Në Qeverinë e Republikës së Maqedonisë sot me një ceremoni rasti Festim Halili ia dorëzoi detyrën zëvendëskryeministrit të sapoemëruar, Hazbi Lika. Në këtë rast, siç thuhet në kumtesë, zëvendëskryeministri i deritanishëm Halili, theksoi se gjatë takimit me pasardhësin e tij, e ka njoftuar me funksionimin e Sekretariatit për Implementimin e Marrëveshjes së Ohrit, projektet dhe punët e realizuara deri më tani, si dhe i ka dëshiruar punë të mbarë dhe të suksesshme.
“Emërimi im dhe i kolegëve të mi si pjesë e kabinetit qeveritar para një viti, ku vendi ishte në një krizë të thellë politike, ishte një sfidë dhe përgjegjësi e madhe. Prandaj, gjatë kësaj periudhe kemi qenë të fokusuar në realizimin e projekteve që ishin pjesë e Programit të Qeverisë dhe ndërtimin e një shoqërie të barabartë për të gjithë, në frymën e Marrëveshjes së Ohrit”, tha Halili.
Ndërkaq, në prononcimin e tij të parë, zëvendëskryeministri i ri, Hazbi Lika, falënderoi të gjithë faktorët për emërimin e tij në këtë detyrë duke potencuar se reformat do të jenë bazë e punës së tij. Ai falënderoi zëvendëskryeministrin në largim, Festim Halilin për punën e bërë gjatë periudhës së kaluar. “Vazhdojmë me të njëjtën dinamikë dhe qëllime strategjike për të reformuar çdo gjë që ka shkuar keq deri më sot në këtë shtet. Unë me detyrën e re në bashkëpunim me të gjithë faktorët relevantë, do të përkushtohem deri në atë fazë sa do të mundem, për të punuar për të mirën e qytetarëve”, tha Lika.