Eden Hazard beson se Çellsi e ka forcën e duhur për të synuar trofetë në Angli dhe Evropë, pavarësisht se hije të mëdha dyshimi kanë mbuluar merkaton e londinezëve. Disa nga sulmuesit e kërkuar nga Konte si Lukaku apo Llorente zgjodhën klube të tjera për të vazhduar karrierën para kampionëve të Anglisë, megjithatë Hazard ka besim se ekipi i tij mund të mbrojë kurorën në Premier Ligë dhe të konkurrojë me ekipet më të forta evropiane në Çampions. “Unë mendoj se ky nuk do të jetë një vit ndryshe nga të tjerët, në kuptimin që çdo vit është shumë i vështirë sepse luajmë në disa veprimtari. Këtë vit shtohet një veprimtari e jashtëzakonshme si Çampions Liga dhe padyshim që nuk është e lehtë t’i fitosh të gjitha. Ne do të bëjmë të pamundurën dhe i takon trajnerit të racionalizojë forcat. Nëse një apo dy futbollistë pushojnë, atëherë do të jenë në 100 për qind për ndeshjen e radhës. Ne thjesht duam të fitojmë sa më shumë të jetë e mundur”, tha Hazard. Personalisht do të zgjidhja Çampions Ligën dhe besoj se do ta fitojmë këtë veprimtari, që unë nuk e kam fituar asnjëherë në karrierën time. Zgjedh këtë trofe mbi të tjerët, edhe pse objektivi është të fitojmë gjithçka”, shtoi më pas numri 10 i Çellsit. I pyetur se cili është rivali për titullin në Premier Ligë, Hazard tha: “Nuk ka vetëm një ekip kundërshtar. Arsenali, Mançester Junajtedi, Liverpul dhe Mançester Siti kanë futbollistë dhe trajnerë të mirë”, nënvizoi më tej Hazard. Ai në fund foli edhe për trajnerin Konte. “Ju mund ta dalloni në çdo ndeshje dhe stërvitje pasionin e tij. Jemi me fat që po punojmë me një nga trajnerët më të mirë në botë”, përfundoi futbollisti më i mirë i Çellsit, Eden Hazard.