Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu në një postim në Facebook ka shkruar se Haradinaj dha dorëheqje duke u viktimizuar me ftesën nga Gjykata Speciale ndonëse sipas saj arsye nuk ishte ftesa e speciales. Haxhiu ka thënë se “kthim prapa as që mund të ketë”. “Haradinaj dha dorëheqje duke u viktimizuar me ftesën nga Gjykata Speciale ndonëse arsye nuk ishte ftesa e speciales. Kur pa që nuk mundet më të përfitoi në emër të luftës, duket se i ra pishman për dorëheqjen. Tani i drejtohet Gjykatës Kushtetuese sepse mundohet të gjej një deriçkë për të ruajtur pushtetin që e kishte dhe që e keqpërdori aq shumë. Kthim prapa as që mund të ketë. Zgjedhje të jashtëzakonshme sa më parë. Shpresa e vetme për vendin është Lëvizja VETËVENDOSJE!”, ka shkruar Haxhiu në Facebook. Kryeministri në dorëheqje Ramush Haradinaj, ka dorëzuar në Gjykatën Kushtetuese kërkesën për intepretimin e dorëheqjes së tij nga posti i kryeministrit dhe definimin e kompetencave dhe funksionimit të Qeverisë pas dorëheqjes. Sipas Haradinajt, dërgimi i kësaj çështjeje në Gjykatën Kushtetuese është dëshmi e përgjegjësisë institucionale, që Qeveria të veprojë brenda kuadrit kushtetues dhe ligjor.