Shkup, 21 shkurt – Mbaron projekti për tenderimin dhe ndërtimin e hekurudhës Kriva Pallankë deri tek pika kufitare Deve Bair që do të lidh Republikën e Maqedonisë dhe atë të Bullgarisë dhe do mundësoj zhvillim ekonomik të rajonit.
Projekti pritet të finalizohet në vitin 2025 ndërsa janë siguruar vetëm 60 milion euro prej 350 të nevojshme për realizimin e plotë të këtij projekti.
Ministri I transportit dhe lidhjeve Sugareski tha se mjetet tjera të nevojshme do të sigurohen nga financat ndërkombëtare. Ai shtoi se janë të vetëdijshëm për realizimin e pjesës së mbetur të projektit. Ndërtimi I seksionit Kumanovë- Belakovce pritet të mbaroj në vitin 2019, për seksionin nga Belakovci deri në Kriva Pallankë pritet këtë vit të lidhet kontratë me kryerësin e punëve ndërtimore dhe të filloj ndërtimi menjëherë. Ai theksoi se së bashku me homologun e tij bullgar Ivajllo Moskovski janë dakorduar që të dy vendet të paraqesin projekte me rëndësi rajonale që bashkërisht të mbledhin mjetet e nevojshme.
“Projekti parashikon ndërtimin e hekurudhës me gjatësi prej 23,4 kilometra. Është parashikuar që në hekurudhë të ndërtohet një stacion, 23 tunele nga të cilët një tunel që gjysma gjendet në territorin e Republikës së Maqedonisë, gjysma në territorin e Bullgarisë. Sipas vlerësimeve tona ndërtimi duhet të filloj në vitin 2021 dhe të përfundoj në vitin 2025. Duke u bazuar në atë se bëhet fjalë për hekurudhën më komplekse presim që vlera e investimit të arrij deri 350 milion euro. Ministria e transportit dhe lidhjeve tashmë ka siguruar 60 milionë euro mjete të pakthyeshme nga Bashkimi Evropian përmes programit operativ 2017-2029. Mjetet e mbetura do ti sigurojmë me kohë përmes institucioneve financuese ndërkombëtare”, tha Goran Sugareski, Ministër i transportit dhe lidhjeve./alsat/