Shkup, 20 janar – Skuadra e Shkëndijës ka zyrtarizuar marrëveshjen me Rubin Hebajn. Palët kanë gjetur akordin dhe është firmosur kontratë për 2.5 vite. I lindur më 30 korrik të vitit 1998 në Shkodër, sulmuesi kontratën e parë profesionale e firmosi në vitin 2015 me skuadrën e qytetit të tij, Vllazninë, për të kaluar dy vite më vonë (2017) në Slloveni te NK Domzhale.
Në sezonin 2018/2019 sllovenët e huazuan te Partizani i Tiranës ku me 4 gola ndihmoi skuadrën të fitonte titullin e kampionit në Shqipëri, ndërsa menjëherë pas kësaj pasoi kalim nga Domzhale te Vorskla në Premier Ligën e Ukrainës. Në janar të vitit të kaluar Teuta e Durrësit e ktheu në Shqipëri ku fitoi Kupën dhe Super Kupën, ndërsa vjen në Tetovë si përforcim për sulmin kuqezi.
Shkodrani ka luajtur rregullisht me kombëtaret (U17, U19 dhe U21) e moshave të Shqipërisë Rubin Hebaj tashmë mendon si kuqezi. Sulmuesi 22 vjeçar pas zyrtarizimit të marrëveshjes, është prononcuar për kanalin zyrtar të klubit.
“Ndjehem shumë mirë në fakt. Të gjithë më pritën shumë mirë në si ditë e parë në klub. Isha për të bërë vizitat mjekësore, u ndjeva tamam si në shtëpi dhe kisha ndjenjën që po vija në një klub shumë të madh si Shkëndija. Kohët e fundit Shkëndija ka bërë shumë mirë si në kampionatin maqedonas, ashtu edhe në Evropë dhe gjithmonë në mesin e ekipeve shqiptarë që i kam ndjekur edhe në televizor ka qenë edhe Shkëndija për arritjet që ka pas. Gjithsesi vetë projekti i klubit më bëri të pranoj dhe me ardhur të firmos kontratën këtu për të bërë më të mirën për klubin”, theksoi Hebaj, duke shtuar:
“Shkëndija është një ekip ku flitet shqip dhe ndjehem sikur jam në shtëpinë time. Shpresoj që kjo hera e tretë që dal nga Shqipëria të jetë e treta e vërteta për të bërë një sezon shumë të mirë. Besoj që nuk mund të jap premtim, por mund të them që do të bëj më të mirën për klubin, do të mundohem të shënoj sa më shumë gola, sepse roli im është sulmues normal dhe ekipi të arrijë sa më lartë me golat dhe paraqitjen time. Besoj pjesa tjetër do ngelet ta tregoj në fushë”, shtoi sulmuesi më i ri i kuqezinjve.
Rubin Hebaj në vazhdim foli edhe për tifozët e Shkëndijës, “Ballistët”. “Kush si njeh ‘Ballistët’!? Edhe kur kam pa Shkëndijën, por edhe kombëtaren i kam ndjek dhe kam pa atë frymëzimin si një dëshirë që një ditë të luaj për klubin për të cilin ata bënin tifo. Shpresoj që sa më shpejtë kjo periudha e pandemisë që të kthehen tifozët në stadium, të na mbështesin dhe të na japin atë ndjenjën e ‘lojtarit të 12-të’, deklaroi Hebaj. Në fund sulmuesi shkodran tha disa fjalë edhe për titullin. “Për titullin? Besoj shumë, sepse Shkëndija ka disa vite që është në majat e futbollit në Maqedoni dhe kam shumë besim që do arrijmë objektivat e klubit”, tha Rubin Hebaj.