Helmimi i ushqimit zakonisht ndodh kur patogjenët ndotin ushqimin ose ujin e pijshëm, dhe rreziku më i lartë për t’u prekur nga helmimi, është pikërisht tani në stinën e verës. Simptomat e para, të helmimit nga ushqimi, janë të vjellat, diarre dhe dhimbje stomaku.
Por si mund ta marrim veten pas një helmimi pa shkuar tek doktori?
Vjellja dhe diarreja mund të shkaktojnë dehidrim, ndaj rekomandohet, që të konsumoni sa më shumë ujë që të mundeni, pasi ta keni lënë stomakun tuaj bosh për disa orë. Përsa i përket ushqimit, duhet të konsumoni ushqime ‘të buta’, të tilla si banane, drithërat, e bardha e vezëve, mjaltë, patate të thjeshta, duke përfshirë këtu purenë e patateve si dhe orizin. Gjatë një helmimi me ushqim, është e rëndësishme që trupi juaj të ndjekë reagimin e tij natyral për t’u vetëpastruar nga bakteret e dëmshme, që kanë mbetur në organizëm.
Por helmimi, nuk shkakton shqetësime vetëm në stomak, dhe nëse nuk tregoheni të kujdesshëm, mund të dëmtoni dhe pjesë të tjera të trupit si; smalti i dhëmbëve. Acidi i stomakut, i shkaktuar gjatë të vjellave, mund të dëmtojë smaltin në dhëmbët tuaj nëse ju i pastroni menjëherë ato pasi keni vjellë. Në të tilla raste, rekomandohet që të vononi procesin e larjes së dhëmbëve sa më shumë, dhe nëse ju bezdis shija e pakëndshme e gojës pasi keni vjellë, në vend të kësaj, mund ta shpëlani gojën, duke përzier ujin me sodën e bukës.
Por cilat ushqime dhe pije duhet të shmangim?
Trupi juaj pas helmimit, është shumë i dobët, ndaj duhet të keni kujdes që të shmangni një rrezik të mundshëm për t’u helmuar sërish. Prioriteti juaj numër një duhet të jetë, shmangia e ushqimeve që ju kanë shkaktuar helmimin. Shmangni ushqimet, pijet dhe substancat që janë të vështira për tu tretur në stomak, të tilla si: alkooli, kafeina (sode, pije energjie ose kafe), ushqimet me erëza, ushqime të larta në fibra, produktet e qumështit, ushqimet e skuqura si dhe të shmangni konsumimin e duhanit.
Por cilat janë personat që duhet të kenë më tepër kujdes nga helmimi?
Foshnjat dhe fëmijët
Helmimi i ushqimit është aq i zakonshëm tek fëmijët sa është tek të rriturit. Fëmijët, veçanërisht ato nën moshën një vjeçare, janë të ndjeshëm ndaj botulizmit. Botulizmi është i rrallë, por mund të çojë në paralizë dhe madje edhe vdekje nëse nuk kapet herët. Fëmijët gjithashtu janë në rrezik më të madh për të pasur reagime serioze ndaj baktereve. Çdo fëmijë që duket se ka simptoma të helmimit me ushqim duhet të konsultohet me një mjek, për të marrë trajtim të menjëhershëm. Fëmijët dehidratohen më lehtë se të rriturit dhe duhet të monitorohen më me kujdes.
Së dyti, gratë shtatzëna duhet të trajtojnë çdo rast të helmimit me ushqim, me kujdes. Helmimi i ushqimit, rrezikon të dëmtojë zhvillimin e foshnjave të palindura. Ushqimi i duhur në gratë shtatzëna është thelbësore për të ndihmuar zhvillimin e foshnjave, dhe për këtë arsye, çdo shenjë e helmimit duhet të trajtohet nga një profesionist.
Së treti, renditen të moshuarit, të cilët janë më të ndjeshëm ndaj ndërlikimeve nga helmimi me ushqim. Në veçanti, helmimi tek kjo grupmoshë, mund të shkaktojë hemorragji dhe probleme tek veshkat.
Së fundmi, renditen ata persona të cilët vuajnë nga sëmundje të tjera, të tilla si diabeti, sëmundje të mëlçisë, apo sëmundje të tjera kronike. Kjo kategori duhet të konsultohet menjëherë me një mjek, nëse ka simptoma të helmimit nga ushqimi.
Kur duhet të konsultohem me një mjek?
Simptomat e helmimit me ushqim zakonisht nuk zgjasin më shumë se 48 orë. Nëse keni kaluar dy ditë që nga shfaqja e parë e simptomave, është koha për t’u konsultuar me një mjek. Mbani mend se simptomat e rënda, të tilla si hemoragjia, marramendja, dobësia e muskujve dhe ngërçi i stomakut duhet të merren seriozisht. Mos prisni që këto simptoma të zhduken para se konsultohemi me një mjek.