Shkup, 15 shkurt – Bazhe Ilijoskit nuk iu desh shumë që ti dëshmojë vlerat e tij, tanimë në fanellën e FC Shkupi, ku u transferua gjatë afatit kalimtar të janarit. Numri 18-të i skuadrës nga Çairi, kishte një super-debutim në ndeshjen e parë të sezonit pranver, kundër Akademija Pandevit. Në fakt për vetëm 16-të minuta, Ilijoski shënoi hat-trik, derisa kishte mundësi të shënojë edhe një, poqëse do të kishte realizuar penalltinë. Derisa pas këtij hat-triku, Ilijoski tha se atë ua dedikon grupit të tifozëve “Shvercerat Shkup”.
“Jam shumë i kënaqur që arritëm fitore të thellë. Sigurisht se jam i kënaqur edhe për tre golat e mi në paraqitjen time të parë zyrtare në fanellën e FC Shkupi. Këtë hat-trik ua dedikoj ‘Shvercerave’, tifozëve të Shkupit, të cilët më dhanë gjithë mbështetjen në debutimin tim të parë”, tha për “Makedonski Sport”, Ilijoski, i cili pas këtij hat-triku, Ilijoski arriti në kuotën e 133 golave në kampionatin vendor.
Ndërkohë, nga sot skuadra e FC Shkupi është kompletuar, pasi që në stërvitje janë paraqitur edhe përforcimet e fundit, si Toni Tipuriç, Emre Xhan Atila dhe ardhja e fundit, futbollisti 20 vjeçar, Valentin Kocoski, i cili vjen nga skuadra e Horizont Turnovës.