Urim HASIPI
Tetovë, 23 shkurt – Tashmë pëllumbat e egër në Sheshin e Tetovës e kanë të siguruar ushqimin çdo mëngjes dhe pasdite, shkruan gazeta KOHA. Ata mblidhen në Qendër të Tetovës, ku një njeri human që njihet në qytetin e Tetovës për punët vullnetare që ai kryen, i ushqen dhe kujdeset për ta. As bora e as shiu nuk e ka ndaluar Haxhi Ismet Nebiun, që të kryejë punën e tij tanimë të përditshme. Në sheshin “Iliria” në Tetovë ai ka përreth vetes me qindra pëllumba të egër, të cilën i ushqen dy herë në ditë, në mëngjes dhe pas dite. Arsyeja se pse pëllumbat mblidhen çdo ditë rreth tij, është misri, gruri që Haxhi Ismeti ua hedh atyre për t’i ushqyer. Duket pak sa e mahnitshme se si një i moshuar i gjeti vetes punë edhe në ditë me mot të lig, kur këto shpezë kanë më së shumti nevojë për ushqim.
“Para një viti e gjysmë, një haxhi nga Çarshia e Epërme, më tha do të jap 50 kilogramë grurë që të shkosh t’i ushqesh pëllumbat dhe më pas – unë e mora këtë përgjegjësi që t’i ushqej pëllumbat. Ata filluan që të mësohen me mua dhe tash shpesh më qëndrojnë edhe mbi kokë, në supe. Pastaj shkova vet dhe bleva edhe 50 kilogramë të tjera grurë dhe kështu vazhdova që çdo ditë t’i ushqej pëllumbat. Kur njerëzit panë këtë veprim timin, filluan që të më ndihmojnë. Përveç grurit dhe misrit, fillova që të mbledh edhe bukë. Në këtë drejtim më ndihmojnë edhe bukëpjekësit , të cilët më japin bukë për të ushqyer pëllumbat. Tani ushqimin e përziej me pesë kilogram bukë, pesë kilogram misër, pesë kilogram grurë dhe i ushqej dy herë në ditë, ndërkaq misrin përpara se t’ua jap pëllumbave e zbus në ujë që ta kenë më lehtë për ta ngrënë”, thotë për KOHA, Haxhi Ismet. Tashmë ai ka krijuar edhe një lidhje me këta pëllumba, sepse të njëjtit e dinë saktë kohën e ushqimit dhe vijnë në sheshin e Tetovës.
“Janë mësuar shumë me mua. Në mëngjes kur vij për t’i ushqyer, e ndjejnë prezencën time dhe menjëherë fluturojnë në drejtim timin edhe vet habitem se si këto shpezë të egra janë mësuar me mua. Tani e kam shumë të vështirë që t’i lë pa ushqim, sepse jam mësuar edhe unë me këto. Më vjen keq që t’i lë pa ushqim, edhe pse kam edhe obligime të tjera. Më interesante është në mëngjes ku vij për t’i ushqyer. Mblidhen rreth 500 pëllumba, atëherë më duket se ka më shumë se pas dite, sepse nuk mblidhen shumë ,ngase frikësohen nga zhurma e veturave”, thotë ai. Përveç kësaj, Haxhi Ismeti, ndër vite merret edhe me punë të ndryshme vullnetare. Ai kujdeset pothuajse çdo ditë për pastërtinë publike të rrugëve të qytetit dhe për mirëmbajtjen e parqeve të qytetit dhe hapësirave të tjera publike.
“ Në të kaluarën time shpesh herë kam kontribuar edhe në lyerjen me gëlqere të druve të qytetit, sidomos druve që gjenden te parku i Xhamisë së Larme. Kam kontribuar në mirëmbajtjen e pastërtisë publike të këtij parku dhe ende vazhdoj që ta bëj një gjë të tillë. Të gjitha këto punë i kam kryer vullnetarisht. Asnjëherë, nga askush, as edhe një denarë nuk kam marrë për punët të cilat i kam kryer, por nuk mund ta mohoj faktin që ka pasur dhe ka njerëz zemërgjerë të cilët edhe më kanë ndihmuar, secili në mënyrën e vet në drejtim të mirëmbajtjes së pastërtisë publike në qytet, mjetet të cilat njerëzit human m’i japin mua unë i investoj ato si për shembull blej dru dhe i mbjelli, blej misër, grurë për të ushqyer pëllumbat kurrë këto mjete nuk i shfrytëzoj për nevojat e mia, por i shfrytëzoj për të mirën e të tjerëve”, shprehet ai.
Ky është një ndër qytetarët e rrallë që nuk pret dikush tjetër t`i bëj këta punë, por ai vet përvesh mëngët për të krijuar një ambient më të mirë si për njerëzit po ashtu edhe për shpezët. Ai ndoshta e ka kuptuar më së miri misionin për të qenë një humanist jo vetëm me fjalë, por edhe me vepra dhe që nuk ka nevojë të reklamohet, sepse me punën e tij vullnetare, e ka dëshmuar këtë. Për punët e tij, para dy vit,e ai ka marrë edhe mirënjohje nga Komuna e Tetovës.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.