjën e hakmarrjes a armiqësisë kundrejt të tjerëve që mendojnë ndryshe, paçka se njerëzit shtojnë dashurinë e dikush tjetër shton çallëmin…, paçka se skamnorit i shtohen dertet, e ca të tjerëve u rritet mendja, paçka se asnjëri prej nesh nuk shqetësohet me “gjymtimet e pasaportës së arsimit tonë të lartë, një pasaportë që nuk të mundëson të lëvizësh përtej kufijve administrativë të Gadishullit Ilirik”, paçka se gjymtimet tona i diktojnë a i hetojnë jabanxhinjtë pavarësisht se ne i kemi para hundëve tona…, të cilët ose nuk i shohim, ose nuk duam t’i shohim ose, në instancë të fundit, i heshtim si të tilla…, paçka se bëmat tona, arritjet tona i vlerësojnë të huajt, pavarësisht se janë pronë jona. ”Të heshtësh, të shkruash, të flasësh, të luash rolin…, të ngresh krye…, të bësh moralin…, të bësh punën…, e të tjera të bësh”, mua ma kujton atë çudinë e mbretëreshës së llastuar të Danimarkës, njëqind vjet më parë, kur këshilltari i saj i kishte thënë se populli kishte dalë në demonstratë dhe kërkonte bukë, ajo ishte përgjigjur e habitur: “Duan bukë!? Po pse nuk hanë biskota!” A mos vallë edhe te ne ka njerëz që prej “mbretëreshës rrospi” (nuk) kërkojnë bukën e gojës, a mos vallë në mungesë të bukës (nuk) do të hanë domate, a mos vallë ata që kanë më shumë se ç’u duhet do të vazhdojnë të bëjnë sehirxhiun, do të bëjnë zakonin, do të bëjnë intrigën, do të bëjnë aksham- pazarin me mallin e “miletit pa brekë” (siç do të thotë Mitrush Kuteli), do të bëjnë tellallin, do të bëjnë zurnaxhiun, do të bëjnë daulltarin toptan në emër të popullit fukara…, a mos vallë ne (nuk) do të kemi nevojë për njeriun që do të kandidohet për president shteti (jo) konsensual, i cili pasi vë bythën në kryeminderin e huqumatit, kur i teket del TEBDIL në çarshi e na thotë: “Mos keni nevojë për dajakun e radhës, a mos keni nevojë që unë ta firmos Ligjin për gjuhën tuaj që e ka vlerën e monedhës njëzetqindarkëshe, a mos keni nevojë që të ikni që këtej shtetit tim antik a qymezit tim biblik, a mos vallë keni nevojë për atë parullën fashistoide – përçaj e sundo…, a mos keni nevojë që t’u pres biletën për një drejtim…, a mos keni nevojë t’ua përsëris thirrjet raciste – Shqiptar i mirë është shqiptari i vdekur…, pllaninari…, indijanci…,”
Sot e gjithë ditën e Perëndisë, edhe përtej mungesës së vlerave mendore e shpirtërore, edhe përtej eksodit të të rinjve nga vendi, edhe përtej rrëmujës ekonomike, juridike, politike, arsimore po edhe kulturore, edhe përtej zaptimit të institucioneve shtetërore, përfshi edhe ato fetare, nga ana e pushtetit, edhe përtej mungesës së llogaridhënies, ne parapëlqejmë të heshtim, ne parapëlqejmë të mbyllim sytë e gojën karshi pranisë së shtresave të privilegjuara të cilët përditë e më shumë, me pa të drejtë shtojnë pasurinë e tyre, ne me a pa të drejtë ua hapim rrugën kalorësve të vonuar, pseudo-patriotëve, provincialistëve, vatanlive, kombëtarëve të rrejshëm dhe çetave të kreshnikëve të rremë ta nëpërkëmbin lavdinë e kësaj toke, të shkelin mbi gjakun e dëshmorëve të luftës, të harrojnë kontributin e ish të përndjekurve politikë, a mos vallë ne, me a pa sebep, me a pa hiri, VAMPIRIT prej NACIONALISTI i mundësojmë të fusë hundët në kështjellën a arsimit tonë për të na mësuar sesi duhet anashkaluar këtë institucionin tonë të shenjtë…, a mos vallë ne kemi nevojë për këshillat e tyre sesi duhet të jemi të pandërgjegjshëm dhe të papërgjegjshëm karshi krijimit të sindromës së analfabetit funksional, a mos vallë kemi nevojë për urdhrat e tyre sesi nuk duhet qortuar mësuesin tonë prej shqiptari pse ai nuk bën kujdes me nxënësit për drejtshkrimin dhe drejtshqiptimin…, pavarësisht se nuk është gjuhëtar dhe pavarësisht se është mësues!
Miku im i dashur! Pa më thuaj a mos vallë nuk të ka ikur fiqiri te pushteti gjyqësor për të parë se në ç’derexhe është katandisur! A mos vallë nuk të duket se në kërthizë të gjyqësorit ka vënë bythën LUGATI!…, a mos vallë gjyqësori “nuk të duket si ai varri i hapur” ku duken eshtrat e ushtarit të panjohur, i cili dikur moti ra “shehit” a dëshmor për çlirimin e tokave të huaja…, ky gjyqësori, a nuk të duket njësoj si ajo tava e ndryshkur dhe e palarë e shtëpiakes prej dembeli, a nuk të duket si ajo banda frymore që detyrohet t’i bindet verbërisht diktatit të dirigjentit intrigant…, a nuk dëgjove se ç’dënim iu dha vrasësit të Almirit të vogël 4 vjeç, a nuk kishin të drejtë prindërit e tij të thonë: “Kjo nuk është drejtësia që ne duam për Almirin tonë”. A mos vallë sopotasit me në krye plakun NN, nuk kanë të drejtë të thonë: “Kjo nuk është drejtësia që duam”…, nëse kjo drejtësi është drejtësi, atëherë pse mbyllën gojën karshi dhënies së dëmshpërblimit! Vëllaçko! Nëse e teprova, më fal.
Burrështetasi amerikan, Benxhamin Franklin, shumë kohë më parë kishte thënë: “Te vetmet gjëra të sigurta në këtë botë janë taksat dhe vdekja!”. (koha.mk)