Dy ditë më parë u protestua në autostradën “A1” (Rruga e Kombit) dhe u dogjën kioskat taksambledhëse të pagesës për kalimin përgjatë saj. Nuk më pëlqen emri propagandistik “Rruga e Kombit”, sepse u vendos për t’i mbushur mendjen popullit se duhej bërë me çdo kusht dhe me çdo çmim.
Rrugët, të kombit janë, se në kohën kur janë ndërtuar kanë lidhur zonat dhe popullsinë ndërmjet tyre, kanë shkëmbyer mallra dhe kulturë.
E tillë ishte dhe hekurudha Milot-Rrëshen, e cila u sakrifikua për të ndërtuar lehtësisht një segment të rrugës mbi trasenë e saj!
Nuk më kujtohet se sa popull doli për të protestuar kundër shpërdorimit të pasurisë së tij. Nuk kam dëgjuar që në shpenzimet e majme të rrugës të jetë përfshirë dhe vlera e ndërtimit të saj, ashtu si dhe ajo e shkatërrimit, së bashku me fitimin e munguar.
Për pak mbeti pa përfunduar dhe segmenti Rrëshen-Klos. Transporti i kromit tani bëhet me kamionë të rëndë që po shkatërrojnë rrugët Klos-Burrel-Milot dhe Klos- Rrëshen.
Nga Rrësheni mund të vazhdonte hekurudha deri në Kukës e më tej dhe propagandistët mund të kishin ideuar “Hekurudhën e Kombit”, mbi të cilën do të lëviznin shumë më tepër e me kosto më lirë mallra dhe udhëtarë.
Në Tiranë do të vinin shumë më tepër nxënës e studentë nga Kosova, nga ç’sjellin ata 5-6 autobusë çdo ditë.
Nuk u protestua as kur u prish Stacioni i Tiranës (përveç ish-pronarëve të truallit)! Tani politika do të rregullojë biografinë dhe premton ta ndërtojë përsëri!
Kush do të paguajë për së dyti? Le ta bëjnë ata vetë me aksion, se shumica janë të rinj dhe nuk e dinë se si u ndërtuan hekurudhat!
Rruga lindi keq se u prish hekurudha dhe kjo ishte pasuri i popullit! Përjashtojeni nga taksa e rrugës, brezin që ndërtoi hekurudhën me aksion!/Albanian-Transport/