Bruksel, 5 qershor – Nënkryetari i Bankës evropiane për rikonstruim dhe zhvillim (BERZH), Pjer Hejlbron, në konferencë për shtyp me kryeministrin Zoran Zaev, porositi se procesi i inkuadrimit të Maqedonisë së Veriut në BE është i një rëndësie të madhe për institucionin e tij dhe në përgjithësi për klimën afariste në vend, transmeton KOHA.
I pyetur të japë qëndrimin e tij për datën për negociata me BE-në, të cilën e pret Maqedonia, njeriu i dytë i BERZH-it deklaroi se ai nuk mund të përgjigjet drejtpërdrejtë në atë pyetje, sepse nuk është në kompetenca të tij, por se BE-ja është procesi i dimensionit kyç të jetës ekonomike dhe politike të vendit.
“Nevojitet stabilitet për investuesit”, deklaroi Hejlbron duke i cekur efektet pozitive që i ka pasur Marrëveshja e Prespës ndaj ekonomisë, investimeve dhe tregtisë.
Ai shtoi se integrimi në BE është gjithashtu kyç lidhur me mbajtjen e tempos për reformat e domosdoshme me të cilat do të “çilet potenciali” i vendit. Në atë pikëpamje, vlerësoi nënkryetari i BERZH-it, hapja e negociatave do të ishte hap i cili do të bënte dallimin dhe se banka do të vazhdojë ta mbështesë Maqedoninë e Veriut në këtë rrugë.
Për BERZH-in, që ka investuar mbi dy miliardë euro dhe 150 projekte në vend, reformat, por edhe integrimi rajonal, do të thonë klimë e përmirësuar afariste në Maqedoni. BERZH, përkujtoi ai, është investuesi i dytë në Ballkan, duke e përfshirë edhe Greqinë.
Hejlbron përkujtoi se krahas zhvillimit ekonomik, për bankën është me rëndësi të jashtëzakonshme edhe kujdesi për mjedisin jetësor gjatë investimeve dhe projekteve.
Banka, theksoi nënkryetari, e nxitë shtetin t’u japë rëndësi investimeve të cilat ndihmojnë të zhvillohen burimet ripërtëritëse të energjisë dhe të ndryshohen rregullativat ligjore në atë drejtim. (koha.mk)