Linjat ndërkombëtare nga Shkupi vozisin vetëm deri në Prishtinë, ndërsa deri në Beograd dhe Selanik qarkullojnë vetëm gjatë muajve të verës. Në transportin e brendshëm qarkullojnë 15 linja të trenit
Fisnik PASHOLLI
Shkup, 28 shkurt – Komunikacioni hekurudhor në Maqedoni shënon rënie të dukshme. Për shkaqe objektive, por edhe subjektive se vjen e më pak trena qarkullojnë nga Shkupi, por edhe në drejtim të kryeqendrës së Maqedonisë së veriut. Linjat ndërkombëtare nga Shkupi vozisin vetëm deri në Prishtinë, ndërsa deri në Beograd dhe Selanik qarkullojnë vetëm në muajt e verës. Në transportin e brendshëm qarkullojnë 15 linja të trenit, dhe atë nga katër prej Shkupi deri në Tabanov dhe Veles, nga tre deri në Veles, nga dy deri në Gjevgjeli dhe nga një deri në Kërçovë dhe Koçan dhe anasjelltas, shkruan gazeta KOHA.
Në fillim të vitit të kaluar, kompania “Trenat e Serbisë” së bashku me kompaninë greke TRAINOSE, vendosën që pas 30 shtatorit të vitit 2018, nuk do të qarkullojnë në linjën Beograd-Selanik-Beograd, për shkak të mungesës së rentabilitetit. Apo do të qarkullojnë në këtë linjë, vetëm në periudhën e verës apo prej 15 qershorit deri më 15 shtator të vitit 2019. Konfom dispozitave ndërkombëtare, ato kanë të drejtë në një vendim të tillë, për shkak se menaxhmenti i kompanive ku nisën dhe ku nisën treni edhe mund të ndërpresë udhëtimin trenit, ndërsa Hekurudhat e Maqedonisë si menaxhhment transit nuk kanë të drejtë të vendosin për një ndërprerje të tillë. Njëherazi në negociata me menaxhmentin e fqinjit verior është arritur pajtimi që treni të qarkullojë deri në fund të shtatorit të vitit të kaluar.
Maqedonia posedon 700 kilometra të hekurudhës, ndërsa parku vozitës përbëhet nga 11 trena me motor dizel dhe 4 trena me ngasje elektrike.
Në ndërkohë në plan është projekti i ri për kafe në Selanik. Hekurudhat e Maqedonisë janë në bisedime e sipër me kompaninë transportuese të hekurudhës greke, Trainose për vendosjen e linjave të reja përgjatë muajit të verës nga Shkupi deri në Selanik për shopin, dhe pikat turistike në detin Egje, Leptokaria dhe Nei Pori, por edhe për linjë direkte prej Shkupi deri në Stamboll. Planifikohet që në këtë të inkuadrohen edhe agjencitë turistike që në ofertat e tyre do të përfshijnë udhëtimin me tren nga Shkupi deri në Nei Pori. Me autoritete greke, bisedohet edhe për vendosjen e linjës Manastir-Lerin, pas rikonstruimit të saj në fund të vitit të kaluar. Trena lokal tejkufitar parashikohen edhe me Serbinë për çka bisedohet me autoritete e atjeshme. Ideja është që treni nga TabanoCi të lidhet me trenin lokal Preshevë-Nish, për të vazhduar më tej udhëtimin për në Beograd.
Ulja e madhe e transportit të pasagjerëve me tren, është edhe më shqetësuese nëse krahasohet me situatën e para 13 viteve, kur nga Shkupi i nisnin bile 32 trena në linjat vendore dhe ndërkombëtare.
Transporti me tren në Maqedoni vite me radhë vuan edhe nga mospasja e linjës hekurudhore në drejtim të Bullgarisë që është në ndërtim e sipër dhe pritet të përfundojë deri në vitin 2023, ndërsa me tren nga Shkupi, përmes Kërçovës deri në Durrës pritet të udhëtojmë nga viti 2030. Sfidë në të ardhmen do të jetë realizimi i linjës së hekurudhës prej Kërçovë deri në kufirin e Shqipërisë, në gjatësi prej 62.5 kilometra. Kjo linjë si pjesë e korridorit evropian tetë do ti kushtojë shtetit afër 500 milion euro, ndërsa pritet të ndërtohet në një pjesë të madhe me kredi dhe grante të jashtme , si dhe ekspertizë ndërkombëtare ngjashëm me linjën në drejtim të Bullgarisë.
Në plan është edhe vendosja e linjës hekurudhore prej stacionit të trenave në Shkup deri në aeroportin e Shkupit, pas arritjes së rezultateve prej 2 milion në vit të pasagjerëve që udhëtojnë nga Maqedonia me avion jashtë shtetit. Shteti nevojitet të ndërmarrë edhe masa për lehtësimin e transportit të pasagjerëve dhe mallrave, Në shtetet anëtare të BE-së, transporti hekurudhor kryhet pa ndryshimin e lokomotivave në vendkalimet kufitare dhe pa kryerjen e kontrolleve të ndryshme doganore. Përkundër kësaj, një tren që më parë qarkullonte nga Selaniku në drejtim të Zagrebit nevojitej që të ndërrojë së paku katër lokomotiva, deri në destinacionin e fundit. Shtuar këtu humbjen e kohës me formalitet e kontrolleve të pasaportave dhe të doganës. Nga ana tjetër, në korridorin 10, trenat e transportit të mallrave nga Hungaria përmes Rumanisë, Bullgarisë dhe deri në Greqi si rrjedhojë e anëtarësimit të këtyre shteteve në BE, e kanë shumë më lehtë të organizojnë udhëtimin në raport me shtetet e ish Jugosllavisë. Në këtë drejtim, është paralajmëruar se Maqedonia dhe Serbia prej vitit 2020 do të fillojnë të ndërtojnë vendkalim kufitar të përbashkët hekurudhor në Tabanoc me vlerë prej 4.5 milionë euro, që do të financohet nga BE, raporton KOHA.
Në ndërkohë ekspertët thonë se shfrytëzimi më i madh i trenit si mjet transportues në raport me mjetet e tjera kërkon modernizimin e tij. “Transporti me tren mund të shfrytëzohet për bartjen e mallrave dhe pasagjerëve prej Shkupit në drejtim të Tetovës, Kumanovës dhe Velesit , ku jetojnë më shumë se një milion banorë që për çdo ditë gravitojnë ndaj Shkupit. Largësia prej vetëm 50 kilometra e këtyre qendrave urbane prej Shkupit mund të jetë afër nëse pasagjerëve ju mundësohet shërbim cilësor dhe kohë e shkurtër e udhëtimit që e plotësuar me transport urban, do ti kthente ata ndaj transportit me tren”, thotë eksperti Zoran Krakutovski. Sipas tij, edhe në Shkup mund të shfrytëzohet unaza e hekurudhës për të evituar tollovitë në trafik por edhe për të ulur ndotjen, duke ju mundësuar qytetarëve të Shkupit të mos jenë të detyruar të tranzitojnë në qendër të Shkupit. (koha.mk)