Eden Hazard ka thënë se synon t’i mahnitë të gjithë në Real Madrid me paraqitjet e tij në sezonin në vijim. Hazard debutoi për Real Madridin në humbjen 3:1 ndaj Bayern Munich të shtunën në mbrëmje në International Champions Cup në Houston, duke e veshur fanellën me numrin 50-të, transmeton Gazeta Express, përcjellë gazeta Koha.
Ish-ylli i Chelseat, duke folur para kësaj ndeshjeje, tha se synimi i tij është t’i mahnitë të gjithë dhe ta japë më të mirën për klubin.
“Natyrisht dua t’i mahnit të gjithë: bashkëlojtarët, trajnerin, tifozët. Prandaj do ta jap më të mirën”, tha Hazard.
Hazard e pranoi se në Real Madrid presioni është shumë më i lartë, por mendon se përvoja është çelësi për t’u përballur me kërkesat e klubit.
“Kur luan për Real Madridin duhet të fitosh çdo vit. Nëse në një vit nuk e fiton Ligën e Kampionëve, tifozë zemërohen por është normale në një klub si ky. Duhet të fitosh prandaj edhe jam këtu”, shtoi ai.