Bujar KURTAJ
Shkup, 13 korrik – Skuadra e Shkëndijës është e gatshme për të matur forcën në turin e dytë paraeliminator të Liga Evropës kundër finlandezëve të Helsinkit. Një ndeshje më e vështirë se sa ajo kundër Daçias në raundin e parë, kur kuqezinjtë demoluan në të dyja përballjet ekipin nga Moldavia duke e mundur me 7:0. Por, djemtë e trajnerit Qatip Osmani janë të karikuar për ta përballuar me sukses këtë takim. Në konferencën për shtyp një ditë para ndeshjes, kapiteni Ferhan Hasani dhe trajneri Qatip Osmani u shprehen të karikuar për të bërë maksimumin në ndeshjen e parë, që luhet sot (e enjte) në stadiumin “Mladost” në Strumicë.
Për trajnerin Osmani, Helsinki është kundërshtar më i fortë se Daçia dhe këtë ua ka thënë edhe lojtarëve, derisa pohon se do të tentojnë që në ndeshjen e parë të arrijnë rezultat pozitiv. “Pas kualifikimit në raundin e dytë, përgatitjet dhe takimet me futbollistët i kemi shfrytëzuar për ti evituar ato gabime që i kishim në dy përballjet me Daçian. Tani na pret përballja me Helsinkin, realisht një ekip më kualitet më të madh se Daçia, ndërsa këtë ua thash edhe lojtarëve të mi. Ne maksimalisht e presim këtë ndeshje, prandaj do të tentojmë që në ndeshjen e parë të arrijmë rezultat pozitiv”, tha Osmani. Derisa, për kapitenin Ferhan Hasani, që është futbollisti më i mirë i kuqezinjve, pranon se nuk do ta kenë lehtë ndaj Helsinkit, por nëse arrijnë të përsërisin lojën me Daçian, beson se do të arrijnë të kapin rezultat pozitiv. “Sigurisht se para vetes kemi një kundërshtar të fortë. Edhe pse në këtë ndeshje po hymë pas një paraqitje dhe rezultati të mirë në përballjen me Daçian, kjo nuk donë të thotë se do ta kemi lehtë. Mirëpo, nëse arrijmë të përsërisim lojën nga ndeshja e parë, duke ia bashkangjitur asaj dhënien e maksimumit të të gjithë lojtarëve, besoj se mund të arrijmë deri te rezultati pozitiv”, deklaroi “Buba”.
Ndërkohë nga klubi kuqezi thanë se edhe në këtë ndeshje presin përkrahje nga dashamirët e KF Shkëndija përfshi këtu edhe grupin e tifozëve “Ballistët”. Ata pranuan se intensiteti i tifozëve dhe publikut nuk është i njëjtë sikurse kur Shkëndija luan në Shkup, ndërsa duke marr parasysh se është koha e pushimeve dhe biletat shiten “online” ata nuk mund të japin një numër ideal se sa shikues dhe tifoz pritet të jenë sot prezent në shkallët e stadiumit “Mladost” në Strumicë.
Përballja Shkëndija – Helsinki luhet të enjten në ora 18.00.